Ndërsa lutej, fytyra e tij shndërrohet

E diela II e Kreshmëve – Viti C

 

Leximi i parë   Zan 15, 5-12.17-18

Në këtë lexim përkujtohet një rit i vjetër i besëlidhjes në Lindjen e Mesme.  Secila palë e besëlidhjes kalonte në mes të kafshëve të prera përgjysmë të gatshme për t’u ofruar duke thënë: “Nëse unë do të prish këtë besëlidhje, më ndodhtë siç u ka ndodhur këtyre mëshqerrave”. Por këtu Hyji kalon përmes mëshqerrave të prera për të treguar që besëlidhja varet vetëm nga nisma e Hyjit, nga mëshira e tij, por  pabesnikëria e bijve të Abrahamit nuk mund ta pengojë besnikërinë e Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti e bëri Abrahamin të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroj yjet, po munde!” Dhde shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu.” Ky i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. I tha edhe: “Unë jam Zoti që të nxora nga Uri i Kaldesë për ta dhënë këtë tokë pronë.” Abrami i tha: “O Zot, Hyj, nga mund ta di se ajo do të jetë prona ime?” Zoti përgjigji: “Ma gjej një mështjerrë tri vjeçe dhe një dash tri vjeç, një turtull dhe një pëllumb.” Abrami i mori këto të gjitha dhe i preu për mjedis dhe secilën prej gjysmave e vendoi njërën kundruall tjetrës. Shpendët nuk i preu. Shpendët grabitqarë lëshoheshin mbi kufoma, por Abrami i dëbonte. Në të perënduar të dielli, Abramin e lodhi gjumi dhe, ja, e kaploi një tmerr i madh dhe e mbështoll një errësirë e dendur. Kur perëndoi dielli, u bë një terr i zi, u duk një tangar i ndezur dhe flakadani i përshkoi ato pjesë. Atë ditë Zoti lidhi këtë besëlidhje me Abramin: “Këtë tokë do t’ia jap farës sate prej lumit të Egjiptit deri në lumin e madh, Eufrat.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   27

 

Ref: Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.

——————————————–

Zoti është mbrojtësi i jetës sime,

para kujt do të dridhem?

Le të çohet, në dashtë,

edhe një ushtri e tërë kundër meje:

zemra nuk më trembet.

——————————————–

Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,

ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time!”

“Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj.”

——————————————–

Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,

mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!

Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz,

mos hiq dorë prej meje,

Hyji i shpëtimit tim!

——————————————–

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

Shpeso në Zotin: bëhu burrë!

Ji zemërfortë e prite Zotin!

——————————————–

 

Leximi i dytë   Fil 3, 17 – 4, 1

Ne besojmë në ringjalljen e Krishtit dhe që Ai do të na ringjallë në ditën e fundit për të na komunikuar jetën e tij dhe për të ripërtërirë të gjithë universin. Ky besim në ringjalljen e trupit tonë të mjerë dhe në amshimin e tokës sonë të shndërruar na shtyn të duam botën në të cilën jetojmë dhe të jemi të lirë përballë botës.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Më përngjani mua, o vëllezër, dhe vëreni ata që jetojnë simbas shembullit që keni në ne. Sepse, sikurse ju kam thënë shpesh herë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në trup – ata mendojnë vetëm gjërat tokësore. Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, qëndroni të fortë në Zotin. Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë: “Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli   Lk 9, 28-36

Lutjen: “Na e shfaq fytyrën tënde, o Zot”, asnjë hebre nuk ka provuar ta thotë ndonjëherë nga frika se mos vdes. Moisiu dhe Elia, tregon Bibla, kanë parë Hyjin vetëm nga prapa.  Kërkesa e tyre për të parë Hyjin është aktuale akoma sot edhe për ne. Edhe apostujt në momentin kur shohin fytyrën e Hyjit, zbulojnë se Hyji i kërkuar nga ata është një njeri që është duke vdekur. Fytyra e vërtetë e Hyjit zbulohet në vdekjen e Birit të tij.  Është një zbulim i hidhur për hebrenjtë dhe për secilin prej dishepujve të tij.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima. Kur qe, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të. Dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po i bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte. Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – i Zgjedhuri! Atë dëgjoni!” Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm. Nxënësit heshtuan dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në jetën e çdo njeriu ekzistojnë disa përvoja të ndritura e të thella që e mbështesin në ditët e dhimbjes e të errësirës, pa humbur besimin dhe shpresën.

Tregimi i ungjillit të sotëm do të ngjallë guxim dhe besim tek dishepujt duke pasur parasysh provën e tmerrshme të mundimeve të Jezusit. Jezusi me tre dishepujt “u ngjit mbi mal për t’u lutur. E, ndërsa lutej, fytyra e tij ndryshoi pamjen”. Jezusi ka nevojë të tërhiqet për t’u lutur.

Dialogu i zgjatur me Atin shkakton një shndërrim të gjithë qenies së tij. Kjo vlen edhe për ne: në dialog me Hyjin, mbushemi me Të e bëhemi të shndritshëm.

Dishepujt “panë lavdinë e tij”. Është “lavdia” sekrete, shkëlqimi hyjnor i Jezusit, që zakonisht fshihej nën një njerëzim të përbashkët, e që tani shpërthen së jashtmi. Pjetri, i dehur nga gëzimi i kësaj përvoje, propozon të qëndrojnë atje mbi mal e të “fiksojnë” atë çast të lumturisë: harron se “shndërrimi” do të jetë qëllimi i një rruge të dhimbshme. Edhe për të krishterët nuk ekziston një “Tabor” ku të banojnë përgjithmonë.

“Ky është Biri im, i zgjedhuri”. Është zëri i Atit, që ua përsërit të tre dishepujve dhe të gjithë neve: “Ky Jezusi është Biri im, thesari im i vetëm, gjithçka e imja”. Sekreti i vërtetë i personit të Jezusit është kjo marrëdhënie me Atin, në të cilën të gjithë jemi thirrur të hyjmë. “Dëgjojeni!” Bëni atë që ju thotë. Pranojeni Jezusin si Mesinë e vuajtur, që, nëpërmjet kryqit, i do njerëzit e arrin në ringjallie. Ndiqeni në të njëjtën rrugë.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, Jezusi ngjitet mbi mal për t’u lutur e ndërsa lutej shndërrohet. Të ndriçuar nga Shpirti Shenjt, edhe ne i drejtohemi Atit me sigurinë për të qenë nga ai të dëgjuar. Të lutemi me besim, duke thënë:

O Atë i lavdisë, na dëgjo.

L. Që Kisha, besnike ndaj Zotit dhe fjalës së tij, t’i zbulojë botës ndriçimin e fytyrës së vetë Krishtit. Të lutemi.

L. Për ata që kërkojnë me ankth të vërtetën, që të ndriçuar nga drita e Krishtit të shndërruar, të arrijnë besimin e vërtetë. Të lutemi.

L. Për të krishterët, që duke jetuar në plotësi besimin e tyre, të bëhen drita që largon errësirat e botës moderne që duket se ka humbur kuptimin e vlerave të vërteta. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë që në udhëtimin drejt atdheut qiellor, të çlirohet nga lidhjet tokësore për të jetuar si qytetarë të qiellit. Të lutemi.

M. O Atë, Ti ke dashur që fytyra e shndërruar e Birit tënd të ndriçojë ecjen e besimtarëve. Bëj që të angazhohemi për të realizuar plotësisht mësimet e tij.  Ti që jeton e mbretëron për shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: