Faleminderit  Grua

Mar 8 • Këndvështrime, Kulturë

Nga Papa Gjon Pali II

 

Faleminderit ty, o Grua Nënë,

që bëhesh kraharor i qenies njerëzore,

në përvojën unike të gëzimet e dhimbjes së lindjes,

që bëhesh buzëqeshje e Zotit për foshnjën që vjen në botë,

që bëhesh guidë e hapave të tij të parë,

që bëhesh mbështetje e rritjes së tij,

që bëhesh pikë referimi në rrugën e jetës së tij.

 

Faleminderit ty, o Grua Bashkëshorte,

që bashkon përgjithmonë fatin tënd me të burrit,

në një marrëdhënie të dhurimit reciprok

në shërbim të bashkimit e të jetës.

 

Faleminderit ty,  o Grua Bijë e Motër,

që në vatrën e shtëpisë

e në ndërligjshmërinë e jetës shoqërore

bartë thesaret e sensualitetit tënd,

intuitën tënde,

zemërgjerësinë tënde,

besimin tënd.

 

Faleminderit ty,  o Grua Punëtore,

e angazhuar në të gjitha poret e jetës shoqërore,

ekonomike, kulturore, artistike, politike.

Për kontributin e paçmueshëm që jep

në krijimin e një kulture

të aftë të bashkojë arsyen dhe ndjenjën.

Për një koncept të jetës

i hapur përherë ndaj ndjeshmërisë së “misterit”.

Për ndërtimin e strukturave ekonomike dhe politike

më me shumë njerëzi.

 

Faleminderit ty,  o Grua e Kushtuar,

që sipas shembullit të më të madhes mbi të gjitha gratë,

Nënës së Jezu Krishtit, Fjalës së mishëruar,

dhurohesh me butësi e besnikëri ndaj dashurisë së Zotit,

duke e ndihmuar Kishën dhe mbarë njerëzimin

për të jetuar  një raport “nusërie” në takim me Zotin,

që shpreh mrekullisht bashkimin që Ai do me e ndërtue me krijesën e vetë.

 

Faleminderit ty, o Grua

për vetë faktin që je grua!

Me natyrën e veçantë të feminitetit tënd

 ti e pasuron të kuptuemit e botës

dhe ndihmon të bëhen autentike

marrëdhëniet njerëzore.

 

(Nga Papa Gjon Pali II, Letra dërguar grave, Libreria Editrice Vatican, Qyteti i Vatikanit 1996, nr. 2. Përktheu: Don Fatmir Koliqi)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »