Errësira kurrë nuk do të mund ta mposhtë dritën

Apr 8 • Meditimi i ditës

8 prill 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Dan 13,1-9.15-18a.19-30.33-62; Ps 23,1-6; Gjn 8,12-20)

 


Prania e Hyjit
Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.
E marr me mend se si gjithçka rreth meje,
ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,
rrezaton praninë e Hyjit.

 


Liria
O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.
Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.
Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 


Ndërgjegjësimi
Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,
Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.
Si është duke kaluar dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 


Fjala
Tani e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me vëmendje dhe kuptim

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.


 

Gjn 8, 12-20

 

12 Atëherë Jezusi u tha përsëri:
“Unë jam drita e botës.
Kush vjen pas meje,
nuk do të ecë në errësirë,
por do ta ketë dritën e jetës.”
13 Atëherë farisenjtë i thanë:
“Ti vetë po bën dëshmi për vetveten: dëshmia jote
s’mund të jetë e vërtetë.”
14 Jezusi u përgjigj:
“Po qe se unë bëj dëshmi edhe për vetveten,
prapë se prapë dëshmia ime është e vërtetë,
sepse e di se prej nga erdha e kah shkoj.
Ndërsa ju nuk dini
as prej nga vij as kah shkoj.
15 Ju gjykoni siç dukem përjashta,
unë nuk gjykoj askënd.
16 Por edhe në gjykoj,
gjyqi im është i vërtetë,
sepse unë nuk jam vetëm,
por unë dhe ai që më dërgoi Ati.
17 Por edhe në Ligjin tuaj shkruan:
dëshmia e dy vetëve është e vërtetë.
18 Unë dëshmoj për vetveten
e për mua dëshmon edhe ai që më dërgoi,
Ati.”
19 Atëherë ata i thanë:
“Ku është yt Atë?”
Jezusi iu përgjigj:
“Ju nuk më njihni mua as Atin tim.
Po të më njihnit mua
do ta njihnit edhe Atin tim!”
20 Këto fjalë Jezusi i foli në Thesarore, ndërsa po mësonte në Tempull, dhe askush nuk e preku, sepse ende nuk kishte arritur koha e tij.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në ditën e parë të krijimit Zoti i kaploi qiejt dhe tokën me dritën hyjnore duke shqiptuar fjalë të fuqishme: “Le të bëhet dritë”. Pa marrë parasysh se sa mund të duket e errët, ia kujtoj vetes se errësira kurrë nuk do të mund ta mposhtë dritën. I drejtohem Krishtit, Dritës së botës.
  • Do të lutem me fjalët e Shën Benediktit: “O Atë mëshirues dhe i shenjtë, na jep urti që të vërejmë ty, zell që të kërkojmë ty, durim që të presim ty, sy që të shohim ty, zemër që të mendojmë për ty dhe jetë që të shpallim ty, me fuqi të frymës së Jezu Krishtit, Zotit tonë.“

E dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit dhe shoh se ç’po ndoh në zemrën time.

Bashkëbisedimi
Nganjëherë e pyes veten çfarë do të thosha në takimin personal me ty.
Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.
E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur
dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.  Kur hyjmë në pranverë, është momenti kur nata bëhet e gjatë sa edhe dita, pas kësaj drita e ditës bëhet gjithnjë e më e gjatë.

Ku ndodhem në këtë moment të jetës sime?

A jam ende në ndonjë errësirë apo gjysmë errësirë apo jam i gatshëm të dalë në dritën e përditshme dhe të qëndrojë në të duke iu afruar gjithnjë e më shumë dritës së ringjalljes që zgjatë për amshim?

O Zot, nuk mund të të gjejë në të kaluarën apo në të ardhmen, përveç në këtë moment – të tanishmin. Më mëso ta shfrytëzoj këtë moment në plotësi.

Nuk ka kuptim të shikoj përmbrapa apo përpara dhe të flas për diçka që ka kaluar apo që ende nuk ekziston. “Tani” është ajo që e kam. Kjo është një shenjë dhe sakrament i hirit që nuk shihet. Vetëm në të mund të afrohem ty, që je Drita e ime dhe e botës në të cilën jetojmë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »