Prania aktive e Zotit në dramën e jetës sonë

Apr 3 • Meditimi i ditës

3 prill 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 49,8-15; Ps 144; Gjn 5,17-30)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një çast e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;

në bimë duke u dhuruar jetën; në kafshë duke u dhënë që të ndjejnë;

dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto edhe më shumë,

më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

Hyji sillej me mua ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)

Kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra që Hyji duhet të m`i mësojë,

dhe lutem për hirin që t`i vërej

dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, oZot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Po i lë mënjanëpunët dhe preokupimet e mia.

Po pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Gjn 5,17-30

17 Jezusi [në atë kohë] u përgjigj [Judenjve]:

“Im Atë vepron gjithmonë e edhe unë veproj.”

18 Për këtë arsye judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vritnin Jezusin, pse, jo vetëm se e prishte të shtunën, por edhe Hyjin e quante Atë të vetin, duke e barazuar veten me Hyjin.

19 Atëherë Jezusi u tha:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes,

përveç çka sheh se bën Ati;

çka bën ai,

po atë gjë bën edhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin

dhe i zbulon gjithçka bën ai.

Do t’i zbulojë edhe vepra më të mëdha se këto

që të mbeteni të habitur.

21 Dhe, sikurse Ati i ngjall të vdekurit

e i bën të jetojnë,

ashtu edhe Biri

i bën të jetojnë ata që do.

22 Ati në të vërtetë nuk gjykon askënd,

pse krejt gjykimin ia la në dorë Birit,

23 që të gjithë të nderojnë Birin

siç e nderojnë Atin.

Kush nuk e nderon Birin,

nuk e nderon as Atin që e dërgoi.

24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush e dëgjon fjalën time

dhe beson në atë që më dërgoi,

ka jetën e pasosur

dhe ai nuk del në gjyq,

por tashmë kaloi prej vdekjes në jetë.

25 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

po vjen koha ‑ tani është ‑

kur të vdekurit do ta dëgjojnë zërin e Birit

të Hyjit

dhe ata që ta dëgjojnë, do të jetojnë.

26 Dhe, sikurse Ati e ka jetën në vetvete,

po ashtu i dha zotësinë edhe Birit ta ketë jetën

në vetvete.

27 Atij ia dha edhe pushtetin të gjykojë,

sepse është Biri i njeriut.

28 E mos u çuditni:

po vjen koha,

kur të gjithë ata që pushojnë në varre

do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin:

ata që bënë mirë

‑ do të ngjallen për të jetuar,

ata që bënë keq,

‑ do të ngjallen për t’u dënuar.”

30 “Unë asgjë s’mund të bëj prej vetvetes;

si dëgjoj, ashtu gjykoj,

dhe gjykimi im është i drejtë,

sepse nuk kërkoj vullnetin tim,

por vullnetin e atij që më dërgoi.


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Marrëdhënia mes Jezusit dhe Atit të tij qiellor është tema e këtij paragrafi biblik. Jezusi lidh gjithçka në qenien dhe veprimin e vet me burimin në Atin e vet. “Unë s’mund të bëj asgjë prej vetvetes ” … “Unë nuk e bëj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi mua” (Atit). Ai dhe Ati janë të ndërthurur nga çdo pikëpamje, aq sa janë një (Gjoni 10,30). Nderoje Jezusin dhe do ta nderosh Atin.
  • Vë re fjalinë e habitshme: “Im Atë vepron gjithmonë e edhe unë veproj.” Hyji është i pranishëm mes nesh – “Emanuel”. Kjo, megjithatë, nuk është një prani pasive. Është një prani aktive në të cilën Hyji është përfshirë në dramën e jetës sonë si mik, partner.
  • Ndërsa e dëgjoj sërish fragmentin biblik, do ta kem para sysh se si verbëria e shpirtit mund të jetë më e keqe se verbëria e trupit. Do të mendoj se si Zoti vepron në jetën time dhe të gjej ngjarjet dhe rastet kur ka qenë ai në veprim.

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lutem dhe e meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën time.

Do ta falënderoj dhe do ta lus që edhe më tutje të mund ta njoh praninë e tij.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Raporti yt, Jezus, me Hyjin ka qenë kërcënim për të gjithë ata që Zotin e shikonin ndryshe. Jezus, ti flisje për Hyjin si për Atin që na do dhe ndaj të cilit kishte shumë besim. Më ndihmo të mendoj për raportet ndërnjerëzore që më kanë ndihmuar për  ta kuptuar çfarë ke menduar. Dëshiroj të pushoj në praninë e Zotit që më do pa masë.

Uniteti yt, Jezus, me Atin ka qenë i tillë që vepra e njërit ka qenë vepër edhe e tjetrit. Jezus, ti më beson mjaftueshëm sa që më thërret në të njëjtin unitet. Ma përkujton që çfarëdo që të bëj, të bëj së bashku me të dhe çka u bëj të tjerëve ia bëj edhe atij. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »