Sa e mbaj fjalën?

Apr 11 • Meditimi i ditës

11 prill 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zan 17,3-9; Ps 105,4-9; Gjn 8,51-59)


Prania e Hyjit
E kujtoj se gjatë kohës së qëndrimit tim këtu ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Ndalem një moment dhe mendoj për këtë.

 

Liria
Zot, po ta ofroj temperamentin, natyrën time. Mbushe atë me durimin tënd. Bëj që t’i shoh ata që më nervozojnë si vëllezërit dhe motrat e mia.

 

Ndërgjegjësimi
Duke filluar prej majës së kokës dhe duke kaluar nëpër trup deri te këmbët ji i/e vëmendshëm/e për çdo pjesë të trupit. Butësisht përqendrohu në secilën pjesë … kokë … fytyrë … sy … qafë … supe etj. Për secilën pjesë, lejo disa momente të bëhesh i/e vetëdijshëm për atë që ndien, pa dhënë ndonjë gjykim për të. Lëviz me rend te pjesa tjetër derisa t’i kesh kushtuar vëmendje të gjithë trupit tënd. Pastaj shqyrtoje vetën tënde si tërësi…. ty si një person i bërë në ngjashmërinë e Hyjit … ty në të cilin Hyji vendos të banojë …

 

Fjala
E dëgjoj pjesën e Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Dëgjoj me mend e zemër.
Vërej fjalën apo ngjarjen që më lë përshtypje.


 

Zan 17,3-9

 

3 Abrami ra me fytyrë përdhe. 4 Dhe Hyji i tha:

“Ja, marrëveshja ime me ty:

Do të bëhesh trungu i popujve të shumtë.

5 Nuk do ta kesh më emrin Abram,

por emri yt do të jetë Abraham,

sepse të bëra babë të shumë kombeve.

6 Do të bëj të shtohesh shumë, tejet shumë,

prej teje do të bëj të rrjedhin popuj,

dhe prej teje do të lindin mbretër.

7 Do të bëj besëlidhje me ty

ndërmjet meje e teje,

dhe pas teje me breznitë që do të rrjedhin prej teje.

Kjo besëlidhje e përhershme

mua do të më bëjë Hyjin tënd

dhe Hyjin e pasardhësve të tu pas teje.

8 Ty dhe pasardhësve të tu pas teje,

do t’ua jap tokën e çojeve të tua,

mbarë dheun e Kanaanit, pronë të përhershme.

Dhe unë do të jem Hyji i tyre”.

9 Hyji i tha përsëri Abrahamit: “Ti duhet ta ruash besëlidhjen time, po ashtu edhe pasardhësit e tu brez pas brezit.


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Gjithnjë e më shumë në Bibël, Hyji na ofron një besëlidhje dashurie besnike. Hyji na ofron mundësinë për të gjetur identitetin tonë të vërtetë në marrëdhënie me Të. Hyji premton ta bëjë jetën tonë të frytshme. Si ndihesh kur i dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje? A mund ta ndjesh se ky premtim, i bërë mijëra vjet më parë Abrahamit dhe Sarës, të është bërë edhe ty? Si do të dukej sikur jeta jote të ishte e frytshme në mënyrën se si premton Hyji?
  • Cilën pjesë të vetes sate do të doje që Hyji ta bënte ‘jashtëzakonisht të frytshme’?
  • Vetëm Hyji është plotësisht besnik. Shkrimet e shenjta e theksojnë se dashuria e Hyjit vazhdon përjetë – ajo është e amshuar. Dëgjoje leximin – këtë premtim të madh të Hyjit – përsëri, duke kujtuar se është në natyrën e Hyjit që të jetë besnik dhe të mbajë premtime.

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Zotin një moment në lidhje me përgjigjen tënde ndaj këtij premtimi, për anën tënde të kësaj besëlidhjeje. Çfarë kthimi do të doje të bëje për dhuratën e dashurisë besnike të Hyjit?

 

Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Jeta e Abrahamit ishte fillimi i historisë së shpëtimit. Në moshën e tij të vjetër ai iu përgjigj thirrjes së Zotit për t`u nisur në një udhëtim të pasigurt në Tokën e Premtuar. Ai besonte në premtimin që Hyji ia kishte dhënë. Katër mijë vjet më vonë, edhe ne jemi të thirrur si një popull shtegtar, kurse premtimi i është dhënë secilit prej nesh.
“Kushdo që e mban fjalën time, ai kurrë nuk do ta shijojë vdekjen.” O Zot, a besoj përnjëmend në ato fjalë? Bëj që edhe unë ta dëgjoj fjalën tënde dhe ta zbatoj atë. Edhe unë duhet të jem “mbajtës i fjalës”. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »