Të jesh mendjehapur si fëmija

Mar 2 • Meditimi i ditës

2 mars 2019 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 17,1-15; Ps 102,13-18; Mk 10,13-16)

 

Prania e Hyjit
Ajo që përpiqem të bëj këtu është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi të gjitha çfarë është duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta marr vesh që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i qetë dhe i hapur ndaj asaj çka dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria
Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i vetëdijshëm për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesjen tënde ndaj meje.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje fragmentin e sotëm biblik
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.


 

Mk 10, 13-16

 

13Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. 14 Jezusit, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha:

“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! 15 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Më shumë se një herë e kemi parë hidhërimin e nxënësve që e marrin për vete një autoritet që nuk u ishte dhënë. Ata ende duhej ta mësoni leksionin se të kesh autoritet do të thotë më tepër të shërbesh se sa të kontrollosh dhe të manipulosh. Është një mësim edhe për ata që kanë autoritet në Kishën tonë sot që duhet gjithashtu ta kujtojnë. Dhe kjo reflekton në një farë mase vendin e ulët që fëmijët kishin në shoqërinë e të rriturve. Fëmijët nuk shikoheshin as dëgjoheshin shumë – nuk u kushtohej shumë vëmendje.
  • Fëmijët i “pengonin” të rriturit gjatë kohës kur këta e dëgjonin fjalimin e Jezusit. E pra, Jezusi këtë e ka dashur dhe ka parë se çfarë u mungonte fëmijëve: koha dhe kontakti, vëmendja. Në kulturën tonë të dëmtuar, njeriu mund të dyshohet nëse e merr një fëmijë në krah që sinqerisht t`i kushtojë kohë dhe t`i tregojë vëmendje …

Gjatë kohës që e dëgjon edhe njëherë pjesën e ugnjillit, vëreje butësinë e Jezusit, ndjesinë dhe mënyrën e tij të shikimit të nevojave të fëmijëve.

 

 

Bashkëbisedimi
Marku ungjillitar, të cilit i pëlqen t’i përshkruajë ndjenjat e Jezusit, thotë se ishte mjaft i indinjuar ndaj sjelljes së nxënësve të vet. “Lërini fëmijët të vijnë tek unë … sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit.”

Këtu ‘fëmijët’ mund të merren në një kuptim më të gjerë për të përfshirë të gjithë ata që i afrohen Jezusit me një mendje krejtësisht të hapur dhe të papenguar. Gjithashtu ata që kanë një status të ulët në shoqërinë tonë. Njerëz të tillë shpesh janë më të gatshëm të dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë dhe të marrin pjesë aktive në të. Le të kujtohen ata njerëz në këtë moment dhe bisedo me Zotin për ta.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Jezus, ti po thua se vetëm ata që e kanë q
ëndrimin e hapur dhe thjeshtësinë e një fëmije mund të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Këto fjalë pa dyshim u ke drejtuar skribëve dhe farisenjve të gjithëdijshëm dhe atyre të ngjashëm me të si dhe nxënësve, dishepujve të tu. Jezus, ti i more fëmijët, vure dorën mbi ta dhe i bekove. E dije rëndësinë e kontaktit fizik në komunikimin me njerëzit, duke shprehur kështu inkurajimin, afirmimin dhe sjelljen e shërimit.

Dishepujt e tu, Jezus, ndoshta jo me dashje, po ua bllokonin qasjen ndaj teje atyre që ishin më të hapur ndaj mësimit tënd. Si njerëz që jemi përgjegjës për fëmijët, si prindër, mësues apo me ndonjë raport tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm se si me anë të fjalës apo veprimit mund t’i pengojnë, t’i bllokojmë fëmijët tanë t’i qasen mesazhit tënd të së Vërtetës dhe të Dashurisë. O Zot, mos lejo që të bëhem pengesë për njerëzit të cilët mund të ndikohen dhe të largohen nga Rruga jote për shkak të mënyrës sime antikrishtore të sjelljes. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »