Kosova merr pjesë në Kampionatin Europian në Futboll për Priftërinj Katolikë

Mar 7 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Kosova ka merr pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian në Futboll për Priftërinj Katolikë 2019, i cili sivjet është mbajtur në Mal të Zi, përkatësisht në Tivar dhe në Ulqin. Trembëdhjetë meshtarët e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë kanë qenë lojtarët që kanë përfaqësuar Kosovën në kampionatin e 13-të me radhë, të cilët zunë vendin e 7 në mesin e 17 ekipeve pjesëmarrëse.

 

Kampionati Europain i Priftërinjve Katolikë është një ngjarje e Kishës Katolike në Europë, i cila ka filluar para 13 vjetëve, i zhvilluar në disa vende të shteteve euripiane, me qëllim të njohjes dhe bashkëndarjes së përvojave të Kishave Katolike në Evropë nëpërmjet kulturës së lojës dhe sportit. Ditët e këtij kampionati janë paramenduar të jenë një përvojë e bukur vëllazërore e meshtarëve, kryesisht të rinj, të cilët përmes sportit dhe lojës, vizitave të vendeve shpirtërore dhe kulturore, shprehin shpirtin e bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit. Motoja e sivjetme e kampionatit ishte fjala e urtë latine: “Mens sana in corpore sana”, e cila tregon qëllimin e kësaj veprimtarie, pasi se mendja e shëndosh, duhet të banojë në një trup të shëndosh.

Këtë vit kampionati është zhvilluar nën patronatin e Argjipeshkvisë së Tivarit dhe Ipeshkvisë së Kotorrit, prej 25 shkurt – 1 mars 2019, në qytetin e Ulqinit dhe Tivarit. Pjesëmarrëse të këtij turneu ishin 17 shtete të Europës, gjithsejtë 260 meshtarë, ndër të cilat ishte edhe Kosova.

Formati i Kampionatit paraprakisht ishte i ndarë në katër grupe A, B, C. S. Ditën e martë, më 26 shkurt, janë zhvilluar ndeshjet e grupeve dhe të çerekfinales. Ndërsa me 27 mars ishte ditë relaksimi – shëtitje e përbashkët në vende të ndryshme të Malit të Zi. Më 28 shkurt ishin ndeshjet gjysmëfinale dhe finale, si dhe ndeshjet për vende tjera.

Trembëdhjetë priftërinjtë e Dioqezës Prizren-Prishtinë, ishin pjesëmarrës për herë të parë në një ngjarje të këtillë, të udhëhequr nga trajneri Luigj Buqaj dhe asistenti Lek Qupi. Priftërinjtë nga Kosova ishin në grupin D, me Shqipërinë, Austrinë, Sllovakinë dhe Serbinë.

Kosova në fazën e grupeve arriti rezultate të mira, duke u radhitur si lidere në grup: Kosova 3:0 Shqipëria; Kosova 4:1 Austria; Kosova 4:0 Serbia; Kosova 1:1 Sllovakia. Ndërsa në çerekfinale nuk arriti të kaloj pasi pësoi humbje nga Kroacia (2:0). Kosova pas kësaj humbje, kishte mundësinë edhe njëherë të vazhdonte për vendin e pestë, por edhe kësaj herë e pësoi humbjen nga Sllovaki (3:1). Mundësia e fundit ishte për vendin e shtatë dhe e fitoi atë ndaj Hungarisë (3:0).

Duhet të theksohet që priftërinjtë tanë nga Kosova zhvilluan futboll të bukur dhe atraktiv, treguan respekt dhe kulturë, që u vlerësua prej të gjitha ekipeve pjesëmarrëse dhe organizatorit. Ata ishin befasia e këtij kampionati, pasi për herë të parë që merrnin pjesë treguan kualitet dhe arritën sukses të lartë. Edhe pse u renditën në vendin e shtatë, u vlerësuan ndër ekipet më me kualitet në kampionat.

Këtë vlerësim e vërtetoi edhe ndarja e çmimit për lojtarin më të mirë të Kampionatit 2019, i cili iu nda Don Marjan Topallit, meshtarit më të ri të ekipit të Kosovës.

Kampionati Europian i radhës në vitin 2020, i 14-të,  do të zhvillohet në Çeki. Kosova do të vazhdo të merr pjesë me shumë përkushtim. Shpresojmë që meshtarët tanë gjithnjë e më shumë do të tregojnë cilësi dhe kulturë sportive në mesin e bashkëvëllezërve të kontinentit europian./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »