A mos jam “i krishterë i mirë” – pa vepra?

Mar 8 • Meditimi i ditës

8 mars 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 58,1-9a; Ps 51,3-6a.18-19; Mt 9,14-15)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit aq më shumë e ndjejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma kujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Çfarë jam duke dëgjuar?
Dëgjoje tekstin me mend e zemër.


 

Is 58,1-9a

 

1 Bërtit me zë të lartë e mos pusho,

porsi bori lartësoje zërin tënd!

Shpallja popullit tim fajet e tij,

shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.

2 Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë

dhe dëshirojnë t’i njohin udhët e mia,

porsi populli që vepron drejtësinë

që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet.

Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë,

dëshirojnë të jenë afër Hyjit.

3 “Pse të agjërojmë, kur ti nuk na shikon,

pse ta përulim shpirtin tonë, nëse ti s’e di?”

Ja, në ditën e agjërimit tuaj ju gjeni punë

dhe i mbytni në punë të gjithë punëtorët tuaj.

4 Ja, ju njinoni për t’u fjalosur e grindur,

e rraheni me grushte si të patenzonë.

Mos agjëroni më si sot,

nëse doni të dëgjohet zëri juaj këtu lart.

5 Pse, a i tillë është agjërimi që unë zgjodha,

dita kur njeriu bën vetëmohim?

Të ulësh porsi zunkthi kokën tënde,

të shtrosh grathore edhe hi?

A thua këtë do ta quash agjërim

e ditë që i pëlqen Zotit?

6 Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha:

t’i këputësh verigat e padrejtësisë,

t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës,

t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit,

të copëtosh çdo zgjedhë?

7 A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin,

t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët?

Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe

dhe mos e përbuz farefisin tënd.

8 Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote,

shërimi yt do të vijë më shpejt;

para teje do të ecë drejtësia jote

e do të të përcjellë lavdia e Zotit.

9 Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë,

do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”


 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Leximi i sotëm është një grusht i fortë. Hyji nuk ka kohë për gjeste dhe qëndrime të zbrazëta. Edhe agjërimi nuk vlen asgjë nëse nuk mbështetet nga veprimi, me përpjekje konkrete për ta drejtuar atë që është e gabuar në botë. A ka ndonjë pjesë time të vogël që përpiqet të projektojë imazhin e të qenit një “i/e krishterë i mirë”, por që largohet për të bërë diçka për të ndihmuar të tjerët dhe për t`i bërë duart e mia të pista?
  • T`i lirosh të burgosurit, t`i ushqesh të uriturit, t`i strehosh dhe t`i veshësh të varfrit … A e njoh unë ndokënd që është i/e burgosur? – qoftë në burg, apo të mbajtur në robëri nga rrethanat? A i njoh njerëzit që vuajnë nga sëmundja apo dobësia, nga uria apo nga varfëria?
  • Nuk është e vështirë të gjesh shembuj të varfërisë, vuajtjes dhe padrejtësisë në botë sot. Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin e shkrimit të shenjtë, përpiqu ta kujtosh se ku i sheh këto gjëra në jetën tënde.

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Zotin për njerëzit që i njeh, që vuajnë në çfarëdo mënyre. Ndoshta ndihesh i/e pafuqishëm/e për të ndihmuar. Kërkoji Zotit të qëndrojë me ty, ndërsa e bën një hap të vogël sot për ta bërë jetën e dikujt pak më të mirë.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Më ndihmo, o Zot, t`i kaloj disa momente çdo ditë duke i lejuar gëzimit tënd që ta mbush zemrën time. Më mëso të kaloj ca kohë edhe duke mbajtur zi me ty, sepse gëzimi për shumë vetë është humbur.

Çdo agjërim na kujton se Zoti i çdo gëzimi vuan në popullin e tij, ndoshta në njerëzit që janë afër nesh. Lutjana sjell më afër të tjerëve dhe më afër Zotit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »