Papa Françesku: Lutje për/me pesë gishtat e dorës 

Mar 27 • Këndvështrime

Ky shkrim nga Papa Françesku, i shkruar 15 vjet më parë, kur ishte ende argjipeshkëv i Buenos Aires, na tregon vlerat që duhet çmuar në jetë, duke i marr 5 gishtat e dorës si shkak për reflektim dhe lutje.

 

1. Gishti i madh është më pranë teje. Lutu, prandaj, së pari për ata që i ndjen më pranë. Janë njerëz, të cilët i kujtojmë më lehtë. Lutja për të dashurit tanë është “detyrë e ëmbël”.

2. Gishti i dytë është treguesi. Lutu për ata që japin mësim, që edukojnë e mjekojnë. Për mësuesit, profesorët, mjekët, meshtarët. Këta kanë nevojë për ndihmë e urti, që të mund t’u tregojnë të tjerëve rrugën e drejtë. Mos harro asnjëherë t’i kujtosh në lutje!

3. Gishti, që vjen pas, është më i gjati. Na i kujton ata që qeverisin. Lutu për presidentin, parlamentarët, ndërmarrësit e drejtuesit. Janë njerëz që kanë në dorë fatet e atdheut tonë e që i prijnë opinionit publik. Kanë nevojë për udhëheqjen e Zotit.

4. Gishti i katërt është ai i unazës. Çuditërisht, ky është gishti më i ligshtë, siç mund të na e vërtetojnë mësuesit e pianos. Është aty për të të kujtuar se duhet të lutesh për njerëzit më të ligshtë, ata që kanë përballë sfida të mëdha, që janë të sëmurë. Kanë nevojë për lutjet tuaja, të ditës e të natës. Nuk është kurrë tepër të lutesh për ta. Ky gisht të fton të lutesh edhe për të gjithë ata, që mbajnë në të, unazën e martesës!

5.  Arrijmë kështu, së fundi, te gishti i vogël, më i vogli nga të gjithë, ashtu si duhet ta ndjejmë ne veten përballë Zotit e të afërmit. Si thotë Bibla: “Të fundmit do të jenë të parët!”. Gishti i vogël të kujton të lutesh për vetveten. Pasi të jesh lutur për gjithë të tjerët, do të mund të kuptosh më mirë edhe cilat janë nevojat tua./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »