Zoti kërkon më shumë – mëshirën!

Mar 15 • Meditimi i ditës

15 mars 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 18,21-28; Ps 130,1-8; Mt 5,20-26)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ki mëshirë! O Krishti, ki mëshirë!

Ndërsa rri ulur ose qëndron këtu tani, a është ndokush afër teje? Dikush fytyrën e të cilit mund ta shohësh?

Shikoji në sytë e tyre dhe pyete veten se çfarë mëshire, dhembshurie dhe falje mund të kenë nevojë në jetën e tyre, sa shumë dëshirojnë të dëgjojnë, ta ndjejnë dhe ta njohin faljen. Dhe, ndërsa e fillon këtë lutje sot, shikoje edhe veten. Çfarë dëshire të madhe ka në ty për dhembshurinë e mëshirshme dhe gjithmonë-falëse të Zotit?

 

Liria

Me hirin e Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

O Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,

me besim të plotë në kujdesin tënd të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.

 

Fjala

E dëgjoj Fjalën e Zotit me mend e zemër,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.


 

Ez 18,21-28

 

Kështu thotë Zoti, Hyj:

21 Por, në qoftë se i paudhi pendohet për të gjitha mëkatet e veta që i ka bërë dhe i mban të gjitha urdhërimet e mia, e bën të drejtën e drejtësinë, po, do të jetojë, nuk do të vdesë! 22 Asnjë prej mëkateve të tij që ka bërë nuk do t’i kujtohet; do të jetojë në saje të drejtësisë që bën. 23 Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?

24 Por, në qoftë se i drejti largohet nga drejtësia e vet dhe bën padrejtësinë e të gjitha turpësitë që i bën i patenzoni, vallë a do të jetojë? Asnjë prej drejtësive të tij që i ka bërë, nuk do t’i merren parasysh; për shkak të pabesisë së vet me të cilën e theu besën e të mëkatit që e bëri, në to do të vdesë. 25 Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? 26 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. 27 E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes: 28 ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e, jo, nuk do të vdesë.


 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Vështroje racën njerëzore sot: pabarazinë e madhe midis njerëzve, egoizmin e ngushtë në nivel personal dhe kombëtar, duke keqpërdorur burimet e Tokës. Të gjitha këto mëkate dëmtojnë ata kundër të cilëve është mëkatuar si dhe autorët, bërësit e atyre mëkateve. Si do t’i drejtohej Hyji sot popullit të tij, racës njerëzore?
  • Ne nuk kemi nevojë të besojmë në një Hyj të zemëruar. Kur një person ose grup mëkaton, gjithmonë ka pasoja negative. Dhe virtyti gjithashtu sjell shpërblimet e veta, të paktën në fund. Ku e ke përjetuar këtë në jetën tënde?

Dëgjoje sërish përpjekjen e Ezekielit për të ndihmuar njerëzit e kohës së tij të kuptojnë diçka nga shqyrtimi i realitetit të Hyjit. Çfarë porosie dëgjon në të për veten tënde gjatë kohës që lexohet përsëri tekstin biblik?

 

Bashkëbisedimi

Gjithmonë ka shpresë për një botë më të mirë.

Në çka të fton Zoti të dhashë ose të vazhdosh së dhëni kontribut për një botë më të drejtë?

Bisedo me Zotin për këtë në këto pak momente përmbyllëse të kohës së lutjes.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Skribët dhe farisenjtëishin njerëz të drejtë dhe të ligjitJezusi kërkon më shumë – e kërkon mëshirën, dhembshurinë  e sheh përtej ligjit dhe dobësisë njerëzore, deri te lavdia dhe dashuria e Hyjit në çdo person. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »