Kalkuta e Shën Nënë Terezës në sytë e një ipeshkvi

Feb 23 • Kulturë, Recension

Nga Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv

 

 

Shumë i nderuar mons. Dodë Gjergji,

ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë,

të dashur meshtarë e motra të nderit, studentë e studente,

të gjithë ju dashamirë të librit!

 

Jam shumë i nderuar që sot jam këtu në promovimin e librave të Sh. B. Drita, të publikuar gjatë viti të kaluar. E konsideroj një punë shumë të qëlluar organizimin e kësaj ngjarje nga drejtuesit e Dritës, që organizon çdo vit.

Personalisht me lidhin shumë gjëra me SH. B. “Drita”. Qysh kur isha famullitar në Prishtinë, kam bashkëpunuar me Dritën në botime të shumta, e ky bashkëpunim ka vazhduar deri në ditët e sotme.  

Sot, jam këtu për të paraqitur para jush librin e Mons. Dodë Gjergjit, bashkëvëlla në episkopat, me titull “Rrëfimi i një shtegtari, një javë në Kalkuta”, i botuar vitin e kaluar nga Sh. B. “Drita”.

 

Lloji i librit

Libri i përket zhanrit udhëpërshkrim, një zhanër shumë i njohur dhe i përdorur në kohën e fundit në krijimtarinë shkrimore. Mund të konsiderohet edhe si një guidë shtegtimi për Kalkutën e Nënë Terezës dhe trashëgimin e veprës së saj. Në këtë kuptim është një paraqitje e shkëlqyeshme e asaj që quhet Kalkuta e Nënës Tereze, e parë nga syri i një ipeshkvi, që është bir i të njëjtës kishë dhe i të njëjtit popull me shenjtëreshën. Është libri i parë i këtij lloji, që i ka munguar literaturës sonë të krishterë shqipe.

 

Strukturimi i librit

Libri është i strukturuar në një logjikë të shtegtimit personal të autorit. Ai ndjek një logjikë përshkruese të asaj që ka pa dhe që ka përjetuar në vendngjarje. Një metodë shumë e qëlluar që nxit te lexuesi kureshtje për të vazhduar leximin.

Libri nuk është i ndarë në kapituj apo pjesë, si një libër klasik, por tërësinë e një jave, autori e paraqet sa në kronologji, sa në karakteristika, tipare të botës së vrojtuar, por nuk mungojnë as analiza origjinale të realitetit indian, qoftë të kohës kur Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza kishte jetuar dhe vepruar, qoftë të gjendjes së sotme. Kjo përzgjedhje e bën librin shumë tërheqës.

 

Metoda dhe përmbajtja e librit

Libri është fryt i shtegtimit të autorit te varri i shenjtëreshës sonë dhe qëndrimi në Kalkuta për një javë, për të cilën autori na sjell njohuri të pasura të atij realiteti të Kalkutës dhe pjesërisht të Indisë si të tillë. Përshkrimi është aq i begatshëm dhe i rrjedhshëm sa që duke e lexuar librin, e sidomos kur ta kesh përfunduar atë, të duket se vetë ke qenë atje.

Libri është shumë i pasur me ilustrime, me fotografi të ndryshme origjinale të bëra nga vetë autori, që e pasqyrojnë gjendjen e vendit dhe të njerëzve ku ka vepruar dhe jetuar e madhja motra jonë, nëna e botës, Shën Tereza e Kalkutës.

India, përkatësisht Kalkuta, si një vend shumë kompleks dhe shumë i ndryshëm nga bota jonë, autori arrin ta paraqes në shumë lehtësi, duke na dhuruar në formën koncize e të thjeshtë ambientin indian.

Autori e ka arritur këtë duke e përdorur një analizë krahasuese ndërmjet Kishës sonë dhe Kishës në Kalkuta. Metoda krahasuese përdoret edhe për sa i përket strukturës së jetës shoqërore, religjioze, politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve, ku dalin shumë qartë të ngjashmet dhe dallimet mes dy vendeve.

Këtë metodë autori e përdor për të ndihmuar lexuesin shqiptar që të futet drejt e në realitetin indian të Kalkutës për të kuptuar më lehtë pse ka pasur sukses veprimtaria e Nënë Terezës.

Autori ka arritur që për një kohë relativisht të shkurtër, një javore, t’i vizitojë së pari e pastaj t’i paraqes në libër të gjitha ato vende dhe ambiente, institucione e qendra sociale ku ka vepruar Nënë Tereza dhe ku veprojnë sot e kësaj ditë bijat e saja, motrat e bamirësisë hyjnore.

E tërë përmbajtja e librit ka karakter shtegtimi, e jo paraqitje të përjetimeve të një turisti, çka përcakton qartë autori në hyrje të librit. E çka do të thotë shtegtim, përveçse ecje gjurmëve të dikujt që e ka bërë atë rrugë para nesh. Ashtu që titulli i librit është i qëlluar, sidomos kur në faqet e para autori shpjegon qëllimin e librit, fenomenin e shtegtimit, duke u bazuar mes tjerash edhe me përvojën biblike dhe të kishës. Megjithatë, mendoj se ky libër nuk duhet të përkufizohet vetëm në këtë aspekt, por në njëfarë mënyre ju shërben edhe turistëve të ndryshëm që e vizitojnë Kalkutën dhe Indinë, sepse autori jep një mozaik të realiteteve të ndryshme të botës indiane: nga religjionet e pranishme, kulturat, politika, ekonomia deri te diversiteti i traditave që i gjejmë në këtë shtet aziatik. Çdo njeri që e viziton Kalkutën dhe çdo pjesë të Indisë, e ka të domosdoshme njohjen e këtyre tipareve karakteristike indiane, prandaj ky libër i mons. Dodës është një udhërrëfyes i dobishëm dhe shumë praktik.

 

Qëllimi i librit

Qëllimin e librit mund ta gjejmë të përshkruar nga vetë autori që në hyrje të librit, kur thotë se “uroj që këta rreshta dhe këto fotografi të të ndihmojnë ta njohësh më mirë Shën Nënë Terezën, t’i lutesh asaj për ndërmjetësim dhe me fuqinë e uratës të nxisë të ti dashurinë për t’i dashur më shumë të varfërit që i ke pranë shtëpisë, në lagje apo gjetiu.” Dhe vazhdon: “na mbetet që të marrim nga shembulli dhe ndërmjetësimi i saj, të njëjtën dhuratë feje dhe dashurie dhe ta mbjellim atë në popullin tonë, në mënyrë që të gjithë të jetojnë në paqe dhe ta duam njëri-tjetrin”.

Shpresoj se ky qëllim dhe ky mision fisnik i librit të arrij të realizohet në jetët e të gjithë neve./drita.info

 

(Fjala i Imzot Zef Gashit në promovimin e librit Dodë Gjergj, Rrëfimi i një shtegtari – një javë në Kalkuta, Drita 2018, Qendra BogdaniPolis, Prishtinë, 21 shkurt 2019.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »