O Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e kundër teje

Mar 30 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela IV e Kreshmës  – Laetare (C)

 

Leximi i parë   Joz 5, 9 a. 10-12

Pas kalimit të lumit Jordan dhe hyrjes në tokën e premtuar fillon një fazë e re në historinë e shpëtimit dhe izraelitët kremtojnë Pashkët që paraprijnë Pashkët e krishtera. Në shkretëtirë hebrenjtë merrnin manën (ushqimin), dhuratë e Hyjit që Ai e jepte çdo ditë. Tani ushqimi që i ushqen është edhe fryt i punës dhe i vullnetit të tyre për ta bërë pjellore tokën e tyre.

 

Lexim prej Librit të Jozuehut

Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit.” Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë. Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerihonit, dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   34

 

Ref: Zoti është afër atyre që e kërkojnë

———————————————–

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë është lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

———————————————–

Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,

le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.

E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,

edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.

———————————————–

Shikojeni atë e do të ndriçoheni,

fytyra juaj nuk do të turpërohet.

Ja, skamnori e thirri në ndihmë e

Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi

nga të gjitha vuajtjet e tija.

———————————————–

 

Leximi i dytë   2 Kor 5, 17-21

Krishti na ka pajtuar me Atin. Jeta e tij dhe mesazhi i tij kanë këtë domethënie për ne: hir, falje, bamirësi, paqe, nga ana e Hyjit drejt njeriut.  Të gjithë këtë Jezusi na e ka dhuruar duke marrë dobësinë tonë.  Ndërsa Jezusi nga një anë duke u bërë solidar me jetën tonë të mjerë na bën pjesëmarrës në vetë jetën e Hyjit. 

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin. Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e kundër teje!’

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli   Lk 15, 1-3.11-32

Shëmbëlltyra e djalit të humbur na bën të kuptojmë misterin e errësirës dhe të vdekjes që vepron në rebelimin ndaj vullnetit të dashurisë së Atit qiellor dhe nga ana tjetër madhështinë e pafund të mëshirës së tij për fëmijët që e tradhtojnë dhe e ofendojnë pa e kuptuar greminën në të cilën kanë rënë.  Kisha ekziston sot falë mëshirës së Hyjit e nëpërmjet këtij veprimi dashurie Hyji ka themeluar popullin që jemi ne, të përbërë nga bij të humbur dhe dele të humbura. 

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.” Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.  Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen.  Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda.

I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çfarë provon Hyji kur na pajton me veten nëpërmjet Jezusit? Ҫfarë duhej të provonte njeriu pas mëkatit të tij? Këtyre pyetjeve u përgjigjet shëm-bëlltyra e “Atit të mëshirshëm”.

Djali i vogël i thotë të atit: “Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!”. Ai refuzon të jetë bir, të marrë të gjithë dashurinë e Tij, duke pretenduar se është pronar i vetvetes, si Adami në Eden. Mëkati më i rëndë i të riut nuk qëndron aq në shpërdorimin e trashëgimisë me prostitutat, por në prishjen e marrëdhënies së tij me atin qiellor e pastaj me atë tokësor.

“O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje!”. Duke lënë shtëpinë atërore, hyn në vdekjen; duke u kthyer tek Ati kthehet në jetë: “do ngrihem e do shkoj tek babai im!”. Djali i humbur vështron brenda vetes e vendos të kthehet më shumë për mallin që ka për shtëpinë, për ushqimin e bollshëm, se sa për mallin që ka për atin dhe familjen e tij. Por ati e pret: “ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap e mori n’grykë dhe e puthi”.

Ҫast kulmor: përqafimi atëror që fshin menjëherë çdo faj. E në shtëpi fillon festa e madhe për atë djalë. “Duhet të festojmë e të gëzohemi sepse ky djali im … ky vëllai yt kishte vdekur dhe u ngjall”. Si shkak i gëzimit atëror, i madhi, ndjen se ka të drejta më shumë, kërkon drejtësi, kërkon që fajtori të paguajë. Ndërsa fajtori sjell gëzim dhe festë, “i drejti” i vë të gjithë në siklet. Përpara Atit të dy kanë nevojë të kthehen.

 

Lutja e Besimtarëve

   L. Vëllezër e motra, Zoti na do, na fal dhe na shpëton. Gëzimi i tij është të na japë jetën e vet. T’i besojmë premtimit që na jepet nga Krishti, Biri i tij. Të lutemi së bashku e të themi:

 Na trego, o Zot, mëshirën tënde.

 L. O Zot, bëj që Kisha të ushtrojë me besim shërbesën e pajtimit dhe t’i pranojë të gjithë me dashuri nëne. Të lutemi

 L. O Zot, mbështeti ata që kanë detyrën të kujdesen për mirëqënien e njerëzve: që të jenë të vëmendshëm për më të varfërit dhe për ata që kanë më shumë nevojë. Të lutemi

 L. O Zot Jezus, ne jemi larg nga shtëpia e Atit por ti ke ardhur për të na bërë të shijojmë mëshirën e Zotit. Të lutemi

 L. O Zot, bëj që nga kjo Eukaristi të dimë të kalojmë në jetën e përditshme me vëmendje dhe solidaritet për vëllain dhe motrën tonë që kanë gabuar. Të lutemi

 L. O Zot, një herë pasi kemi provuar mëshirën tënde, na jep hirin që të jemi të mëshirshëm kundrejt vëllezërve tanë. Të lutemi

 M. O Hyj, Ati ynë, pranoji lutjet tona e bëj të gjithë bijtë e tu të kryejnë, të lirë nga mëkati, një ecje të së vërtetës, drejtësisë dhe të paqes për të arritur një ditë, që të këndojmë në amshim mëshirën tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.  Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »