Kush thua se është Jezusi?

Feb 21 • Meditimi i ditës

21 shkurt 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 9,1-13; Ps 102,16-21.29.22-23; Mk 8,27-33)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndjejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lutem për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe çiltërinë për atë çfarë Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Mk 8, 27-33

 

27 Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet:

“Çka thonë njerëzit, kush jam unë?”

28 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa të tjerë Elia, disa të tjerë prapë se je njëri ndër profetët.”

29 Atëherë i pyeti ata:

“Po ju, kush thoni se jam?”

“Ti je Mesia!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

30 Ai u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të.

31 Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. 32 Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. 33 Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi është përsëri në rrugë kur ai vendos se është koha t’iu bëjë nxënësve të tij më të afërt një pyetje të drejtpërdrejtë. Pyetja e parë mund të ketë qenë pothuajse e rastësishme, por pastaj ai e bën atë shumë më tepër personale – “po ju, kush thoni se jam?” Ndoshta ai e bëri pyetjen e parë ndërsa ata ishin duke ecur së bashku, por pastaj është ndalë dhe i ka vështruar ata kur ua ka bërë pyetjen e dytë. Si e imagjinon se ka ndodh kjo? A mund ta paramendosh skenën? Fytyrat? Zërat?
  • Tani imagjinoje veten duke të t’u bërë kjo pyetje, “po ti, kush thua se jam?” – apo si një nga dishepujt në këtë skenë, ose pikërisht këtu, tani. Ndalu me këtë pyetje për një çast. Kush është ai … për ty? Kush shpreson se ai është? Kush e dëshiron që ai të jetë … për ty … për botën?
  • Ndërsa e dëgjon edhe një herë fragmentin biblik, vëreje se si vazhdon biseda pas rrëfimit të besimit të Pjetrit.

 

Bashkëbisedimi

Jezusi vazhdon të flasë se si ka për të qenë i refuzuar nga të gjithë, sesi do të vuajë dhe madje do ta vrasin. Pjetrit i duket kjo aq e vështirë për ta dëgjuar sa që midis tij dhe Jezusit lind një rragatje. Cilat ndjenja nxit në ty kjo bisedë për vuajtjet në ty? Tani flit me Jezusin për këtë – ndoshta dëshiron të debatosh me të ose të thuash diçka për dhimbjen dhe vuajtjet e tua. Çfarëdo që të dëshirosh të thuash, flit lirshëm.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Pyetja bazë në ungjillin e Markut është: “Po ti, kush thua që jam?” Pjetri i pati fjalët e mirëfillta. E pra, ai ndodhet vetëm në fillim. Më vonë do ta kuptojë rolin shpëtimtar të vuajtjes siç e bën këtë Jezusi në mundimet e veta.

O Zot, kur nuk arrij ta kuptoj mënyrën tënde të veprimit, mos e humb besimin në mua. Bëj që të mund të shkoj pas teje si nxënësi pas mësuesit. Më forco në kohë vuajtjesh: bëj që edhe unë ta mbart me durim vuajtjen e pashmangshme siç e ke mbartur edhe ti. Bëj që të besoj që atë çka mbartë ndihmon në shpëtimin e botës. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »