Shugurohet diakon Don Nikollë Spaqi në Prishtinë

Mar 8 • Kisha në Kosovë

Kisha jonë në Kosovë, të shtunën, më 2 mars 2019, ka pasur festë dioqezave me rastin e shugurimit diakonal të Don Nikollë Spaqi, në Shenjtëroren Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ku u kremtua mesha solemne e shugurimit, e prirë nga bariu i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, meshtarë të dioqezës dhe besimtarëve nga famullitë tona.    

Gjatë homelisë së tij, Imzot Dodë Gjergji, tu e falënderua Zotin për këtë thirrje në Kishën tonë, prindërit dhe familjen e diakonit të ri, e ftoj të gjithë kishën të lutet për këtë të zgjedhur që të udhëhiqet prej Shpirtit të Zotit për ta kryer shërbesën e diakonatit.

Ipeshkvi në fillim të homelisë së tij kujtoj pjesëmarrjen e meshtarëve të Ipeshkvisë sonë në kampionat evropian të futbollit për meshtarë, duke e ndërlidhur me jetën si një lojë që duhet luajtur me nderë dhe me qëllim të qartë. Edhe jeta jonë është sikur një lojë dhe një vrapim për të fituar “kupën”, të cilën e marrin vetëm ata që dinë, përgatiten dhe zgjedhin për të luftuar për të. Ishte një hyrje kontekstuale e ipeshkvit për të thënë  se sot  “Don Nikollës ia japim kupën e më të mirit nga të rinjtë e kësaj kohe, sepse ka pasur guximin t’i lërë të gjitha për të zgjedhur pasurinë e shpirtit, e ka dëshiruar atë dhe sot para nesh thotë: PO dua.”

E duke iu referuar ungjillit të meshës, Imzoti u ndal te rëndësia e kushtimit që diakoni i ri ka bërë: “Nikolla ka zgjedh të kushtojë vetveten Atij dhe ne e dimë sa e vështirë është kjo, siç e dëgjuam djaloshin pasanik të ungjillit, i cili i trishtuar u lagua. Sot, ky i ri ka lënë pasuritë e tija, jetën e tij në Zvicër, ku ka mundur të ketë një jetë të begatë e me pasuri, dhe me guxim ka vendos të shërbejë në Kishën e tij në Kosovë. Ky është një shembull i mirë për të rinjtë tanë (sidomos për ata që zgjedhin pasuritë e kësaj toke, ata që dëshirojnë të dalin jashtë vendit duke menduar se do ta gjejnë lumturinë)” – ishin fjalët e ipeshkvit.

Shërbesa e Diakonatit në Kishë i ka tri shtylla të shërbimit, të cilat i përmendi imzoti: 1. shpallja e ungjillit dhe shërbimi në altar; 2. bamirësia (dashuria vepruese ndaj atyre që kanë nevojë); 3. shërbyes i sakramenteve të Kishës.

Mesha ishte e animuar me këngët e korit të Famullisë së Pejës, të cilët i dhanë shije të bukur krejt kësaj liturgjie solemne.

Në mbarim të meshës një vajzë e re e recitoi një poezi, që e kishte shkruar enkas për shugurim dhe pastaj diakoni i ri iu drejtua të gjithëve me një fjalim, ku përshëndeti dhe falënderoi të gjithë njerëzit që e kishin ndihmuar që të arrinte deri te ky çast i shenjtë e tejet i rëndësishëm për te.

Pas meshës të gjithë të pranishmit, meshtarë, seminaristë, murgesha, të rinj e të reja, familjarë të diakonit të ri, vazhduan festën në Qendrën BogdaniPolis, që gjendet në ambientet nën Katedrale

 

Kush është Don Nikolla Spaqi?

Don Nikollë Spaqi, ka lindur më 23/10/1980 në Qerim të Gjakovës, nga prindërit Pjetër dhe Drane Spaqi. Shkollën Fillore e ka kryer në vendlindje. Pasi përfundon shkollën fillore hyn në Seminarin e vogël në Prizren, ku e kryen shkollën e mesme. Fakultetin filozofik-teologjik dhe master në shkencat filozofike dhe teologia e religjioneve i kryen në Lugano të Zvicrës. Pas një shkëputje për shkaqe objektive, kthehet në Dioqezë dhe për një vjet e bëbë përvojën pastorale në Prishtinë, pranë Oridnariatit dhe Famullisë së Prishtinës. Shugurohet diakon, më 2 mars 2019, në Shenjtëroren Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »