Zoti e sheh atë që dëshiron të jesh

Apr 12 • Meditimi i ditës

12 prill 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jer 20,10-13; Ps 18,2-7; Gjn 10,31-42)

 

Prania e Hyjit
Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht para teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria
O Zot – ti e di atë që më duhet ta bëj sot dhe s`besoj se mund ta bëj. Këtu dhe tani po ta dorëzoj këtë ty, në mënyrë që të ndodhë për lavdinë tënde më të madhe.

 

Ndërgjegjësimi
Dëgjoji tingujt që mund t’i kap veshi rreth vetes.

Nëse je në ambiente të mbyllura, në shtëpi, lejoji vetes t’i vësh re tingujt jashtë dhe brenda dhomës.

Dalloje çdo tingull, sa të mundesh.

Butësisht, ngadalë, pa gjykim, përqendroje vëmendjen tënde në secilin prej tyre.

Ktheje përsëri vëmendjen tënde në vendin ku ke qenë më parë.

Nëse ndodh ndonjë tingull i papritur apo ndonjë pengesë që ta zhvendos vëmendjen, pranoje dhe emërtoje atë. Mos u mundo ta injorosh atë.

Kur të jesh gati, bëhu i/e vetëdijshëm për tingujt e frymëmarrjes sate.

Përmes tingujve, ji i/e vëmendshëm ndaj ftesës së Hyjit, që banon në krijim …

 

Fjala
I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit me mend e zemër,
dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më lë përshtypje.


Jer 20,10-13

 

10 I dëgjoja shpifjet e shumëve,

tmerr gjithkund përreth:

‘Paditeni! Le ta padisim!’

Të gjithë dashamirësit e mi

vërenin rënien time:

‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet!

Do të ngadhënjejmë mbi të,

atëherë do të hakmerremi!’

11 Por me mua është Zoti si trimi i trimave,

prandaj ata që më përndjekin,

do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë:

turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit,

turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet!

12 O Zoti i Ushtrive,

ti, o sprovuesi i të drejtit,

që ia sheh veshka e zemër,

bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta,

sepse në dorë tënde e lashë çështjen time!

13 Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin,

që e çliroi shpirtin e të varfërit

nga dora e keqbërësve.


Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ky lexim vjen nga një kohë tragjike në historinë e Izraelit dhe në jetën e Jeremisë profet. Që nga kohët më të hershme, kisha e krishterë e ka marrë atë duke iu referuar vuajtjes dhe vdekjes së Jezusit. Profeti ndjen frikë të thellë, ai ndihet i tradhtuar nga ata të cilëve u kishte besuar. Në të njëjtën kohë ai përjeton besim dhe shpresë në një Hyj që nuk do ta lejojë atë të shkatërrohet. A të zgjon ky lexim kujtime nga kohët kur je ndjerë i/e tradhtuar dhe i/e zhgënjyer? A t’i kujton pasiguritë e tua?
  • Një mistik anglez mesjetar shkruante: ‘Jo atë që je, as atë që ke qenë, por atë që dëshiron të jesh është ajo që sheh Hyji, me sy të mëshirshëm’. Jeremia shpall që Hyji sheh në zemrën dhe mendjen e njeriut. Çka gjen Hyji në zemrën dhe mendjen tënde? A guxon të lejosh që Hyji të shikojë brenda? Si mendon se ndihet Hyji kur ai shikon në zemrën tënde?
  • Ndërsa i dëgjon përsëri fjalët e Jeremisë, dëgjoje frikën dhe pikëllimin, por dëgjoje gjithashtu shpresën dhe besimin.

 

Bashkëbisedimi

A e ke përjetuar ndonjëherë një besim të tillë, përballë zhgënjimit dhe vetmisë?

A mund t’i kërkosh Hyjit që ta rrisë besimin dhe shpresën tënde?

 

Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Jezusi, sa ishte në tokë, nuk e ka ngritur veten përmbi njerëz të tjerë, mirëpo i ka thirrur që ta kuptojnë vlerën e tij.

Zoti rregullisht lë përshtypje në ne se duhet vepruar sipas fjalës së tij. Dikush mund të argumentojë lidhur me fjalët, por nuk mund t’u rezistojë veprave, ato flasin vetvetiu. Fjala është e mbjellë thellë në mua dhe lutem me fjalët e Jakobit Apostull: “Bëj të jem zbatues i fjalës dhe jo dëgjues harraq.” Bota i vështron veprat e të krishterëve të cilat shpesh herë nuk janë mbresëlënëse. 
O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë. Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë. Faleminderit që më do. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »