7 shkronjat e Don Lushit në Kohën Ditore

Mar 7 • Opinion

Don Lush Gjergji ishte personazhi i javës së kaluar që u rrëfye në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”. Përgjigjet e tija, në 70-vjetorin e lindjes, vijnë nga përvoja në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tij të begatshme.

 

JETA – Dikur nuk isha, dikur nuk do të jem, së paku në kohë dhe në hapësirë, pra, fizikisht. Këtë e dimë të gjithë, por rrallë kujtohemi dhe mendojmë për këtë. Jemi shtegtarë dhe kalimtarë- së paku ashtu themi – me një pikënisje dhe pikësynim. Të gjithë dëshirojmë të jemi të lumtur, të kënaqur, të gëzueshëm, mirëpo çmimi i kësaj“gjendjeje”shpirtërore, shpesh na duket tejet i lartë, i paarritshëm. Për lumturi, kënaqësi, qetësi, plotësi në jetë, duhet vetëm një gjë: Dashuria, si e vetmja mundësi për t’u realizuar, për të qenë të lumtur dhe për të lumturuar edhe të tjerët. Ajo është një mundësi e vazhdueshme për të gjithë, pa dallim moshe, gjinie, vendi, gjendjeje shoqërore dhe kulturore,  e kapshme, në ne, ndër ne, me ne, mirëpo shpesh nuk e arrijmë ta zbatojmë, disi na largohet dhe na tretet ndër “duar” tona. Ajo duhet vazhdimisht të zgjohet dhe aktivizohet në ne, për ta zgjuar dhe aktivizuar edhe te tjerët. Nuk është ëndërrim, iluzion, utopi, por mundësi konkrete dhe shumë reale, ose siç do të thoshte Nëna Tereze: “Vepra të vogla me dashuri të madhe”.  Tash jam i gjallë, jetoj, herë më mirë e herë më keq,  ndonjëherë i lumtur me pak gjëra të vogla,  si ndonjë fëmijë i pafajshëm, herët tjera i lodhur, mërzitur, rraskapitur, si ndonjë stërplak, me gëzime dhe hidhërime, brenga dhe shqetësime, lumturi dhe pakënaqësi. Shumëçka nuk varet prej meje, si për shembull, rrjedha e kohës, motit, shëndeti, koha e lindjes time, vendlindja, familja, shoqëria, kombi, feja e prindërve të mi, rrethit tim, gjuha, tradita, kultura, qytetërimi… Jam i njëjti person, qysh me lindje, unë, me formimin e egos, megjithatë gjithnjë ndërrohem, begatohem, përmirësohet, fitoj përvoja të reja, tashmë shkoj kah pjekuria dhe pleqëria, amshimi.

Ky është misteri i jetës, që më është dhuruar, prej Zotit dhe prindërve të mi, për ta dhuruar gjithnjë, deri te ofshama e fundit e jetës trupore dhe tokësore. Jeta, dhurata më e madhe dhe më e bukur, të cilën e kam pranuar pa më pyetur fare, pra, pa merita, vetëdije dhe përcaktim,  të cilën duhet ta lë, po ashtu pa pëlqimin tim, mbetet mister, fshehtësi, mundësi, mrekulli që ia vlen ta jetojmë me përgjegjësi dhe dashuri, me flijim dhe dhurim, në këndvështrimin  e së kaluarës, mundësinë e së tashmes dhe shpresën e amshimit të lumtur.

Në jetën time kam pasur dhe kam shumë “njerëz” tejet të mirë, vëllezër – motra, bashkëudhëtarë, me të cilët kam jetuar dhe vepruar aq sa kam ditur dhe mundur, gjithnjë për të mirë. Zoti, pastaj ata, për mua janë burimi i frymëzimit, dashurisë, lumturisë sime, disi“parashijimi”i pavdekësisë.

 “Jeta është fshehtësi, zbuloje. Jeta është premtim, plotësoje. Jeta është dashuri, përjetoje” (Nëna Tereze).

 

PAQJA – për mua parakusht themelor për jetë dhe për dashuri. Gjatë jetës sime, relativisht të shkurtë dhe të gjatë, 70 vjeçare, kam përjetuar periudha të ndryshme, personale, familjar edhe shoqërore. Linda dhe u rrita, pjesërisht u edukova, në komunizëm. Gjatë rinisë dhe studimeve jashtë ish-Jugosllavisë, hetova mangësitë e sistemit monist, por edhe ato të perëndimit demokratik dhe liberal. Isha mes dy botëve, në kërkim të rrugës së tretë, asaj të paqes, drejtësisë, barazisë, vëllazërisë… Përjetova ankthit dhe ethet e Popullit tim para, gjatë dhe pas Luftës (1998 -1999), ku asgjë më nuk kishte vlerë, qëndrueshmëri, siguri, më së paku jeta, Njeriu, Populli. Dukej se çdo gjë do të përfundonte zi e mëzi, shpërngulja me dhunë e Popullit, habia, frika, pasiguria, vrasje, djegie, shkatërrim në çdo kënd dhe vend. Hija e vdekjes mbulonte çdo gjë. Megjithatë, unë besova në Paqe, për jetova tmerrin dhe ferrin e Luftës, por isha në paqe me Zotin, me vetveten, me të tjerët. Dhe Paqja erdhi, falë Zotit, bashkësisë ndërkombëtare, vëllazërisë dhe flijimit gjithëshqiptar. Përvoja e Luftës ma vërtetoi edhe njëherë në mënyrë konkrete dhe dramatike se e Mira, Drejtësia, e Vërteta, Jeta, Paqja, Dashuria janë të pavdekshme. Mirëpo, Paqja nuk është vetëm mungesa e Luftës, por prania e vlerave dhe virtyteve, mbi të gjitha e faljes dhe dashurisë. Nuk e di a e kemi mësuar deri në fund këtë porosi?!

 

PAJTIMI –  urrejtja për mua është “diktatori” më i keq, që vetvetiu nuk vdes kurrë. Kush urren nuk jeton, është për së gjalli në “varr”,  pasi që jeton vetëm për të bërë keq, për të hakmarret. Gjatë Pajtimeve të Gjaqeve, në vitin e bekuar 1990, së bashku me prof. Anton Çetën dhe shumë të tjerë, si kurrë më parë, jetova dhe veprova me popullin tonë Shqiptar. Dhe, përjetuam mrekullinë e faljes dhe pajtimeve. Populli e mposhti “Diktatorin” – urrejtjen, si parakusht për liri dhe demokraci, duke dëshmuar fuqinë e Jetës, Paqes,  Pajtimit, të frymëzuar dhe motivuar me ideale për liri dhe pavarësi. Atëherë e kuptova edhe më mirë këtë të vërtetë: Zoti, është i përjetshëm, ndërsa Populli i vëllazëruar dhe bashkuar, është pathyeshëm.

 

NJERIU – për mua nuk është vetëm një emër, fytyrë, numër, por mbi të gjitha krijesa e Zotit, Atit tonë të përbashkët dhe të mirë, pra, si i tillë apo e tillë, edhe Motra apo Vëllai im. Kjo bindje, përcaktim, besim, fe në Zotin, më jep po ashtu bindje, përcaktim dhe orientim edhe për jetën dhe veprimtarinë time. Në disa raste apo rrethana “kritike”,  dua ta pranoj dhe rrëfej, nuk ishte lehtë ta njihnim Zotin – Dashurinë, edhe më vështirë ishte dhe është gjithnjë, ta pranojmë, duam, ndihmojmë,  Atë në  Vëllain apo Motrën – Njeri, siç ka vepruar dhe dëshmuar gjatë tërë jetës Nëna jonë Tereze. Kurrë në jetë s’i kam ndarë njerëzit në përkatësi kombëtare, fetare, gjinore, shoqërore, politike, kulturore, jetësore. Si rezultat i këtij botëkuptimi dhe përcaktimi, shpesh shumë të vështirë, por jo edhe të pamundshëm, me ndihmën e Zotit, jam shumë i lumtur që rrethohem gjithnjë me vëllezër dhe motra  “anonime” kudo, në botën shqiptare, por edhe jashtë saj.

FAMILJA – jonë shqiptare, dikur tradicionale, me një numër të madh dhe të përbashkët të anëtarëve, sipas traditës, nën një kulm dhe zot dhe zonjë shtëpie, pothuaj se është zhdukur. Për mua, ky model familjar, ka mbetur një kujtim i bukur, për disa çështje dhe përvoja, por edhe një rregullore e rreptë dhe e hekurt. Sot, familja jonë nuk është më si dikur, as që mund të jetë, por ngadalë shndërrohet  në familje nukleare apo bërthamore: burri, gruaja dhe fëmijët e tyre. Kjo mënyre jete dhe veprimi për ne është e vështirë, pasi që nuk kemi ende sa duhet një edukim të përqendruar në person, njeri, individ, por jemi “fryt” i një mentaliteti grumbullor, me këtë parim: si  gjithë  të tjerët. Dinamika e jetës dhe punës, ndërrimet rrënjësore të individit, familjes dhe shoqërisë, mërgimi në vende të ndryshme të botës, janë sfida dhe sprova të mëdha për ne si Popull, veçanërisht për familje dhe shoqëri.

Shpresa ime se do t’i përballojmë edhe këto batica dhe zbatica është kjo: dashuria për jetën e re, fëmijë, dhe kujdesi për pleqëri, edhe pse kjo në kushte tona deri diku është zbehur dhe dobësuar kjo traditë dhe botëkuptim.

 

SHOQËRIA –  e sotme ndër ne, por edhe në botë, është e përzier në shumë aspekte dhe dimensione, etnike, fetare, kulturore dhe politike. Kjo është një sfidë e madhe për të gjithë, që të jemi të aftësuar për bisedime, dialog dhe komunikime ndëretnike  dhe ndërfetare, në kërkim të së mirës së përbashkët, për krijimin e bashkimit në dallime. Ne si shqiptarë, jemi sadopak të “privilegjuar”në këtë lëmi, pasi që vazhdimisht jemi mësuar për dialog ndëretnik dhe ndërfetar. Marrëdhëniet mes të krishterëve dhe myslimanëve ndër ne, janë shumë specifike. Së pari jemi shqiptarë, ana kombëtare, pastaj jemi myslimanë apo të krishterë, ana fetare, gjë kjo që mbështetet jo vetëm në tolerancë, por edhe në vëllazëri të dyfishtë, kombëtare, si shqiptarë, dhe fetare, si monoteistë. Prandaj, feja mund dhe duhet ta begatojë këtë përvojë të dyfishtë me vlera te reja dhe virtyte të dalluara, për të dhënë një dëshmi bindëse para vetvetes dhe botës së sotme.

BAMIRËSIA – që mbështetet në traditën tonë të lashtë ilire, arbërore dhe shqiptare: “Bukë, kripë dhe zemër” dhe “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, gjë kjo që është dëshmuar gjithnjë, sidomos në vitet kritike 1989 – 1999, kur ne si shqiptarë ishim të anatemuar dhe përjashtuar nga puna, shkollimi, shëndetësia, rrezikonim gjithçka, edhe vetë jetën. Mu atëherë, erdhi në shprehje shpirti ynë i madh dhe bujar, bamirës: themeluam Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, që ishte “Sofra e përbashkët dhe vëllazërore” për  solidaritetin dhe shpëtimin tonë. Kështu e dhamë “pjesën më të mirë të vetvetes”, do të thoshte Nëna Tereze, mirësinë, bujarinë, dashurinë. Gjatë këtyre viteve kam përjetuar shumë ngjarje prekëse dhe domethënëse, që ishin përgatitja e “mrekullisë” së  Lirisë dhe Pavarësisë, lindjes së shtetit të Kosovës. Nëse duam dhe dimë, kjo “mrekulli” nuk është vetëm histori, por mund të jetë e tashmja dhe ardhmëria jonë. Për këto dhe shumë arsye tjera, unë jam gjithnjë e më shumë i dashuruar në Popullin tim (tonë) Shqiptar, në Shtetin tonë të Kosovës, sepse kam flijuar dhe dhuruar pjesën më të mirë dhe më të çmuar me këtë qëllim: që të jemi të lirë dhe të mirë, të lumtur./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »