Në lutje mund të pushojmë në afërsinë dhe dashurinë e Jezusit

Feb 23 • Meditimi i ditës

23 shkurt 2019 – E shtunë, Shën Polikarpi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 11,1-7; Ps 145,2-5.10-11; Mk 9,2-13)

 

Prania e Hyjit
“Qëndroj para derës dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë priviliegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe në rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Mk 9, 2-13

 

2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. 3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. 4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.

5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit:

“Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. 7Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” 8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.

9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri. 10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?” 11 Dhe e pyetën:

“Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?”

12 “S’ka dyshim ‑ iu përgjigj ‑ më parë duhet të vijë Elia për të vënë përsëri çdo gjë në vendin e vet. Por, pse atëherë u shkrua për Birin e njeriut se i duhet të pësojë shumë e të përbuzet? 13 Veçse, unë po ju them: Elia erdhi e bënë me të si deshën, po ashtu siç shkruan për të në Shkrimin e shenjtë.”


Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

  • Mali Tabor është vend i shenjtë, kulmi i eksperiencës, përvojës. Pjetri dëshironte që kjo eksperiencë të zgjaste përgjithmonë. E pra, Jezusi e zbret në tokë.
  • Edhe në jetën tonë ekzistojnë momente dhe përjetime të bukura për të cilat do të dëshironim të zgjasnin përgjithmonë, por që realiteti i jetës na zbret në tokë … E lus Zotin që afërsia e tij dhe momentet e bukura të më japin fuqi atëherë kur ta përjetoj që rreth meje nuk është askush.
  • Kur e dëgjoj përsëri pjesën e ungjillit vërej se ç’po ndodh në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi
Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ngjarja në malin e lartë e drejton shikimin tonë përpara – edhe në ringjalljen e Jezusit edhe në ardhjen e tij të dytë. Reagimi i Pjetrit na nxit që të shikojmë përpara – për një jetë të përbashkët me Hyjin kështu që në amshim të mund të themi: “Për ne është mirë të qëndrojmë këtu”. Në lutje mund të pushojmë, të jemi të lumtur dhe të qetësuar në afërsinë dhe dashurinë e Jezusit. Shndërrimi ka ndodhur për të mirën e nxënësve, për fenë e tyre dhe mbështetjen në lavdinë permanente të Jezusit edhe kur të vijnë kohërat e vështira. Kjo në lutje vlenë edhe për çdonjërin prej nesh. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »