Çfarë duhet të dijë çdo katolik për Kreshmët

Mar 15 • Këndvështrime

Të mërkurën, më 6 mars, kemi hyrë në kohën e shenjtë të kreshmëve që përgatit katolikët për festimin e Pashkëve (këtë vit 21 prill), e cila është kulmi i Vitit Liturgjik dhe i jetës së krishterë. Kreshmët fillojnë të Mërkurën e Përhime dhe zgjasin deri të Enjten e Madhe, me meshën e Darkës së Zotit (In Cena Domini), kur niset Treditëshi Pashkëvor. Por, a i dimë cilat janë gjërat më kryesore që e karakterizojnë këtë kohë të shenjtë, siç e thotë Shën Pali, një kohë e volitshme për secilin për të bërë një ecje drejt kthimit personal, për të përballur fuqishëm me armë pendese e lutje pritat e djallit. Ky shkrim sjell disa nga gjërat më të rëndësishme që duhet të dijë çdo katolik për të kuptuar e përjetuar përnjëmend kreshmët.

 

 

  1. EMRI

Emri Kreshme/Kreshmë vjen nga gjuha latine quadragesima (katërdhjetëditorja). Nga fjala latine kanë rrënjët edhe emërtimet në gjuhët moderne: italisht – Quaresima; frëngjisht – Carem; gjermanisht: Fastenzeit; anglisht – Lent.

Fjala Kreshme për herë të parë përmendet te Eusebi i Çezaresë (v. 265-340).

 

  1. KUPTIMI dhe PËRMBAJTJA

Kuptimin dhe përmbajtjen e kreshmëve në mënyrë përmbajtjesore mund ta përshkruajmë kështu: Kreshmët janë kohë e shenjtë liturgjike, e cila i paraprinë dhe përgatit për kremtimin e festës Pashkës. Është kohë e dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe kthimit, përgatitjes për pagëzimin e të rriturve (katekumenët), e pajtimit me Zotin dhe me vëllezër dhe motra, kohë e shpeshtimit, nxitjes për pendesën e krishterë me lutje, agjërim dhe vepra të bamirësisë (lëmosha).

Për kohën e kreshmëve, si kohë e volitshme hiri, na flet edhe Koncili II i Vatikanit, duke na treguar kuptimin e dyfishtë të saj: përgatitja për pagëzimin e të rriturve dhe pendesën, të cilat e përgatisin besimtarin, nëpërmjet dëgjimit të kujdesshëm të Fjalës së Zotit dhe lutjes, për të përjetuar misteret më të mëdha të Pashkëve (khs. SC 109).

Dimensioni pagëzimor, nuk është vetëm një ecje në katekumenat i të papagëzuarve për t’u pagëzuar në Vigjilje të Pashkës, por përgatitje edhe e gjithë bashkësisë së të pagëzuarve (Famullisë dhe Ipeshkvisë) për ta kremtuar pagëzimin e tyre në natën e  madhe të Pashkës.

Dimensioni pendestar jetësohet si ecje kreshmore përmes ninesës, lutjes dhe veprave të bamirësisë, duke e praktikuar edhe sakramentin e rrëfimit, si një takim personal pendestar përballë mëshirës së Atit, që shtegtari (besimtari) e bën gjatë kësaj kohë të shenjtë.

Papa Benedikti XVI na kujton se realizimin e të qenurit i krishterë mund ta arrish vetëm kur gjithnjë e përsëri bëhesh i krishterë, sepse kjo qenësi asnjëherë s’është një proces i kryer (që mos të jetë vetëm një histori e shkuar), por gjithnjë e kërkon një ushtrim të ri, një shtegtim që nuk mbaron, me përjetime të reja që e rrisin dhe e pjekin qenien e krishterë.

 

  1. HISTORIA

Tradita e Kishës, që nga fillimet e saja, e ka praktikuar parapërgatitjen për festën e Pashkës. Ajo ka qenë në kohëzgjatje të ndryshme: herë dy apo tri ditë, herë disa javë, e herë 40 ditë. Për këto praktika në kishën e hershme na flet Shën Ireneu në shek. II, në një letër që i shkruan Papës. Për të njëjtën praktikë mësojmë edhe nga dëshmia e Hipolitit Romak në shek. III.

Këto dëshmi na tregojnë se këtë praktikë të krishterët e kanë trashëguar nga të parët e tyre, që na dërgon te përfundimi se që nga shekujt e parë Kisha ka pasur një kohë përgatitje me ninesë e lutje për raste të ndryshme: para pagëzimit (katekumenat), para rikthimit në Kishë (apostatët e penduar), para Pashkëve, etj.

Tradita katërdhjetëditore kreshmore e agjërimit në formën e sotme, përmendet për herë të parë në vitin 306 në të a.q. Epistula canonica e Shën Pjetrit të Aleksandrisë, ku caktohet që lapsi (ata të krishterë që gjatë përndjekjeve të Dioklecianit kishin mohuar fenë nga frika), pas tre vjetëve të pendesës publike, e mbajnë edhe një katërdhjetëditore agjërim dhe lutje si përgatitje për ditën e pajtimit (rikthimit, ribashkimit).

Në liturgjinë romake koha katërdhjetëditore shfaqet nga shek. IV, duke filluar me të dielën e parë të Kreshmës. Nga shek. VI fillimi i kreshmës bartet të mërkurën që i paraprinë të dielës së parë. Atë ditë pendestarët, pastaj edhe besimtarët e tjerë, e merrnin përhimjen si shenjë e hyrjes në përgatitjen kreshmore për Pashkë. Nga fundi i shek. XI, hini krijohej nga rrembat e ullirit që bekoheshin në të Dielën e Larit të vitit të kaluar. Hini karakterizonte vendosmëri dhe pendesë, me të cilin përshkohet krejt koha kreshmore, dhe shpresa për festën e Ringjalljes – Pashkët. Kjo e mërkurë quhej E Mërkura e Përhime. Koha e kreshmës ishte dhe ka mbetur kohë e përgatitjes së katekumenëve për marrjen e sakramenteve të fillesës së krishterë/sakramentet e iniciacionit/ në Vigjiljen e Pashkëve.

Nga fillimi i saj Kreshma ka pasur kuptim tredimensional: kohë e përgatitjes së pendestarëve për pajtim për të Enjten e Madhe, kohë e përgatitjes së katekumenëve  për pranimin e sakramenteve të fillesës së krishterë në Vigjiljen e Pashkëve dhe kohë e përgatitjes së besimtarëve për të kremtuar misteret pashkëvore.

 

  1. KOHËZGJATJA

Koha kreshmore në vitin liturgjik zgjat nga e Mërkura e Përhime deri te Enjten e Madhe, përkatësisht deri te mesha e Darkës së Zotit /In Cena Domini/, me të cilën fillon Treditëshi Pashkëvor. Këtë e pohon edhe Rregulloja e përgjithshme mbi vitin dhe kalendarin liturgjik (nr. 28), si dhe Direktori mbi përshpirtërinë popullore dhe liturgjinë (nr. 127).

Që në shek. IV, është caktuar në mbarë Kishën që Kreshmët t’i kenë 40 ditë, nga e diela e parë e Kreshmës deri te e Premtja e madhe, ku janë numëruar edhe të dielat e kreshmëve. Gregori i Madhe, mendonte se është jo e arsyeshme që të dielave të bëhet pendesë dhe ninesë, pasi e diela është Dita e Ringjalljes së Krishtit. Prandaj, e çdo e diele është Pashkë javore dhe duhet të lirohet nga praktika pendestare. Por me heqjen e të dielave, përfshirë këtu edhe të dielën e Larit, nuk plotësohej numri 40. Kjo bëri që Gregori të vendoste që Kreshmët të fillojnë të Mërkurën para të dielës së parë dhe të përfshihej e Enjtja dhe e Premtja e madhe. Në këtë mënyrë numri 40 plotësohet dhe simbolika biblike mbetet edhe reale.

Është interesante se në kohën e ripërtëritjes së kalendarit (viti 1969), studiuesit e liturgjisë kanë dashur ta largojnë të Mërkurën e përhime dhe ditët që paraprijnë para të dielës së parë të kreshmëve, me qëllim që kthehej tradita e para shekullit të katërt, kur kreshmët fillonin me të dielën e parë të kreshmëve, e në këtë mënyrë do të kishte 40 ditë. Porse, në insistimin e Papa Palit VI, e Mërkura e përhime nuk është prekur.

Të kujtojmë se si përgatitja katërdhjetëditore për kremtimin Pashkëve ka themelet në tipologjinë biblike. Numri simbolik 40 në historinë biblike shënon momente të rëndësishme dhe qendrore të përvojës së popullit të Zotit, si në Besëlidhjen e Vjetër ashtu edhe në Besëlidhjen e Re. Një numër që simbolizon kohën pritjes, pastrimin dhe kthimin e Zotit, ndërgjegjësimin që Zoti është besnik në premtimet e veta:     

40 ditë ka zgjatur përmbytja e përgjithshme (Zan 7, 14)

40 ditë Moisiu qëndroi në malin Sinaj (Dal 24, 18)

40 vjet Izraelitët kanë udhëtuar në shkretëtirë (Joz 3, 4)

40 ditë ka udhëtuar deri në malin Horeb (1 Mbr 19, 8)

40 ditë është koha që Niniva duhej të bënte pendesë dhe të kthehej kah Zoti (Jon 3, 4)

40 ditë Jezusi kaloi në shkretëtirë në lutje dhe ninesë (Mk 1, 13; Mt 4, 2; Lk 4,1)

40 ditë pas Ringjalljes Jezusi u ngjit në Qiell (Vap 1, 6-11).

 

  1. TË DIELAT E KRESHMËS

Kreshmët numërojnë 6 të diele (përfshirë e diela e Larit). E diela e katërt quhet Leatere – gëzohu!, sipas fjalëve të Isaisë profet: “Gëzohuni me Jerusalemin, galdoni për të ju që e doni! Galdoni me të, galdoni, të gjithë ju që qatë mbi të, që të thithni qumësht e të ngiheni prej parzmave të ngushëllimit të tij, që të dërgoni e të kënaqeni në parzmat e lavdisë së tij!” (Is 66, 10-11). 

Kjo e diele është caktuar për të inkurajuar besimtarët që janë në ninesë dhe pendesë, që mos të molisen e mos të dorëzohen, se koha që po e jetojnë po i dërgon te një gëzim i madh i Ringjalljes. Për atë arsye, veshja liturgjike e kësaj të diele është rozë dhe altaret lejohen të dekorohen me lule, në mënyrë shumë modeste.

Të dielat janë të përjashtuar nga pendesa dhe ninesa kreshmore, sepse çdo e diele, edhe në kohën e kreshmëve, ka vulën e Ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit, në ritmin javor të jetës së krishterë.

E diele I e Kreshmës (viti C): liturgjia e fjalës sjellë në meditim 40 ditët e Krishtit në shkretëtirë, kur tundohet prej Djallit (Luka 4, 1-13). Edhe ne, sipas modelit të Jezusit, e nisim një kohë 40-ditore në “shkretëtirë”, që na përgatit për kohën e fitores.

E diela II e Kreshmës:  i kushtohet figurës së Abrahamit dhe Shndërrimit të Zotit. Sikurse Abrahami, ati i besimtarëve, jemi të ftuar të dalim, të ecim, të shtegtojmë, kurse Ungjilli na rrëfen shndërrimin e Krishtit, Birin e dashur të Atit, fytyrën dhe natyrën e vërtetë të Mesisë (Luka 9, 28b-36).

E diela III e Kreshmës: e sjell shëmbëlltyrën e fikut të pafryt, që pronari tenton ta pres, por këshillohet të pret edhe një vit, për të parë nëse do të sjellë fryte (Luka 13, 1-9). Zoti na jep përherë edhe një shans për të sjell fryte në jetën tonë.

E diela IV e Kreshmës: e paraqet shëmbëlltyrën e djalit të humbur, plëngprishës, që quhet ndryshe dhe shëmbëlltyra e Atit të mëshirshëm (Luka 15, 1-3.11-32). Si njerëz që largohemi nga shtëpia e atit, pendesa na sjell në duart e hapura të Zotit, që na përqafon me dashuri të pakushte.

E diela V e Kreshmës: paraqet episodin e ungjillit kur tregohet gruaja e zënë në kurorëshkelje dhe tentimi për ta vrarë me gur, kur Jezusi thotë: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuaj i pari gurin në të.” (Gjoni 8, 1-11). Të gjithë kemi nevojë për kthim dhe për Zotin që na pastron. Kthimi është personal e pastaj edhe bashkësior.

E diela e Larit: parqet hyrjen e Jezusit në Jerusalem. Gjatë meshës lexohen ose këndohen mundimet e Jezu Krishtit.

 

  1. SHENJAT LITURGJIKE

Ashtu si një kohë tjera gjatë vitit liturgjik, edhe në Kreshme Kisha i propozon disa rekomandime, shenja dhe norma, përmes të cilave na bëhet më e lehtë të kuptohet kjo kohë liturgjike.

  • Ngjyra liturgjike: në kohën e kreshmës përdorët ngjyra vjollcë për veshjet liturgjike (meshëtorja, stola, petkat tjera të dekorimit të altarit, etj.). Qëllimi i përdorimit të kësaj ngjyre dëshiron të ngjall tek besimtarët pendesën dhe shpresën e ringjalljes.
  • Altari: nuk dekorohet altari me lule, siç ndodh gjatë viti kur i shohim të lulëzuar bukur altarin e kishave tona.
  • Lavdia dhe Aleluja: nuk recitohet as nuk këndohet lavdia deri në Vigjiljen e Pashkëve dhe në vend të alelujes merret klithja “Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar”. Kjo praktikë liturgjike ka qëllimin e theksimit të kohës së pendesës.

 

  1. MBAJSHËM DHE NINESË

Kreshmët janë koha më e përshtatshme që besimtarët të praktikojnë njetin e mbajtjes së agjërimit dhe ninesës. Praktika e agjërimit dhe e ninesës, si dhe formave tjera të njeteve pendestare, siç janë kthimi dhe rritja shpirtërore, i kanë rrënjët te qëndrimi i Jezusit në shkretëtirë, i cili për 40 ditë u lut në vetmi dhe agjëroi.

Çfarë do me thënë të qenunit mbajtshëm/agjërim dhe ninesa?

Mbajshëm: mbajtje apo abstenim nga ngrënia e mishit, të cilën katolikët e praktikojnë për çdo të premte të vitit, si kujtim për mundimet dhe vdekjen e Jezusit në Kryq.

Ninesë: hahet vetëm një shujtë e plotë në ditë, kurse shujtat tjera vetëm sa për të prishur, siç thuhet, apo fare (përveç ujit). Shujta nuk do duhet të ketë mish as yndyrë. Në traditën e mëhershme tek besimtarët tanë ka qenë edhe mosngrënia e bulmetit, pra një ninesë më radikale, tu hjek dorë edhe nga të gjitha ushqimet e qumështit.

Kisha i ka caktuar vetëm dy ditë mbajtshëm dhe ninesë: e Mëkura e Përhime dhe e Premtja e Madhe. Në këto dy ditë të gjithë katolikët, nga mosha 16 – 60 vjeçare, sipas normave kishtare, janë të detyruar të hanë vetëm njëherë në ditë dhe të mos hanë mish. Të premtet tjera janë të rregullta, që do me thënë tri shujta, por nuk hahet mishi.

Kurse për njete tjera që të krishterët i mbajnë, janë vendime personale, vullnetare, që lindin nga përvoja e fesë, nga dëshirat, nxitja e ripërtëritjes së tyre personale, nga angazhimi i tyre për ta mishëruar fenë në jetën e përditshme.

 

  1. PËRSHPIRTËRIA POPULLORE – UDHA E KRYQIT

Përveç normave zyrtare kishtare për kohë të kreshmës, katolikët kanë zhvilluar tradita dhe përshpirturi popullore të ndryshme për ta jetuar këtë kohë të shenjtë liturgjike.

Njëra ndër përshpirtëritë popullore më të përhapura dhe më të dashura për besimtarët katolikë është Udha e Kryqit. Zakonisht, lutet të premteve pasdite, në orën kur mendohet se Jezusi e ka përshkuar udhën e Kalvarit (Golgotën) dhe ka vdekur në kryq. Udha e kryqit nuk lutet të dielave (përveç në ato vende ku për shkaqe objektive është e pamundur të lutet në ditë të premte, si p.sh. në vende misionare të largëta, ku besimtarët e kanë të vetmen ditë kur bashkohen)./drita.info  

 

Përgatiti për Dritën: Don Fatmir Koliqi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »