Të kultivojmë lirinë dhe bujarinë e shpirtit

Mar 5 • Meditimi i ditës

5 mars 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 35,1-12; Ps 50,5-8.14.23; Mk 10,28-31)

 

Prania e Hyjit

 pikën e qetë të botëssime në lëvizje,
Në thelbin e qenies sime,
Pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
I Cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e marrë dhe e pranoj këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 


Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


 

Mk 10,28-31

 

28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha:

“Ja, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat 30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.

31 Shumë nga ata që janë të parët do të jenë të sprasmët, ndërsa shumë të sprasmë do të jenë të parët.”


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Dje dëgjuam për djaloshin që e kishte shumë të vështirë të hiqte dorë nga pasuria e tij për ta ndjekur Jezusin. Sot jemi me Pjetrin, i cili ka hequr dorë shumë për të ndjekur Jezusin. Ai kërkon një njohje, ndoshta edhe një shpërblim, për gjithçka që kishte hequr dorë – dhe jo vetëm nga ‘gjësendet’ që ai kishte hequr dorë, por edhe nga miqtë, familja, puna. A ke hequr ndonjëherë dorë nga ndonjë punë e madhe për diçka që vërtet ke besuar? A mund të të kujtohet se si je ndier kur e ke bërë një gjë të tillë?
  • Por Jezusi ia kujton Pjetrit se ai ka lënë gjithçka për hir të tij, për Jezusin. Çfarë dallimi bën kjo? Si të duket kjo ty?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, ji i/e vetëdijshëm/e se si Jezusi të flet nëpërmjet asaj që i thotë Pjetrit.

 

Bashkëbisedimi

Ndoshta ndjekja e Jezusit në jetën tënde ka të bëjë me lënien e miqve apo familjen apo një punë. Ose ndoshta ky është një vendim me të cilin po përballesh – që duhet ta marrësh. Bisedo me Jezusin se si dëshiron ta ndjekësh atë në jetën tënde, çfarë të pëlqen dhe çka e ke të vështirë.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Jezus, ti nuk kërkon që t`i lëmë pas dore detyrat/përgjegjësitë tona. Nëse e bëjmë këtë, atëherë nuk ndihmojmë ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Ti na fton të kultivojmë lirinë dhe bujarinë e shpirtit që bazohen në një të mirë më të madhe. Më me liri e ndjekim kur kujdesemi për të mirën e tjetrit dhe jemi tashmë pjesë e Mbretërisë.

Jezus, më ndihmo që të ballafaqohem guximshëm dhe me zemërgjerësi me detyrat/përgjegjësitë prej të cilave ndoshta largohem? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »