Porosia e Imzot Dodë Gjergjit për Kreshmët 2019

Mar 8 • Editorial, Kisha në Kosovë

Meshtarëve,

rregulltarëve e rregulltareve,

vëllezërve në fe!

 

Fort të dashur në Krishtin Shpëtimtar,

sot, po fillojmë përvojën e përvjetshme kreshmore, në mënyrë që ta përgatitim vetën e kishën, për të kremtuar shenjtërisht dhe me plotë gëzim shpirtëror festën e madhe të Pashkëve.

Që të jetojmë shenjtërisht këtë kohë të shenjtë, ju ftoj të gjithëve që ta përkryejmë lutjen, të rrisim intensitetin e agjërimit dhe të jemi më zemërbardhë e më dorëlëshuar. “Lutja na lidh përsëri me Zotin! Bamirësia me të afërmin. Agjërimi, me vetveten! Zoti, vëllezërit, jeta ime: ja realitetet, që nuk mbarojnë kurrë” (Papa Francesku).

Eh, sa kemi nevojë për këtë kohë të Shenjtë të Kreshmëve, për t’u rimbushë me hiret hyjnore, si ne vetë kleri, ashtu edhe besimtarët. Por, pse jo, edhe çdo njeri vullnetmirë, që e do të mirën dhe e kërkon të vërtetën. Sepse, të gjithë së bashku jemi të detyruar:

  • të bartim barrën e jetës, përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve, nevojën e përparimit familjar, angazhimin për përgatitjen profesionale dhe detyrën për të dhanë kontribut shoqëror;
  • të jetojmë në këtë kohë të “kontaminuar” nga mëkati, që rrënon jetët e individit, shkatërron familjet, shpërbënë miqësitë, prishë harmonin ndërfetare ose rrënon të ardhmen e vendit;
  • të përzgjedhim të nevojshmen, të mirën, të bukurën, të vërtetën dhe humanen, në këtë kohë të mbushur me “fake” lajme, oferta, dëshmi, premtime. Po edhe të rrethuar me lajkatarë që s’mbajnë kurrfarë përgjegjësie, as për fjalën e dhënë as për Besën e shkelur;
  • të durojmë papërgjegjshmërinë e shoqërisë politike, korrupsionin e përgjegjësve institucional, lakminë e punonjësve buxhetorë për të zhvatë sa ma shumë nga mundësitë e vogla që ka vendi dhe ata që na shajnë, në sulmojnë na përqeshin ose përvetësojnë të mirat e të tjerëve për të siguruar supermaci ndaj të tjerëve.

Gjithë ky realitet i brishtë, në të cilin duhet të jetojmë denjësisht, përshpirtërisht dhe shenjtërisht, kërkon nevojën urgjente për kthim, shërim dhe përtëritje. Këndej, shumë i nderuari Imzot Lucjan Avgustini, në porosinë e tij të Pashkëve (2015) pyeste: “Ç’duhet të bëjmë për të mos u thithur (absorbuar) nga kjo spirale frike e pafuqie?” Dhe jepte përgjigje klithmën e Shën Jakobit: “Forconi zemrat tuaja!” (Jak 5, 8). Sa do të dëshiroja që famullitë dhe bashkësitë tona regulltare, të bëhen ishuj mëshire në mesin e një deti indiference!

Ju siguroj që gjatë gjithë kësaj kohe reflektimi, meditimi, lutjeje, agjërimi, si investim i thesarit shpirtëror për shërimin e zemrës, do t’i kërkojë Zotit, Hyjit tonë, që të na jep guximin e të Ringjallurit dhe ngushëllimin e Shpirtit shenjtërues, që gjatë këtyre javëve të Kreshmëve të arrijmë t’i forcojmë zemrat, në mënyrë që të mund të përballojmë gjitha situatat e jetës e të shkëlqejmë në dashuri e shenjtëri.

Me dashurin e Bariut të Mirë, ju kërkoj, sidomos ju meshtarëve dhe rregulltarëve, që lutjet tuaja të jenë të sinqerta, të përditshme, gjithëpërfshirëse e sidomos të burojnë nga zemra që beson, sepse lutja është eksperienca më e vjetër e përjetimit të fesë.

Sikur kam theksuar më lartë, agjërimi është mjet shërimi dhe ripërtëritjeje për secilin prej nesh. Këndej, është mirë që të agjërohet në format e trashëguara të përvojës tonë në fe. Por sot, për shërimin tonë, nevojitet të agjërojmë nga shumë gjëra që na brejnë shpirtin, prishin paqen mes nesh ose na shndërrojnë në përngjasim të botës. Prandaj, e ftoj secilin prej nesh, të agjërojmë nga hipokrizia, dyfytyrësa dhe shtirja, sepse vetëm kështu do të mund të njohim të vërtetën dhe do të kem mundësi t’i zbulojmë mangësitë tona përballë përgjegjësive të dashurisë. Të agjërojmë nga paragjykimet ose gjykimet, duke u shëruar dhe vetëdijesuar se rruga e shërimit tonë është pendimi, kthimi dhe falja. Mbi gjitha, lypet të agjërojmë nga thashethemet, që janë bërë mjetë rrënues i dashurisë mes nesh. Thashethemet aq shumë shporojnë zemrat tona sa që në to s’mund të rijë e vërteta.

Nëse, në të vërtetë, do të arrijmë të përjetojmë këto dyja, duke përtëri fenë nëpërmjet uratës dhe vetveten nëpërmjet agjërimit, atëherë do të na përfshijë dashuria, e cila vetvetiu na bën të ndiejmë dhimbjen dhe trishtimin e të tjerëve, na bënë më zemërgjerë dhe më bujarë. Po edhe më fisnikë në të gjitha dimensionet e tjera të jetës.

Shpresoj shumë që duke ecur së bashku me Krishtin, gjatë këtyre ditëve kreshmore, do të arrijmë të përtërihemi të gjithë, që të kemi mundësi të përjetojmë për së afërmi dashurinë në përtëritjen tonë shpirtërore si dhe në takimin dioqezën me të rinjtë, në Vigjiljen e Dieles së Larit në Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës në Prishitnë.

I Juaji bari dhe shërbëtor në Krishtin!

                                                                                                                                                                            +Dodë Gjergji

                                                                                    Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »