Gjon Berisha shpallet laureat i çmimit vjetor për vepër shkencore

Mar 2 • Kulturë

Ministria e Kulturës ka shpallur Gjon Berishën laureat i çmimit vjetor për veprën shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore “Zef Mirdita”.

Vepra e Gjon Berishës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në fondet e Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut” është kontribut i veçantë shkencor i mbështetur kryesisht në dokumente” , thuhet në fjalën e Ministrit të Kulturës z. Gashi, me rastin e ndarjes së çmimit.

Gjon Berisha,historian i mesjetës, ka lindur më 25 janar 1975, në Gjakovë (Brekoc). Shkollën Fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Gjatë viteve 1996-1999, studioi në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Historisë në Fakultetin Filozofik. Në po këtë universitet, në vitin 2008, mbaroi studimet e shkallës së tretë në drejtimin e historisë – Periudha e Mesjetës. Në fund të viti 2009, ka magjistruar në Univerisitetin e Zarës në Kroaci, në drejtimin e shkencave të Informacionit dhe të Bibliotekarisë. Gradën doktor i shkencave historike, Periudha e Mesjetës, e fitoi në janar të vitit 2014 në Qendrën e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë në Tiranë.

Për dhjetë vite ka punuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pastaj në Kolegjin “Zenit”, si mësimdhënës i historisë dhe gjuhës latine, kurse nga qershori i viti 2012, punon në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Ka botuar monografi dhe dhjetëra punime shkencore dhe profesionale, brenda dhe jashtë Kosovës, në gjuhë shqipe dhe të huaja. Ka marrë pjesë me kumtesa në dhjetëra simpoziume e konferenca shkencore të karakterit kombëtar dhe ndërkombëtar. Vazhdon të jetë aktiv në jetën akademike, në hulumtime shkencore, kryesisht në arkiva të njohur për të zbardhur mesjetën shqiptare.

Aktualisht është sekretar në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishitnë.

Deri më tani ka botuar 5 libra: 1) Bibliografia e revistës Kosova 1972-2003, Prishtinë 2004;  2) Albanske novine i časpoisi 1848-1912, Zarë-Prishtinë, 2014; 3) Organizimi Kishtar në Kosovë gjatë mesjetës, Prishtinë 2016; 4) Arbërorët ndërmjet Kishës perëndimore dhe asaj Lindore gjatë shekujve XI-XV, Prishtinë 2015; 5) Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në fondet e Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, Prishtinë 2018.

Redaksia e Rev. “Drita”, i shpreh Gjonit urimet më të sinqerta dhe i uron suksese të mëtutjeshme në punën e tij shkencore./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »