Rreptësi dashamirëse

Feb 28 • Meditimi i ditës

28 shkurt 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 5,1-8; Ps 1,1-4.6; Mk 9,41-50)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Merr një moment për të reflektuar mbi rrugët, mënyrat e Zotit se si vepron e dashuron, gjatë kohës që po hyn në lutje sot … mënyrat që janë shumë më të larta sesa tonat.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i sinqertë se si jam.

Si kaloi dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm biblik me mirëbesim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky fragment biblik.

Dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo ç`po ndodhë në zemrën tënde.


Sir 5,1-8

 

Biri im!

1 Mos u mbështet mbi pasurinë tënde

e ruaj se thua: “Kam sa më duhet për jetë!”

2 Mos e ndiq fuqinë tënde

për të ecur në dëshirime të zemrës sate

3 e ruaj se thua: “Çka ka kush të më bëjë?”

ose: “Kush do të më nënshtrojë për çka kam bërë?”,

sepse Hyji hakmarrës do të hakmerret!

4 Ruaj se thua: “Kam mëkatuar, e ç’e keqe më ndodhi?”,

sepse i Tejetlarti është kthyes i durueshëm.

5 Për mëkatin e falur mos ji pa frikë

dhe mos shto mëkat mbi mëkat

6 e ruaj se thua: “Mëshira e Zotit është e madhe,

do të ketë dhimbje për mëkatet e mia të shumta”;

7 sepse mëshira dhe hidhërimi afrohen shpejt prej tij

e mbi mëkatarë pushon hidhërimi i tij.

8 Mos vono të kthehesh te Zoti

dhe mos shtyj prej ditës në ditë.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt

 

  • Është një lexim mjaft sfidues sot, por gjatë dëgjimit, çfarë të erdhi në mendje? A je i/e shqetësuar? … apo i/e sigurt? Ndihesh pakëndshëm? … apo rehat?
  • Nganjëherë është e rëndësishme t’i dëgjosh këto paralajmërime nga Hyji. Për të kujtuar se ne nuk mund të mbështetemi në dafinat tona! Është shumë e lehtë të jesh i/e kënaqur me mënyrën se si gjërat janë, të mësohesh me to. Kjo është mënyra e Tij për të na thënë të zgjohemi! Shqyrtoji gjërat! Nuk është e mirë gjithçka! Shiko përreth teje, çfarë mund të bësh ndryshe? Po Hyji na do … por a nuk duhet të dëshirojmë t’i pëlqejmë, ta kënaqim Hyjin, dashuria e të cilit ndaj nesh është e pafundme?
  • Dëgjoje përsëri fragmentin biblik, dhe këtë herë, provo dhe dëgjo si të ishte një këshillë që e merr nga një mik i ngushtë.

 

Bashkëbisedimi

Këshilla mund të jepet por është marrësi që vendos se çfarë të bëjë me të.

Do të ishte shumë e lehtë ta marrësh këtë thjesht si një listë të “Mos-eve” (mos këtë, mos atë), por a mund të lutem sot për një zemër të hapur ndaj dëshirave të Zotit, vullnetit të Zotit për të lulëzuar në mua?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Gjëja më e thjeshta dhe më e vogël e bërë për shkak të emrit të Krishtit ka një domethënie të madhe. Po t’i paraqes, o Zot, të gjitha veprat e ditës së sotshme dhe po të lutem që të mund të jem në shërbim të vendosjes së mbretërisë sate ndër ata që sot do t`i takoj.

Të falënderoj, o Zot, për të gjithë ata që më kanë pranuar mirë dhe më kanë treguar dashamirësi apo kujdes. Bëj, po të lutem që të mund të jem mjaftueshëm zemërgjerë që t`u lejoj njerëzve të më bëjnë shërbim. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »