Besoj, por më ndihmo ti të besoj, o Zot!

Feb 25 • Meditimi i ditës

25 shkurt 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 1,1-10; Ps 93,1-2.5; Mk 9,14-29)

 

Prania e Hyjit

“Besoj në një Hyj të vetëm, Atin e gjithëpushtetshëm, krijuesin e qiellit dhe të tokës.” Ndërsa e filloj këtë lutje sot, a mund të bashkohem me këtë shprehje të fuqishme, gati të ekzagjeruar të fesë? A mund të filloj duke e shpallur besimin tim në Hyjin tim, krijuesin tim, Atin tim qiellor?

 

Liria

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo, o Zot, që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m’i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Dëgjoje pjesën e Shkrimit të shenjtë, dhe shih a ka ndonjë shprehje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet. Shijoje atë moment.


 

Mk 9, 14-29

 

14 Kur arritën te nxënësit, panë mori të madhe njerëzish rreth tyre dhe skribët që po rrahnin çështje me ta. 15 Tërë ajo mori, kur e pa Jezusin, u habit dhe me nxitim vrapoi për ta përshëndetur. 16 Ai i pyeti:

“Mbi çka diskutoni me ta?”

17 Dikush prej morisë iu përgjigj:

“Mësues, e solla te ti djalin tim që ka në trup një djall që s’e lë të flasë. 18 Kudo e kap, e shkapet andej këndej e djali shkumon e kërcëllon dhëmbët dhe i ngrihen gjymtyrët. U thashë nxënësve të tu ta dëbojnë, por ata nuk mundën.”

19 “O brezni e pafe ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jem me ju? Ma sillni këtu!”

20 Ia sollën. Shpirti i ndytë, posa e pa Jezusin, menjëherë e shkapeti djalin; djali, i rënë ashtu për dhe, rrokullisej e shkumonte.

21 Jezusi e pyeti babanë e tij:

“Tani sa kohë i ndodh kështu?”

22 “Që në fëmijëri ‑ iu përgjigj ‑ Shpeshherë e ka hedhur herë në zjarr e herë në ujë për ta mbytur. Nëse mund të bësh gjë, na ndihmo! Ki mëshirë për ne!”

23 “Nëse mund të bësh gjë… ! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Gjithçka është e mundshme për atë që beson!”

24 Menjëherë babai i djaloshit tha me zë të lartë:

“Besoj, por më ndihmo ti të besoj!”

25 Kur Jezusi pa se po afroheshin përherë e më shumë njerëz, i urdhëroi shpirtit të ndytë dhe i tha:

“Shpirt memec dhe i shurdhër, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos u kthe më në të!”

26 Ai bërtiti, e shkapeti fort djalin dhe doli prej tij. Djaloshi mbeti menjëherë, porsi i vdekur, kështu që shumë thoshin: “Vdiq!” 27 Jezusi e kapi për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.

28 Kur Jezusi shkoi në shtëpi, nxënësit e tij e pyetën veçmas:

“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”

29Ai iu përgjigj:

“Ky lloj nuk mund të dëbohet me asgjë tjetër, përveçse me lutje.”


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi të Shenjt:

 

  • A beson se një person mund të ndryshojë dhe të bëhet një person i ri? Po për veten tënde? A mund të ndryshosh dhe të bëhesh një person i ri?
  • Po në lidhje me vendin tënd? Po në lidhje me botën? A beson se mund të ndryshojnë?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri përmbylljen e kësaj historie, vë re se çka thotë për besimin.
     

     

Bashkëbisedimi

“Gjithçka është e mundshme për atë që beson!” Si reagon ndaj këtyre fjalëve? Mund të dëshirosh të përgjigjesh si babai i djalit: “Besoj, por më ndihmo ti të besoj!” – ose ndoshta është diçka krejtësisht ndryshe që dëshiron të thuash. Çfarëdo që dëshiron t’i thuash Zotit, thuaja me fjalët e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ka diçka në shpirtin e keq i cili duke pranuar Jezusin ka bërë të ditur se në horizont është duke u shfaqur një mënyrë e re jete. Jezus, mund të të kundërshtoj në gjëra të vogla duke dëshiruar që komoditeti dhe sjelljet e mia ta formojnë një botë siç e dëshiroj unë. Me të atin e ungjillit së bashku them. “Besoj, por më ndihmo ti të besoj!”

Jezus, ti i përgjon dëshirat dhe ofshamat më të thella të atyre që në nevojë vijnë tek ti. Ti e vëren besimin dhe e përkrah atë. Më mëso se si të gjej kohë që t`i qaj hallet me ty. Të lutem, ma forco besimin. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »