Lutja e hap zemrën për gjëra të mira që vijnë nga Zoti

Mar 14 • Meditimi i ditës

14 mars 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Est 4,17k-m.r-t; Ps 138,1-3.7c-8; Mt 7,7-12)

 

Prania e Hyjit
“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

E lus Zotin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat vetjake,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë Tënde.

Më mëso ta njoh praninë Tënde në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet kujdesit të njerëzve të tjerë e ke treguar dashurinë Tënde ndaj meje.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo, dëgjo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.


Est 4,17n-17hh

 

17n Po ashtu edhe mbretëresha Ester kërkoi strehim te Zoti prej frikës së rrezikut të vdekjes që i kërcënohej. 17o Si i hoqi petkat e lumturisë, veshi petkat e zisë e në vend të erërave të kënaqësisë krenare, e mbuloi kokën me pluhur e trupin e përuli me agjërime të mëdha. 17p Ra përtokë, me fytyrë përdhe bashkë me shërbëtoret e veta, prej mëngjesit e deri në mbrëmje duke u lutur:

17q “I bekuar je,

O Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut e Hyji i Jakobit!

Ma dëgjo lutjen mua, që jam qyqevetëm,

e që nuk kam tjetër Mbrojtës përveç teje, o Zot,

17r sepse vetë veten po e vë në rrezik.

17s Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se ti e shpëtove Noehin nga ujërat e përmbytjes.

17t Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se Abrahamit ndër treqind e tetëmbëdhjetë burra ia

lëshove në dorë edhe nëntë mbretër.

17u Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se Jonën e shpëtove nga barku i përbindshit.

17v Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se ti i shpëtove nga furra e zjarrit

Ananinë, Azarinë e Misaelin.

17x Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se ti e nxore shëndosh e mirë Danielin nga shpella e luanëve.

17y Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se Ezekinë, mbretin e judenjve,

të dënuar me vdekje, por që t’u lut, e përdëllove

dhe i dhurove edhe pesëmbëdhjetë vjet jetë.

17z Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se Anës, që t’u lut me gjithë shpirt,

ia dhe fatin e bardhë t’i lindë djalë.

17aa Unë mësova prej librave të të parëve të mi, o Zot,

se ti i shpëton të gjithë ata që ty të pëlqejnë

njëherë e përgjithmonë.

17bb E tani më ndihmo edhe mua që kam mbetur qyqevetëm,

e që s’kam askënd tjetër përveç Teje,

o Zot, Hyji im.

17cc Ti e di se shërbëtorja jote

e ka urryer shtratin me të parrethprerët.

17dd Ti e di, o Hyj,

se nuk kam ngrënë nga tryeza e mallkuar

dhe se nuk kam pirë verën e njomjeve të tyre.

17ee Ti e di

se nga dita e lartësimit tim

nuk kam pasur tjetër gëzim, o Zot,

përveç Teje.

17ff Ti e di, o Hyj,

se edhe këtë petk që ma rrethon kokën time

e urrej porsi rreckën e larjes mujore

dhe s’e veshi në ato ditë që më përkasin vetëm mua.

17gg E tani, ndihmoi bonjakes sate:

vëre në gojën time fjalën e përshtatshme për luanin,

më bëj të hirshme përpara tij,

shndërroje zemrën e tij ta urrejë shtypësin tonë,

për shfarosjen të atij e të atyre që mendojnë si ai.

17hh Na çliro nga dora e armiqve tanë;

shndërroje vajin tonë në gëzim,

dhembjet tona në shëndet.


Çka po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Ester ndodhet në një botë të çrregullt dhe të dhunshme të politikës së pushtetit. Ajo dëshiron të parandalojë një gjenocid të popullit të saj, çifutëve, nëpërmjet një fuqie të huaj. E vetëdijshme për kufizimet e saja dhe e frikësuar, ajo bën tri gjëra të rëndësishme: Ajo ia tregon Hyjit se çfarë po ndodhte brenda dhe rreth saj. Ajo më pas ia kujton vetes se kush është me të vërtetë Hyji. Pastaj ajo kërkon ndihmën e Hyjit. Pra, si qëndron puna me ty? Cila është gjendja jote jetësore në këtë moment, brenda dhe jashtë?
  • Kush është Zoti yt? Si do të duhej ky Zot të të ndihmojë?
  • Dëgjoje përsëri dhe vëreje formën e lutjes së Esterit, çfarë të lë mbresa sidomos kur e dëgjon.

 

Bashkëbisedimi
Përkrahur nga lutja e saj dhe lutjet e popullit të saj, Estera së shpejti do të hyjë në grindje dhe do të bëjë atë që ajo mundet për të ndihmuar. Çfarë të duhet për t’u lutur? Dhe çfarë të duhet të bësh? Kaloji ca momente në fund të kësaj kohe lutjeje duke biseduar me Zotin për këtë.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Lutja kurrë s`është e kotë. Gjërat e mira ndodhinnë lutje,ndoshta edhe jo ato për të cilat dikush lutet. Lutja e hap zemrënpër gjëra të mira që vijnë nga Zoti.

Ji mirënjohës/e në fund të lutjes për kohën që e ke kaluar me Zotin e të gjitha të mirave. Koha e lutjes është gjithmonë kohëproduktive që na bën njerëz të një dashuriemë të madhe. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »