Shkrimi  i Shenjtë thotë: Adhuro vetëm Zotin, Hyjin tënd…

Mar 9 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela I e Kreshmëve (C)

 

Leximi i parë   Lp 26, 4-10

Moisiu i kërkon popullit të Izraelit t’ia shugurojë me një rit të përhershëm frytet e para të tokës Hyjit të vet, i cili i ka çliruar nga skllavëria e Egjiptit për t’i drejtuar drejt tokës së premtuar. Besimtari hebre, para se fryti i lodhjes së tij të arrijë mbi tryezë, ia paraqet Hyjit në falënderim, sepse Hyji është pronari i vetëm që nuk jeton nga puna e të tjerëve.

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu i foli popullit dhe tha: “Atëherë prifti do ta marrë kaçilen prej dorës sate e do ta vërë para lterit të Zotit, Hyjit tënd. Ti atëherë fol në praninë e Zotit, Hyjit tënd, e thuaj: ‘Im atë ishte një sirian endacak. Ai zbriti në Egjipt me pak njerëz dhe atje jetoi në dhe të huaj. U shtua e u bë popull i madh, i fortë e një shumicë pa masë. Por egjiptianët na morën me të keq, na përndoqën dhe na bënë skllevër të mjerë. Atëherë ne lëshuam britmë drejt Zotit, Hyjit të etërve tanë. Ai na dëgjoi; e pa përvujtërimin tonë, mundin e të vështirat tona, dhe na nxori Zoti prej Egjiptit me dorën e vet të fuqishme e krahun e tendur, me tmerr të madh e me shenja e me mrekulli, na pruri në këtë vend e na e dha trashëgim këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë. Dhe, ja, tani, o Zot, i solla frytet e para të tokës që ti ma dhe.’ Atëherë vëri para Zotit, Hyjit tënd, dhe adhuroje Zotin, Hyjin tënd.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 91

 

Ref: Rri me ne, o Zot, në kohën e tundimit

———————————————–

Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit,

do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.

Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im,

kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në ty.”

———————————————–

E keqja nuk do të të gjejë,

dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:

sepse engjëjve të vet urdhër u dha

që të ruajnë në të gjitha udhët e tua.

———————————————–

Do të mbartin para duarsh

që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.

Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec,

do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.

———————————————–

Do ta shpëtoj sepse më do,

do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.

Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj,

në vështirësi do të jem me të,

do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.

———————————————–

 

Leximi i dytë   Rom 10, 8-13

Në një marrëveshje besëlidhjeje, të dy palët duhet të mund të besojnë te njëri-tjetri. Kjo është edhe sjellja e besimtarit: një besim i plotë në besnikërinë e Hyjit. Ai nuk ka parë Jezusin e ringjallur, por beson në Të.  Të dëshmosh besimin do të thotë të jetosh që tani miqësinë me Hyjin, shpëtimin, që u ofrohet të gjithë njerëzve pa dallime mes hebrenjve dhe paganëve.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, çka thotë Shkrimi shenjt: ‘Afër e ke fjalën, në gojën tënde dhe në zemrën tënde’. Domethënë fjalën e fesë që ne predikojmë. Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë. Sepse, Shkrimi shenjt thotë: ‘Kush beson ne Të nuk do të turpërohet.’ Kështu, pra, nuk ka dallim midis hebreut e grekut; të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur ndaj atyre që e thërrasin në ndihmë. Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’ Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,  por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Lk 4, 1-13

Në luftën që Jezusi zhvillon kundër djallit, i krishteri rigjen dramën e tij personale. Në shkretëtirë Izraeli duhej të bënte një zgjidhje: fjalën e Hyjit apo sigurinë politike dhe ekonomike? Hyjin apo idhujt? Jezusi e bën të tijën këtë mënyrë të të parit të gjërave, duke pohuar kështu se në ç’mënyrë Ai dëshiron të jetë “bir” i Hyjit. Të tundohesh nuk do të thotë vetëm të zotërohesh nga e keqja, por të jesh i shtrënguar për një vendim: ose sigurinë e një jete tokësore, ose besimin e plotë në Hyjin pa ditur se ku do të të çojë.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkreti, ku, për dyzet ditë, e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, pati uri. Atëherë djalli i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroj këtij guri të bëhet bukë.” Jezusi i përgjigji: “Thotë Shkrimi shenjt: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë’.” Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, e i tha: “Ty do ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua, dhe unë ia jap kujt të dua. Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.” Jezusi i përgjigji: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm atij shërbej’!” Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të ruajnë’, dhe ‘do të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur’.” Jezusi i përgjigji: “Por u tha edhe: ‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd’!” Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çdo njeri është i tërhequr nga e keqja, domethënë është tunduar nga një Forcë më e fuqishme se ai për të ndjekur tërheqjet e tij. Jemi tunduar vazhdimisht t’i kthejmë kurrizin Hyjit për t’u mbizotëruar nga ajo që nuk është Hyj e nuk mund të na japë lumturi e shpëtim.

Sot Jezusi është në shkretëtirë e vuan sulmin e djallit, por fiton mbi të e mbi të gjitha sugjerimet e tij. Djalli kërkon të largojë Jezusin prej Hyjit, ta bëjë të mohojë marrëdhënien e tij bijësore me Atin.

Nëse je Biri i Hyjit”, përdore fuqinë që zotëron për të kënaqur nevojat e tua jetësore e, për të zgjidhur problemet ekonomike të njerëzimit, pa u varur nga Ati yt. Por Jezusi i dorëzohet Atit, duke kujtuar që ushqimi i tij është Fjala e Hyjit.

Në tundimin e dytë djalli i ofron Jezusit zotërimin ekonomik dhe politik të botës, me një kusht: të adhurojë atë në vend të Hyjit. Por Jezusi reagon me forcë: “Është e shkruar: Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm atij shërbeji”.

Tundimi i fundit: “Nëse je Biri i Hyjit”, përdore fuqinë tënde për të kryer mrekulli spektakolare me të cilat do të mund të pushtosh popujt. “Hidhu poshtë…”, duke treguar kështu besimin tënd në Hyjin. Kjo nuk është të besosh në Atin, por të vësh Hyjin në provë. “Mos e tundo Zotin Hyjin tënd”.

Jezusi shfaqet Biri i vërtetë i Hyjit që ka zgjedhur të jetojë në bindje e në përvujtëri duke besuar vetëm në Të, deri në dhurimin e vetvetes mbi kryq, duke refuzuar tundimin për të zbritur prej kryqit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Krezhma është për ne një moment i përshtatshëm i shpëtimit. Tani i kërkojmë Atit, nëpërmjet Krishtit, t’i përgjigjemi dashurisë së tij. Të lutemi së bashku e të themi:

Dëgjoji, o Zot, lutjet tona.

L. Bëj, o Zot, që të ndriçuar nga Shpirti Shenjt, të ndjejmë uri për Fjalën tënde më shumë se për ushqimin që tretet. Të lutemi.

L. Jepi Atit të shenjtë Fançeskut dhe bashkëpunëtorëve të tij dijen e Ungjillit për të udhëhequr në këtë ecje kreshmësh Kishën tënde të shenjtë. Të lutemi.

L. Shikoji popujt e shtypur nga zia e bukës dhe luftërat: bëj që popujt e pasur të mirëpresin emigrantët, duke respektuar dinjitetin e tyre si bij të Zotit. Të lutemi.

L. Na jep hirin të qëndrojmë të bashkuar rreth Krishtit për të bashkëndarë fitoren e tij mbi mëkatin dhe vdekjen. Të lutemi.

M. O Zot, që na ofron përsëri një kohë të përshtatshme për të zbuluar kuptimin e vërtetë të jetës e të pajtohemi me ty dhe me vëllezërit, bëj që të gjithë së bashku, në gjurmët e Jezusit, të ecim çdo ditë drejt gëzimit të Pashkëve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »