Si lutesh kur je në një situatë të vështirë?

Mar 26 • Meditimi i ditës

26 mars 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 3,25.34-43; Ps 25,4-9; Mt 18,21-35)’

 

Prania e Hyjit

Tash të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia dhe po kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar, ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Dan 3,25.34-43

 

Në ato ditë 25 Azaria u ngrit në këmbë, u lut kështu, e duke hapur gojën në mes të zjarrit, tha:

34 Oh, mos na lër për përgjithmonë

‑ pashë emrin tënd ‑

e mos e prish besëlidhjen tënde;

35 as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh,

pashë Abrahamin, të dashurin tënd,

pashë Izakun, shërbëtorin tënd,

e pashë Izraelin, shenjtin tënd,

36 të cilëve iu zotove

se do t’ua shumosh farën

porsi yjet e qiellit

e porsi rërën

që është në bregun e detit,

37 sepse, o Zot,

jemi pak’suar më shumë se të gjithë popujt,

të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën

në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!

38 Ne në këtë kohë nuk kemi

princ as profet as prijës,

fli shkrumbimi, therore,

as kushtime as kem,

as vend ku të t’kushtojmë ty

flitë e fryteve të para

që të mund të gjejmë mëshirë.

39 Por na prano me shpirt të përgrirë

e të përvujtëruar në shpirt,

porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish

40 porsi mijëra qengja të majmë

e tillë le të jetë flia jonë para teje sot

e përsosna ne që të vemi pas teje

sepse s’do të turpërohen

ata që shpresën e kanë vënë në ty.

41 Tani do të vemi pas teje me gjithë zemër,

ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë.

42 Mos na turpëro,

por sillu me ne sipas butësisë sate

e sipas madhësisë së mëshirës sate.

43 Na shpëto me mrekullitë e tua

lavdi jepi emrit tënd, o Zot!


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Azaria u gjet në një situatë të rëndë dhe iu lut Hyjit … Si bën ti, si lutesh kur je në një situatë të vështirë?
  • Azaria rendit të gjitha gjërat që i mungojnë dhe që u mungojnë njerëzve të tij: “asnjë udhëheqës, asnjë profet, asnjë princ …” Cilat gjëra do të ishin në listën tënde? Cilat gjëra mendon se të mungojnë në jetën tënde, në bashkësinë tënde, në botë?
  • Ndërsa e dëgjon edhe një herë tekstin biblik, vë re se cila deklaratë ose frazë të bie në sy apo të lë mbresa.

 

Bashkëbisedimi

Tani, sido që të ketë lënë mbresa ajo shprehje, mbaje atë frazë në zemrën dhe mendjen tënde. Bisedo me Zotin për atë që ka gjetë jehonë në ty nëpërmjet fragmentit biblik dhe asaj fraze.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Gjatë kohës së kreshmëve shpesh flitet për mëshirën, faljen, pajtimin. Do të duhej të merrja pak kohë të provoj për të parë se sa ndikon në mua thirrja e Zotit për falje.Kjo është një gjëe vështirë. Të falësh dhe të vazhdosh të falësh. Të falësh do të thotë t`i heqësh nga vetja pikëllimin dhe zemërimin që i mbajmë brenda vetes. Ato janë një barrë për mua, dhe jo për atë të cilin s`e duroj.

Jezusi në Uratën e Zotit në qendër e vë faljen dhe bukën tonë të përditshme. Asnjë gjë tjetër s`e tregon aq qartë dallimin në mes shpirtit të Krishtit dhe shpirtrave të tjerë sesa kjo thirrje për falje. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »