Kardinali i Vjenës Schönborn kremton meshën në Misionin Katolik Shqiptar në Austri

Mar 21 • Kisha ndër Shqiptarë

E diela e 17 marsit ishte një ditë e shënuar në historikun e Misionit Katolik Shqiptar në Austri. Argjipeshkvi i Vjenës, Eminenca e Tij Kardinali Christoph Schönborn kishte vendosur t‘a vizitojë Misionin tonë dhe të kremtojë meshën shenjte me besimtarët katolik shqiptar, të cilët bashkohen çdo të diele në kishën e Misionit në Vjenë, Meiselstrasse 1, 1150. Qëllimi i kësaj vizite dhe kremtimi ishte për të falënderuar Zotin për jubileun e 25 vjetorit të themelimit të Misionit.

Kardinali i Vjenës, i cili është edhe kryebariu unë, kishte një kohë të gjatë që donte të kremtonte meshë me ne, por agjenda e ngjeshur dhe përgjegjësitë si prijës i Argjipeshkvisë së Vjenës, i Konferencës Ipeshkvore të Austrisë dhe angazhimet e tija të shumta në Vatikan, kanë bërë që kjo meshë të shtyhet deri në këtë ditë. Ai kishte marrë pjesë në manifestimin e Jubileut të 25 vjetorit të themelimit të Misionit tonë dhe kishte dhënë një porosi e fjalë rasti me një përmbajtje kuptimplote, nxitjeje, mbështetjeje e përforcimi shpirtëror për besimtarët tanë.

Besimtarët e Misionit me gëzim të madh dhe organizim madhështor e pritën kryebariun e tyre dhe ju gëzuam pranisë së tij në mesin tonë. Kisha ishte përplot, qindra besimtarë, mbasi e lutëm së bashku Udhën e Kryqit, me padurim pritën momentin e fillimit të meshës së shenjtë.

Në fillim të meshës misionari ynë, Dom Nikson Shabani, në emër të gjithë besimtarëve katolik shqiptar e përshëndeti kardinalin duke e falënderuar që ka gjetur mundësi e kohë për të kremtuar këtë meshë të shenjte me ne. “Për ne është një nder i madh që Ju, Eminencë e nderuar, ja bëni besimtarëve të Misionit Katolik Shqiptar në Austri. Ne ju falënderojmë e lusim Zotin për ju. Kjo ditë sigurisht se do të mbesë gjatë në kujtesën tonë. Duam së bashku me ju ta lusim Zotin që të na ndihmojë në rrugëtimin tonë tokësor, që ky rrugëtim të përmbyllet në jetën e pasosur.“

Të pranishëm në meshën e shenjtë, përveç qindra besimtarëve, ishin edhe famullitari i famullisë së Rudolfsheimit, ku kremtojmë meshën shenjte dhe është selia e Misionit tonë, Dom Martin Ruprprecht dhe meshtari përgjegjës për bashkësinë kroate në famullinë tonë, Dom Luka. Në mesin e laikëve të pranishëm ishin zëvendësministri i Ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, zotin Anton Berisha, ambasadori i R. së Shqipërisë në Austri, z. Roland Bimo, ai i R. së Kosovës në Austri, z. Sami Ukelli me bashkëpunëtorë dhe shumë miq, shokë e dashamirë tanë e të Misionit.

Kardinali Schönborn ishte jashtëzakonisht i lumtur e i gëzuar që po kremton meshën me ne. Ai ishte e befasuar dhe me përshtypje të jashtëzakonshme se sa është rritur dhe sa e madhe është Bashkësia jonë. Gjatë homelisë së tij, i frymëzuar nga fjalët e Shën Palit, foli rreth Atdheut dhe u ndal rreth temës së migrimit. Me disa porosi konkrete na ftoi që si Mision të qëndrojmë të bashkuar e së bashku, të rritemi se bashku dhe ta dëgjojmë Krishtin e ta bëjmë në zemër.

“Shën Pali sot na thotë një fjalë shumë të rëndësishme – tha Kardinali –  Atdheu unë është në qiell. Të gjithë e kemi braktisur Atdheun! Të gjithë ju, për arsye të ndryshme, e keni braktisur Atdheun tuaj, si lufta, papunësia, kumunizmi, dhe keni ardhur në Austri. Shumë prej jush e keni gjetur këtu një Atdhe të ri, por Atdheu i vjetër është në zemër. Mund të them se shumë prej jush kur udhëtoni thoni, po shkojmë në Kosovë ose Shqipëri, në shtëpi. Kur ktheheni për Vjenë thoni po kthehemi prapa në Vjenë, në shtëpi. Ku është tash shtëpia jonë?“

Ai theksoi se edhe vet është fëmijë refugjatësh, që është dashur ta lëshojë atdheun. Tash atdheu i tij është Austria. Është rritur në Voralberg, ashtu që atdheu i tij është Voralbergu. Qe 28 vite jeton në Vjenë, tash atdheu i tij është Vjena. Dhe vetvetiu vjen pyetja: Ku është atdheu ynë? Ku jemi në shtëpi? Shën Pali thotë n ëQiell!

Kardinali tha se një ditë, të gjithë, do ta lëshojmë Atdheun tokësor. Por, edhe këtu mbi tokë, kemi një vend të vërtetë ku jemi në shtëpi.

“Ku jemi në shtëpi? Në rend atë parë është Familja! Atdheu i parë është Familja! Pastaj Atdheu për të cilin të gjithë kemi nevojë është Kisha, besimi. Papa Benedikti i XVI ka thënë: “Kush beson kurrë nuk është vetëm”. Besimi na jep Atdheun. Në famulli, në kishë, në shtëpi. Besimi na jep shtëpinë. Feja na jep Atdheun.”

I gëzuar e i befasuar me madhësinë dhe rritjen e Misoinit tonë, kardinali udhëzoi të qëndrojmë së bashku dhe të kujdesemi për Misionin: “Dëshiroj t’u forcoj që si Bashkësi (Mision) të qëndroni bashkë. Për Bashkësinë (Misionin) duhet të kujdeseni. Sikurse që njeriu duhet të kujdeset për familjen ashtu duhet të kujdeseni edhe për Misionin. Duhet ta shikojmë, ta ndihmojmë njëri tjetrin.”

Në porosinë drejtuar besimtarëve, kardinali, bëri dy lutje: një “të vogël” dhe një “të madhe”. E para, kërkoi prej nesh që ta kuptojmë se secili është i thirrur të jetë dëshmitarë i Krishtit. “Dua të mësoni të përballeni me rritjen si Bashkësi (Mision). Ju e keni sjellë me vete besimin, fenë, nga Atdheu juaj. Ju e keni dëshmuar besimin në Atdheun tuaj në kohëra të vështira, në kohën e komunizmit gjatë përndjekjes, posaçërisht ishte keq në Shqipëri. Dhe e keni ruajtur fenë. Stërgjyshërit ju kanë dhënë, ju kanë trashëguar fenë e besimin. E kemi mbajtur fenë me vete, në familje, në Bashkësi (Mision).”

Kurse lutja e madhe ishte që ta dëshmojmë fenë aty ku jetojmë e punojmë. “Ju jeni në Vjenë, jo vetëm për të punuar, por edhe si të krishterë, si katolikë. Austria ka nevojë për fe, ka nevojë për besimtarë, besimtarë që thonë PO! Po, unë jam i krishterë, besoj në Zot, besoj në Krishtin. Në punë, në shoqëri duhet të thoni PO. Ndoshta edhe t’u thoni të tjerëve, ejani me ne, në Bashkësinë tonë, t’i udhëzoni ta gjejnë Atdheun e tyre. Në Bashkësinë (Misionin) tuaj mund të jesh në shtëpi. Të jeni njerëz që besoni, që ndihmoni njëri tjetrin. Prandaj ju lus që si Bashkësi (Mision) shqiptare të kërkoni të jeni dëshmitarë të fesë.“

Porosinë e tij e përfundoi me fjalët e apostujve që i dëgjuam në Ungjill. “Ata kanë dëgjuar një zë. E zëri ka thënë: Ky është Biri im – i Zgjedhuri! Atë dëgjoni! Ju thërras ta dëgjoni Krishtin. Krishtin me pas në zemër. Jezusin me e ndjekë. Dhe këtë me e bë së bashku. Bashkë, si besimtarë shqiptarë të Krishtit.”

Në fund të meshës, misionari ynë dom Nikson Shabani, edhe një herë e falënderoi kardinalin për meshën e kremtuar, për fjalët kuptimplote, për nxitjen, mbështetjen, lutjet e tija për Misionin tonë e besimtarët e tij.  Poashtu përshëndeti dhe falënderojë të gjithë të pranishmit, që janë bashkuar në këtë kremtim me Bariun e Vjenës.

Pastaj, në pika të shkurta e informoi kardinalin dhe të pranishmit rreth Misionit Katolik Shqiptar në Austri. Ai tha se Misioni është i themeluar një vitin 1993. Kanë shërbyer katër misionar. Ai përbëhet prej 1300 familjeve dhe rreth 6000 besimtarëve. Pjesa dërmuese e tyre janë të rinj. Janë tetë pika në Austri ku kremtojmë meshën shenjte. Besimtarët janë mirë të integruar. Çdo vit kemi rreth 50 pagëzime, 50 krezmime, po aq kungime të para dhe rreth dy varrime në vit. E falënderojmë Zotin për këtë hir dhe mbesim me shpresë se Ai do të na bekojë dhe do të na ndihmojë ta ndërtojmë të ardhmen tonë në hirin e tij. Fjalën e tij e përfundoi duke thënë se: “Besimtarët e Misionit Katolik Shqiptar në Austri e duan Zotin, ata e duan Kishën dhe e duan këtë Vend.”

Në fund të meshës, kardinali së bashku me misionarin tonë dom Niksonin, në dalje të kishës përshëndeti personalisht secilin që ishte në meshë duke i bekuar dhe falënderuar për gëzimin që ja japin Misionit tonë.

Gëzimi i kësaj dite vazhdoi në oborrin e kishës ku besimtarët tanë kishin përgatitur një Agapé të pasur me ushqim e pije. Kardinali ishte i gatshëm dhe me gjithë dëshirë e gëzim bëri shumë fotografi me besimtarët tanë, u bë pjesë e Agapesë sonë duke marrë ushqimet tona tradicionale dhe qëndroi një kohë të gjatë në mesin tonë.

Kardinali ishte jashtëzakonisht i lumtur e i gëzuar me gjithçka që kishte përjetuar në Misionin tonë dhe ne besimtarët tij. Me fëmijët e shumët, prindërit e tyre, stërgjyshërit, me ministranta e lexuesit, me besimtarët tanë. Të gëzuar ishim edhe ne. U përshëndetëm duke marrë edhe një herë bekimin e tij. Ai u largua prej nesh më buzëqeshje në fytyrë e zemër se pas po e len këtu siç tha ai: “një Bashkësi të gjallë e cila e donë Zotin dhe Kishën.”/drita.info

Përgatiti për Dritën: Dom Nikson Shabani, misionar

Shpërndaje

Comments are closed.

« »