Kremtimi i festës së Shën Jozefit në Famullinë e Stubllës

Mar 20 • Kisha në Kosovë

Stublla vazhdon të jetë vatër e dashurisë për Hyjin, për fenë e trashëguar nga të parët, nga martirët që dhanë jetën që sot në këtë zone të bukur të Karadakut të mbetet e gjallë dhe e fortë feja e krishtere katolike. Kjo më së tepërmi shfaqet gjatë kremtimit të festave të Famullisë: Zojës Lurde, Shën Jozefit dhe Shën Gjergjit, martir.

Këto dit besimtarët e Famullisë së Stubllës ishin në atmosferën e festës së Shën Jozefit (19 mars), fatit të Marisë Virgjër, emër me të cilin edhe quhet kjo famulli. Si çdo vit, kremtimi ka filluar me Treditëshin kushtuar shenjtit, të cilat janë ditë të përgatitjes shpirtërore për ta pritur denjësisht festën e rojtarit të Familjes Shenjte.

Në ditën e parë të Treditëshit, meshën shenjte e kremtoi Don Aleksander Kola. Në ditën e dytë të Treditëshit, meshën shenjte e kremtoi Don Viktor Sopi, famullitar i Ferizajit.

Vigjilja e festës është kremtimi real në festë, ku secila familje përgatitet, përveç në aspektin shpirtëror, po ashtu edhe në atë të mikpritjes së mysafirëve nga famullitë e tjera.

Siç është zakon dhe traditë tashmë, sipas një dëshmie të të parëve të lënë me shkrim me 18 mars 1973 në 125 vjetorin e kthimit të martirëve nga Anadolli, besimtarët e Stubllës organizuan shtegtim në këmbë në vigjilje të festës në kishën e Zojës Cernagore në Letnicë, respektivisht te varri i Atë Anton Marojevic-it (famullitar i Letnicës në kohën e martirëve).

Këtij amaneti të të parëve, këtë vit ju përgjigjën 21 persona për shtegtim në këmbë, duke i shtuar pastaj edhe 9 persona tjerë që shtegtuan në tjera mënyra për ta rrumbullaksuar numrin 30 të personave që arritën te Shenjtërorja e Zojës së Bekuar. Ndoshta që të dy numrat e mëparshëm na thonin diçka, na e jepnin një simbolikë. Numri 21 simbolizonte shekullin në të cilin gjendemi, ku qëndresa në fe dhe në besim në Zotin sa vjen e vështirësohet, por besimtarët e devotshëm të Jezusit nuk e harrojnë

Dokumenti që dëshmon njetin/betimin e besimtarëve të Stubllës për të shtegtuar te Shenjtërorja e Zojes së Letnicës, ku gjendet varri i dëshmitarit të festë, p. Anton Marojevici.

 

Zotin e tyre pavarësisht rrethanave dhe botës në të cilën jetojnë. Edhe numri 30 gjithsesi na thotë shumë, numri 30 simbolizon vitet kur Jezusi filloi veprimtarinë e vet, me shpresën që edhe këta 30 shtegtarë të shkojnë hapave të Jezusit në shpalljen e Fjalës së Zotit.

Shtegtarët para varrit të dëshmitarit P. Anton Marojevic, në Letnicë (3 mars 2019)

Ndërsa meshën në Vigjilje e ka drejtuar Don Ndue Ballabani, famullitar në Budisalc, i cili në pretkun e rastit e ka trajtuar figurën e Shën Jozefit për nga aspekti i dashurisë, si në raport me Hyjin poashtu edhe në raport me Jezusin, Zonjën e Bekuar dhe njerëzit që kishte përreth.

Në ditën e festës, kulminacioni i festës, ishin tri meshë shenjte, nga ora 8:00, pastaj në ora 9:00 në gjuhën kroate dhe në ora 11:00 mesha e madhe, të cilës i ka prirë shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, bashkë me shumë meshtarë të tjerë. Imzot Dodë Gjergji në pretkun e rastit, në kishën e stërmbushur me besimtarë nga Stublla, famullitë përreth dhe të ardhur nga mërgata, e shpjegoi rolin e Shën Jozefit në familje dhe shembullin e mrekullueshëm që ai na ka lënë ne për dashuri ndaj Zotit dhe familjes. Kjo meshë shenjte u transmetua direkt në Radio Marinë e Kosovës.

Si zakonisht në Stubllë, përveç një dashurie të madhe për Hyjin dhe fenë, nuk mungon as elementi kombëtar, ku katër fëmijë ishin veshur me veshje kombëtare shqiptare për të dorëzuar dhuratat simbolike Imzot Dodë Gjergjit./drita.info

Shën Jozefi, lutu për ne!

Përgatiti: Anton Gjergji, Stubëll

Shpërndaje

Comments are closed.

« »