Përgjegjësia dhe bashkëpërgjegjësia Prindër – Rini – Kishë

Apr 11 • Familja

Nga Don Lush Gjergji

 

Prindërit dhe familja janë bashkëpunëtorët e parë të Zotit në dhurimin, formimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinisë, gjë kjo që kërkon përgjegjësi dhe bashkëpërgjegjësi jo vetëm në lidhje prindër – rini, por edhe angazhim dhe bashkëveprim me shkollën dhe Kishën.

Nga këta 4 faktorë varet shumë edukimi i rinisë sonë, pasi mësimdhënësit janë prindërit e dytë të fëmijëve, kështu do të duhej të ishte, si dhe meshtarët dhe murgeshat, në edukimin shpirtëror dhe fetar.

INFORMIMI – dikur pranohej prej prindërve dhe familjes, pastaj prej shkollës dhe Kishës, shpesh në mënyrë pasive, si njoftim dhe mësim autoritar, ndërsa sot është shumë më dinamik dhe aktiv, kreativ, me rëndësi të veçantë të mjeteve pamore dëgjimore, radio, televizioni, interneti, telefoni…  Dikur kemi pasur pak informata, deri diku të sakta, ndërsa sot jemi të “bombarduar” nga shumë informata, të cilat na shqetësojnë dhe krijojnë pasiguri. Kjo lëmi paraqet shumë mundësi, por ka edhe mjaft rreziqe, që të merren, pranohen dhe përvetësohen informime të njëanshme dhe të gabuara, të rrezikshme. Prindërit e sotshëm  nuk mund t’ia delegojnë informimin vetëm shkollës, Kishës, shoqërisë, por duhet të jenë sa më të kujdesshëm për t’i ndihmuar dhe përcjellë fëmijët dhe rininë në informimin sa më të saktë dhe të shëndoshë.

FORMIMI – është faza e dytë e edukimit, që nuk përfshin vetëm mendjen, arsyen, por edhe vullnetin, lirinë, përgjegjësinë, trupin, psiken, shpirtin, moshën, gjininë, pra, tërësinë e qenies njerëzore. Mu për këtë formimi kërkon harmonizimin e rinisë me vetveten, trup, psike, shpirt, në tri fazat kohore: dje, sot, nesër, kërkesat, nevojat, mundësit, me të tjerët, unë, ti dhe ne, me Zotin dhe bashkësinë e krishterë, si parakusht për formimin sa më të mirë të identitetit dhe personalitetit bazik me këtë tri pika qendrore: e di kush jam, e di çka dua e di si dua të arrijë atë çka dua.

EDUKIMI – është fryt i informimit dhe formimit, si proces jetësor, gjithnjë aktual, sidomos në fazën e rinisë, që kërkon prej tyre gatishmëri për bashkëpunim me prindër, familje, shkollë, Kishë dhe shoqëri.

Edukimi permanent apo në vazhdimësi, përfshinë krejt njeriun, sidomos rreth vlerave dhe virtyteve njerëzore, si vlera e jetës, familjes, shkollimit, punës, përgjegjësisë, bashkëpunimit, flijimit, dhurimit, shërbimit. Prandaj bisedimi, dialogu dhe komunikimi prindër – rini duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i sinqertë nga dy anët, me shkëmbim personal dhe ndërpersonal të informatave, rreth të mirës së përbashkët.

Cilat janë temat boshte që duhet të trajtohen mes prindërve dhe rinisë?

Botëkuptimi i jetës në pikëpamje personale, familjare, shoqërore, kombëtare, kulturore, fetare, etike, morale. Çka domethënë sot të jetosh? Si mund dhe duhet të jetojmë, që të jemi sa më të lumtur? A ka kuptim jeta? Pse sot ka pak autoritet prindi, shkolla, Kisha, shoqëria? Dukuritë si aborti dhe përjashtimi i pleqve, janë shenja të dëbimit të jetës në zanafillë dhe në mbarim, të frikës dhe papërgjegjësisë. Çka mund të bëjmë ne për ta ruajtur jetën tonë dhe të tjerëve? Sot çmimet e jetës, gjërave që shiten dhe blehen,  rriten gjithnjë, por çmimi i jetës është vazhdimisht më i vogël!

Botëkuptimi i familjes dikur dhe sot, familja patriarkale dhe bërthamore, me proceset e mërgimit jashtë dhe atij të brendshëm. Sa rinia jonë është e aftësuar për marrëdhënie personale, për përgjegjësi familjare dhe shoqërore, për jetë fetare?

Botëkuptimi i punës, jo vetëm si mjet fitimi dhe pasurimi, materializmi, lakmia, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi: punë për mua, punë për ty…, por si mundësi krijimtarie, realizimi, bashkëpunimi me të tjerët.

Vetmia, izolimi, largimi prej njëri – tjetrit, indiferentizmi, mërzia, depresioni, pasiguria, frika, kërcnimi…

“Hallkat e jetës” janë copëtuar, kështu që njeriu sot ndihet shpesh keq, nuk e di pse dhe si, është pa ndonjë orientim dhe përcaktim. Familja është gjithnjë e më pak familje, vend jete, shkëmbimi i përvojave, marrëdhënieve, i përngjan ndonjë “bujtine” apo hoteli, sepse përshpejtimi i jetës dhe punës, terminët, na ngopin dhe na i marrin kohën, vullnetin, dëshirën për të qenë së bashku dhe një. Sistemi shkollor ka ndryshuar shumë, me programe të reja, që shkaktojnë vështirësi te mësimdhënësit, fëmijët dhe prindërit.  Shkollimi është gjithnjë e më pak arsimim, aftësim profesional për jetë dhe punë, edhe më pak qytetërim, jep pak mundësi për punësim dhe jetë. Kisha është më periferike, e larguar nga jeta e përditshme e besimtarëve, të cilën nuk kanë më kohë për Askënd, për Zotin, Kishën, familjen, vetveten, në ritmin e përshpejtuar të jetës dhe punës. Ky botëkuptim e trajton Kishën më tepër si vend kulti dhe riti, si ndonjë “servis” i Zotit për nevoja urgjente, raste të vështira… Shoqëria e sotme është anonime, e padefinuar mirë mes dy sistemeve të dikurshme, të kapitalizmit dhe socializmit, demokracisë dhe diktaturës, publikes dhe privates,  me mbizotërim të egoizmit, egocentrizmit, indiferentizmit, ndikimeve  familjare, partiake, grupore…

Çka mund të bëjmë ne si të krishterë në këtë situatë? Ji vetvetja, personalisht dhe familjarisht, dhe mundësoja edhe tjetrit këtë gjë. Kërkoje dhe gjeje vetveten në rrethin familjar dhe në bashkësinë e famullisë, si familje e madhe e Zotit. Vazhdimisht ktheju vetvetes dhe të Vërtetës – Zotit, Dashurisë, pa të cilin s’ka asgjë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »