Çka dëshiron të shohësh, të dëgjosh, të kuptosh?

Feb 19 • Meditimi i ditës

19 shkurt 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 6,5-8; 7,1-5.10; Ps 29,1a.2.3ac-4.3b.9c-10; Mk 8,14-21)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.

Ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

Ati ynë, po e filloj këtë kohë të shenjtë të meditimi, siç më fton ta bëj çdo ditë.

Ji afër meje. Hapma zemrën që ta kuptoj fjalën tënde.

Hiqe errësirën që më rrethon dhe ma jep dritën tënde.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do

e shikoj ditën se si po më ecë,

duke filluar prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, nga çasti në çast.

I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.

I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin biblik me mend e zemër
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 8,14-21

 

14 Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë. 15 Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!” 16 Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!” 17Jezusi e hetoi atë gjë e u tha:

“Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?

18 ‘Me sy në ballë e nuk shihni,

me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’

Po a nuk po ju kujtohet 19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!”

20 “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?”

“Shtatë!” ‑ iu përgjigjën.

21 “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “Dhe ende nuk po kuptoni?!” Çfarë është ajo që më pengon të shoh, të dëgjoj, të kuptoj, të marr vesh? Ndërsa e vendos veten përpara Zotit, a jam si ata njerëzit në barkë; sa më shumë përpiqem, aq më pak kuptoj?
  • Por vë re gjithashtu dëshirën tënde për të parë … për të dëgjuar … për të perceptuar … dhe për të marrë vesh. Ku është ajo dëshirë në ty? Çfarë dëshiron të shohësh, të dëgjosh, të kuptosh?
  • Ndërsa e dëgjon leximin përsëri, imagjinoje veten si një prej tyre, në atë anije, i habitur, duke u përpjekur të bësh ose të thuash të drejtën, por jo duke ia dalë plotësisht. Si të vështron Jezusi? A mos është i zemëruar … apo dëshiron të të kuptojë? Si e imagjinon ti këtë?

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Zotin tani dhe tregoji atij se çfarë dëshiron të shohësh … të dëgjosh … të perceptosh dhe të kuptosh. Kërkoji Zotit të të ndihmojë, dhe lutu që të mund të lejosh të të ndihmohet.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. E marr me mend, Jezus, se si më vështron me shumë dashuri, më flet me butësi duke më ftuar ta kuptoj dhe ta pranoj Lajmin e Mirë në zemrën time.

Buka e përditshme për të cilën flet, Jezus, nuk është për bark. Bëj, o Zot, që sytë e mi të mund të shohin, veshët të mund të dëgjojnë, kurse kujtesën të ma bekosh që ta shoh mirësinë tënde dhe ta marr ushqimin që ti ma ofron çdo ditë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »