Si ndihesh kur e dëgjon se Zoti është ‘afër’ nesh?

Mar 27 • Meditimi i ditës

27 mars 2019 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 4,1.5-9; Ps 147,12-13.15-16.19-20; Mt 5,17-19)

 

Prania e Hyjit

Kjo kohë e lutjes është një mundësi për të pranuar Zotin dhe gjithçka që Ai bën për mua.

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq tepër i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lutem për hirin e shenjtë që të lejoj të lirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre raporteve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Lp 4,1.5-9

 

Moisiu i tha popullit:

5 Ja, po ju mësoj urdhërimet e rregulloret, si më urdhëroi Zoti, Hyji im, që t’i zbatoni në tokën që do ta merrni pronë, 6 që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë:’Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhor!’ 7 E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshem, që t’i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, siç është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?! 8 Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!”

9 “Kujdes, pra, ki mendjen mirë të mos i harrosh assesi ngjarjet që i pe me sytë e tu e të mos zbehen askurrë gjatë krejt jetës sate! Mësojua fëmijëve e nipave të tu!


Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hyji ‘e ngarkoi’ Moisiun për ta përçuar fjalën e tij dhe për t’i mësuar njerëzit. Si e vështron ose dëgjon ti ligjin dhe fjalën e Hyjit? Çka është për ty pjesa më e rëndësishme e ligjit të Hyjit?
  • Si ndihesh kur e dëgjon se Hyji është ‘afër’ nesh? A është e frikshme? Apo ngushëlluese? Apo çfarë?
  • Ndërsa leximi lexohet përsëri, dëgjo me vëmendje atë që Hyji u thotë njerëzve nëpërmjet Moisiut. A mund ta dëgjosh ndonjë mesazh, porosi jo vetëm për njerëzit e epokës së Moisiut, por edhe për ty?

 

Bashkëbisedimi

Ki kujdes dhe shikoje, shqyrtoje veten tënde nga afër …

‘Sa je i/e vetëdijshëm/e për atë që po të ndodh, sesi ndihesh, çfarë po bën Zoti për ty?

Ndoshta mund t’i kërkosh Zotit ta thellojë vetëdijen tënde për të gjitha këto?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Kushdo që me anë të fjalës ose me anë të shembullit mëson mirësinë dhetë vërtetën e Hyjit ka pjesë në shërbesën mësimore të Zotit.

Ne mësojmë për Hyjin me mendje nga reflektimi, leximi, mësimetë ndryshme dhe në bashkësinë e besimtarëve; për Hyjin e zemrës mësojmë në lutje. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »