Alfred Beka shpallet laureat i shpërblimit vjetor për letërsi

Mar 7 • Kulturë

Në një ceremoni solemne, të mbajtur ditë më parë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Kujtim Gashi ka bërë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimeve Vjetore për Letërsi.

Me këtë rast, çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” iu nda autorit Alfred Beka për veprën e përkthyer nga anglishtja ”Peizazh me rënien e Ikarit” të shkrimtarit amerikan William Carlos Williams. Kjo vepër është libri i parë me poezi i përkthyer në gjuhën shqipe i këtij autori amerikan. Sipas jurisë, poezitë e përkthyera të lënë përshtypje të madhe si për njohjen e thellë të gjuhës, si për ruajtjen e realitetit.
Me këtë rast, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se çmimet e ndara i ka cilësuar si një mirënjohje të institucioneve për punën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarëve dhe autorëve tanë dhe përkrahja e ministrisë konsiderohet edhe si një nxitje për rritjen e vlerave të mirëfillta artistike.

“Unë si ministër e vlerësoj lart ndarjen e këtyre çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore, ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijuesve të shkruajnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, tha ministri Gashi.

Libri “Peizazh me rënien e Ikarit” përmban mbi shtatëdhjetë poezi të zgjedhura të William Carlos Williamsit, të cilat mund të konsiderohen si poezitë më të mira, jo vetëm të tij, por bëjnë pjesë në antologjitë e poezisë amerikane.

Poezia dhe, në përgjithësi, krijimtaria e William Carlos Williamsit është vlerësuar jashtëzakonisht shumë nga shkrimtarë, kritikë dhe studiues të letërsisë, ndërsa autori i tyre konsiderohet si një prej poetëve më të mirë amerikanë të shekullit të kaluar.

Williams gjithmonë është njohur si një eksperimentues, novator dhe figurë revolucionare në poezinë amerikane. Ndryshe prej artistëve të kohës së tij, të cilët kërkuan një ambient të ri për të krijuar si emigrantë në Evropë, Williams jetoi një jetë jashtëzakonisht konvencionale. 

Duke ecur pas hapave të Poundit, Williams u bë një prej poetëve kryesorë të lëvizjes imazhiste, megjithëse me kalimin e kohës, ai filloi të ketë mospajtime në rritje me vlerat e vëna në veprat e Poundit dhe veçanërisht Eliotit, të cilët, sipas tij, ishin shumë të lidhur me kulturën dhe traditën evropiane. Duke vazhduar të eksperimentojë me teknikat e vargut dhe përvijimit, Williams kërkoi të shpikë një poetikë të re dhe tërësisht amerikane, subjekti i së cilës ishte i përqendruar në rrethanat e jetës së përditshme të njerëzve të zakonshëm.  

Alfred Beka u lind në vitin 1979 në Krushevë të Madhe, Klinë. Shkollë Fillore dhe atë të Mesme i kreu në Zllakuqan të Klinës, ndërsamë 2003 diplomoi në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës (Departamenti i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe). Karrierën e ka filluar si gazetar i kulturës në të përditshmen Express, më pas si redaktor i kulturës në të përditshmen Tribuna dhe si lektor në televizionin kombëtar Kohavision. Një kohë ka punuar edhe si mësimdhënës i gjuhës shqipe në Kolegjin Don Bosko në Gjilan. Aktualisht punon si lektor në Universitetin e Prishtinës. Në të njëjtën kohë është edhe redaktor në revistën letrare Jeta e Re, ku kontribuon edhe me përkthime. Ka përkthyer nga gjuha angleze disa libra, prej të cilëve vlen të përmenden “Në zemër të botës” me autore Nënë Terezën, i botuar në vitin 2015, si dhe “Peizazh me rënien e Ikarit” nga William Carlos Williams, i botuar më 2018./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »