Sa i çmoj këshilltarët e mi të afërm?

Mar 1 • Meditimi i ditës

1 mars 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 6,5-17; Ps 119,12.16.18.27.34-35; Mk 10,1-12)

 

Prania e Hyjit

Një këngë fton ‘Të mësosh të duash si Zoti’.

Si je duke mësuar të duash si Zoti? Si Krishti?

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se do të mund të bëhej statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë s’do t’i nënshtrohej daltës së skulptorit,
që me gjeninë e tij depërton për të nxjerr të gjitha ato çfarë mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci).
Lutem për hirin shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Asnjëherë s’duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Tani e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me mend e zemër

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.


Sir 6,5-17

 

Biri im,

5 Goja e ëmbël i shton miqtë e i zbut armiqtë,

gjuha e njerëzishme sjell përshëndetje.

6 Ki shumë nga ata që jetojnë në paqe me ty,

por prej një mijëve një kije këshilltar.

7 Nëse do të fitosh ndonjë mik, fitoje në provë,

dhe mos i beso tepër lehtë.

8 Sepse ka mik që është i tillë kur i bie për shtat,

por nuk mbetet i tillë ditën e ngushticës.

9 Sepse ka edhe mik që kthehet në armik

dhe do t’i zbulojë për çnderim tënd grindjet e tua.

10 Ka edhe mik shok në tryezën tënde,

por s’qëndron i tillë ditën e nevojës.

11 Sa ta kesh për së mbari do të jetë një me ty

e lirisht do të sillet me shtëpiakët e tu,

12 por, nëse do të biesh poshtë, do të sillet kundër teje

dhe s’do të shikojë me sy.

13 Ndahu nga armiqtë e tu

e ruaju prej miqve të tu.

14 Miku besnik, mbrojtje e fortë:

kush e gjen, gjen visar.

15 Miku besnik s’mund të çmohet,

as s’mund të peshohet vlera e tij.

16 Miku besnik është bar shërues jete,

do ta gjejnë ata që e kanë frikë Zotin.

17 Kush e ka frikë Hyjin qëndron në miqësinë e tij,

sepse siç është ai, i tillë do të jetë edhe miku i tij.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e Shkrimit Shenjt:

 

  • Ne të gjithë kohë pas kohe në jetën tonë i vendosim njerëzit në kategori. Ne e dimë se te kush të shkojmë për të na dhënë një këshillë të mirë apo kujt t’i drejothemi që të na rekomandojë një restorant. Ose në cilin nga miqtë tanë mund të mbështetemi për një mendim të ndershëm. Por, a merr ndonjëherë kohë për t’i falenderuar njerëzit më të afërt të tu, strehat e tua të forta, visaret e tua personale?
  • A është ky lloj i miqve me të cilët shoqërohem, që i njoh dhe interesohem? A është kjo diçka që unë dëshiroj të jem?
  • Fjala këshilltar duket si diçka që duhet të rezervohet për politikanët, jo miq të ngushtë ose të afërm. Vë re dallimin që leximi e bën kur ta dëgjosh përsëri.

 

Bashkëbisedimi

Me ta përmbyllur këtë kohë të lutjes, mund ta falënderoj Zotin për të gjithë miqtë besnikë që kam dhe forcën për të qenë një i tillë për të tjerët.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Lutja ime mund të jetë kohë për të lutur me mirënjohje për ata që kanë dashuri dhe bashkëndjenjësi me të gjithë njerëzit, por edhe për ata të cilëve u kanë shkaktuar vuajtje raportet dhe lidhjet e ndryshme.

Jezus, ti na thërret t`i kthehemi paramendimit burimor të Zotit mbi krijesat. O Zot, sa herë dëgjoj tekste biblike për raporte të mira, nuk mund të mos ndjej pikëllimin, kur i kujtoj aq shumë njerëz dhe miq raportet e të cilëve janë dëmtuar, ose prishur. Ti gjithmonë thërret sërishmi në idealin e jetës në besnikërinë, dashurinë dhe respektimin e ndërsjellët. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »