Hyrja e solemne e Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e tija shpëtimprurëse

E diela e Larit – viti C

 

 

Ritet fillestare

 

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit  Shenjt. Amen.

 

Përkujtimi i hyrjes së Zotit në Jerusalem

Vëllezër e motra: Qysh prej fillimit të krezhmëve i përgatitëm zemrat tona me pendesë dhe me vepra dashurie; sot jemi bashkuar, që me mbarë Kishën të bëhemi gati për misterin e Pashkëve të Zotit tonë, domethënë për misterin e mundimeve dhe të ngjalljes së tij, për të cilin edhe hyri në Jeruzalem, qytetin e vet. Prandaj ta ndjekim Krishtin me fe të gjallë dhe përkushti, duke e përkujtuar këtë hyrje shpëtimprurëse, pasi me anë të hirit u bëmë pjesëtarë të kryqit, të kemi pjesë në ngjalljen dhe jetën e tij.

 

Të lutemi

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shenjtëroji me bekimin tënd X këta rrema, që ne, të cilët me gëzim po e përcjellim Krishtin Mbret, nëpër të të mund të arrijmë në Jerusalem të amshuar. Ai që jeton dhe mbretëron në shekujt e shekujve.

Dhe i stërpik rremat me ujë të bekuar duke mos thënë asgjë. Pastaj lexohet ungjilli i mëposhtëm.

 

Ungjilli   Lk 19, 28-40

Një profet duhet të vdesë në Jeruzalem: është pikërisht kjo arsyeja që Jezusi hyn në qytetin e vet ku do të kryhet fati i tij.  Paraqitet si një Mesi i varfër; nuk përdor një kalë të fuqishëm si atë të mbretërve, por një gomar të zakonshëm. Fitorja e Jezusit në thjeshtësinë dhe varfërinë e tij tërheq rreth vetes ligësinë dhe arrogancën e të mëdhenjve. 

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi vazhdoi rrugën përpara duke u ngjitur në Jerusalem. Kur iu afrua Betfages dhe Betanisë, përngjat malit që quhet i Ullinjve, i dërgoi dy nxënës dhe u tha: “Shkoni në fshat që është kundruall. Sa të hyni në të, do ta gjeni një gomar të lidhur, në shpinë të cilit ende askush nuk hypi. Zgjidhnie dhe binie! Nëse ndokush ju pyet: ‘Pse po e zgjidhni?’ – thoni kështu: ‘Po i duhet Zotërisë’!” Të dërguarit shkuan dhe gjetën ashtu si u kishte thënë. Ndërsa ata po e zgjidhnin gomarin, të zotët e gomarit u thanë: ‘Pse po e zgjidhni gomarin?’ Ata u gjegjën: “Po i duhet Zotërisë.” Dhe e sollën te Jezusi dhe, pasi i vunë petkat e veta mbi gomar, i ndihmuan të hypë edhe Jezusi. Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, njerëzit shtronin udhës petkat e veta. Ishte tashmë afër teposhtës së Malit të Ullinjve, kur qe, tërë ajo mori nxënësish, filloi plot gëzim e me zë të lartë të lëvdojë Hyjin për të gjitha veprat e madhërueshme që kishte parë dhe thoshte: “Qoftë bekuar ai që vjen – mbret – në emër të Zotit! Në qiell paqe, lavdi në më të lartin qiell!” Atëherë i thanë disa farisenj që ishin në popull: “Mësues, qortoj nxënësit e tu!” Ai u përgjigji: “Unë po ju them: nëse këta do të heshtin, gurët do të klithin!” Fjala e Zotit.

Pasi të lexohet ungjilli atëherë meshtari, ministrantët dhe populli nisen në procesion drejt kishës ku do të vazhdohet mesha e shenjtë.

 

Liturgjia e Fjalës

 

Leximi i parë   Is 50, 4-7

Profeti Isaia shumë vjet më parë prezanton shërbëtorin e Zotit që pranon persekutime për dashurinë e popullit të tij.  Ai mëson nga Hyji si të reagojë duke përdorur forcën e jo dhunës, ai ia beson mbrojtjen e tij vetë Hyjit.  Kështu i ndodhi Jezusit gjatë mundimeve të tij: pranoi poshtërimet për të çliruar zemrën e njeriut nga errësirat e urrejtjes.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  22

 

Ref: O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje?

——————————————–

Gjithkush më shikon, më përqesh,

shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,

le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

——————————————–

Më rrethuan qen me shumicë,

turmë bakëqijsh më rrethuan gjithkah.

M’i shporuan duart e këmbët,

mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi.

——————————————–

Petkat e mia ndër vete i ndajnë,

e mbi petkun tim qeshin short.

Por ti, o Zot, mos rri larg meje,

fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

——————————————–

E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,

do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

“Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!

Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë.”

——————————————–

 

Leximi i dytë   Fil 2, 6-11

Shën Pali tregon se Jezusi ka pranuar plotësisht vdekjen në kryq. Ai u bë njeri me anë të mishërimit dhe u bë shërbëtor i njerëzve me anë të mundimeve. Jezusi duke pranuar lirisht dhe për dashuri planin e Atit gjatë mundimeve ka arritur fitoren e amshuar të ngjalljes.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Krishti Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi, dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Lk 22, 14 – 23, 56

 

Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Lukës

Kur erdhi koha, Jezusi u ul në tryezë e me të bashkë edhe apostujt. U tha: “Me gjithë shpirt kam pasur dëshirë ta ha këtë Darkë të Pashkëve bashkë me ju para se të pësoj, sepse juve po ju them: nuk do ta ha më para se të marrë fund në Mbretërinë e Hyjit.” Atëherë mori gotën, falënderoi e tha:

“Merreni e ndajeni mes jush! Vërtet, unë po ju them se prej këtij çasti s’do të pi më fryt hardhie derisa të vijë Mbretëria e Hyjit.” Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha: “Ky është trupi im [që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!” E mori gjithashtu edhe kelkun, pasi u krye darka, e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim që derdhet për ju. ”] “Por, ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë! Biri i njeriut njëmend po shkon ashtu siç u caktua, porse, i mjeri ai njeri që po e tradhton!” Ata zunë ta pyesnin njëri‑tjetrin cili prej tyre do të ishte ai që do ta bënte këtë gjë. Atëherë apostujt filluan të grinden mes tyre: cili prej tyre do të ishte më i madhi. Jezusi u tha:“Mbretërit e paganëve sundojnë me ta si zotërues; madje ata që sundojnë mbi ta kërkojnë të quhen ‘Bamirës’! Ju s’guxoni të bëni ashtu! Përkundrazi, më i madhi ndër ju të jetë si të ishte më i riu, kurse kryetari, sikur të ishte ai që shërben. Cili, në të vërtetë, është më i madh: ai që është në tryezë, apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? Tashti, unë jam ndër ju porsi ai që shërben.” “Ju jeni ata që, në provat e mia, qëndruat vazhdimisht me mua. Prandaj, unë po jua lë trashëgim Mbretërinë ashtu si ma dha mua im Atë: që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time dhe të rrini në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.”

“Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t’ju shoshë porsi grurin! Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu.” “Zotëri ‑ i tha Pjetri ‑ jam gati të shkoj me ty edhe në burg edhe në vdekje!” Jezusi iu përgjigj: “Unë po të them, o Pjetër, se sot, nuk do të këndojë gjeli, para se ti të mohosh tri herë se më njeh!” Dhe u tha: “Kur ju dërgova pa qese, pa strajcë e pa sandale a ju mungoi gjë?” “Asgjë! ‑ u përgjigjën ata. Atëherë u tha: “Tani, kush ka qese, le ta marrë! Po ashtu edhe strajcën! E kush nuk ka shpatë, le t’i shesë petkat e veta e le ta blejë! Sepse, unë po ju them: në mua duhet të vërtetohet fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘U radhit ndër keqbërës!’ Vërtet, gjithçka u parafol për mua, po shkon në vend.” Ata i thanë: “Zotëri, ja, këtu dy shpata!” Ai iu përgjigj: “Mjaftojnë!” Pastaj doli prej andej e u nis, si rëndom, drejt Malit të Ullinjve. Pas tij shkuan edhe nxënësit. Kur arriti në atë vend, u tha: “Lutuni që të mos bini në tundim!” Dhe ai u largua prej tyre sa mund të hidhet guri, u ul në gjunjë dhe zuri të lutet: “O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje! Veçse, le të bëhet, jo vullneti im, por vullneti yt!” Atëherë iu dëftua një engjëll nga qielli që i dha zemër. Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër. Djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.

U çua prej lutjes, shkoi te nxënësit. I gjeti fjetur. I kishte këputur trishtimi. U tha: “Pse po flini? Çohuni! Lutuni të mos bini në tundim!” Ndërsa ai ende po fliste, ja, ia behu një turmë. Në krye të saj ishte ai që quhet Judë ‑ njëri prej të Dymbëdhjetëve. Ai iu afrua Jezusit për ta puthur. Jezusi i tha: “O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut?” Ata që ishin përreth tij, duke parë çka po ndodhte, thanë: “Zotëri, a t’u biem me shpatë?” Dhe njëri prej tyre i ra shërbëtorit të kryepriftit e ia preu veshin e djathtë, Jezusi tha: “Zini vend! Mjaft!” ‑ dhe ia preku veshin e ia shëroi. Atëherë Jezusi u tha atyre që kishin ardhur kundër tij, kryepriftërinjve e krerëve të rojës së Tempullit dhe pleqve: “Erdhët, si të isha unë cub, me shpata e shkopinj! Përditë isha në Tempull me ju e nuk çuat dorë mbi mua. Porse kjo është ora juaj dhe pushteti i territ.” E kapën, pra, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Pjetri e ndiqte për së largu. Ata ndezën zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij. Ndër ta u ul edhe Pjetri. Kur një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi mirë dhe tha: “Edhe ky ishte me të!” Ai i ra mohit: “Nuk e njoh, moj fisnike!” Pak më vonë e vuri re një tjetër e tha: “Edhe ti je prej tyre!” “Nuk jam, o njeri!” ‑ iu përgjigj Pjetri. Dhe pas, diku pas një ore, një tjetër tha: “Me të vërtetë edhe ky ishte me të! Sepse është edhe galileas!” Pjetri u përgjigj: “S’di ç’po thua, o burrë!”

Dhe tamam atëherë, ndërsa ende po fliste ‑ këndoi gjeli. Zotëria u kthye dhe ia lëshoi sytë Pjetrit. Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotërisë që ia pati thënë: ‘Para se sot të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!’ Doli përjashta dhe qau thekshëm. Njerëzit që e ruanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.  ia mbulonin fytyrën dhe i thoshin “Dëftohu profet ‑ gjeje kush të ra!” I thoshin edhe shumë të shara të tjera. Kur zbardhi drita u mblodhën krerët e popullit, kryepriftërinjtë e skribët, e çuan Jezusin në Këshillin e Lartë të vetin  dhe i thanë: “Nëse ti je Mesia, na thuaj!” Ai u përgjigj: “Nëse ju them, s’do të më besoni; nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjeni. Por pas këtij momenti, Biri i njeriut do të rrijë në të djathtën e Hyjit të gjithëpushtetshëm.” Atëherë i thanë të gjithë: “Ti, pra, qenke Biri i Hyjit?!” Ai u përgjigj: “Ju thoni të vërtetën! Unë jam!” Atëherë ata thanë: “Ç’dëshmi tjetër na duhet? Ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij!” Atëherë u ngritën të gjithë së bashku, e çuan te Pilati dhe zunë ta padisin: “Këtë njeri e zumë duke nxitur tonë në kryengritje, ndalon t’i jepet Cezarit tatimi e për vete thotë se është Mesia ‑ Mbret.” Pilati e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Ai iu përgjigj: “Ti po thua!” Pilati u tha atëherë kryepriftërinjve dhe vegjëlisë: “Kurrfarë faji s’po gjej në këtë njeri.” Por ata ngulnin këmbë duke thënë: “Ky po çon në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që prejGalilesë, ku ia filloi e deri këtu.” Në këto fjalë Pilati pyeti a mos është ky njeri galileas. Kur e mori vesh se është nën pushtetin e Herodit, e dërgoi te Herodi që, ndër ato ditë, gjendej edhe ai në Jerusalem. Herodi u gëzua fort kur e pa Jezusin. Kaherë kishte pasur dëshirë ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte se do të shihte ndonjë mrekulli të tijën. I bëri shumë pyetje, porse Jezusi s’iu përgjigj fare. Aty ishin edhe krerët e priftërinjve dhe skribët, të cilët e paditnin me këmbëngulje. Herodi, bashkë me ushtarët e vet e përbuzi Jezusin dhe e vuri në lojë: e veshi me petk të bardhë dhe ia ktheu Pilatit.  Po atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq: më parë ishin armiq. Pilati grishi në mbledhje krerët e priftë‑ rinjve, anëtarët e Këshillit të lartë dhe dhe u tha: “Këtë njeri e sollët para meje duke e paditur se po nxit në kryengritje, dhe, ja, unë e pyeta para jush e nuk i gjeta kurrfarë faji, për të cilin ju e paditni. Por, as Herodi, pasi e ktheu prapë tek ne. Ja, pra, ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 16 Prandaj, do ta ndëshkoj e pastaj do ta lëshoj.” Por ata zunë të bërtasin njëzëri: “Këtë vrite e na liro Barabën!” Baraba ishte i burgosur për shkak të një kryengritjeje e për vrasje. Pilati foli prapë, sepse dëshironte ta lirojë Jezusin. Por ata bërtitnin: “Kryqëzoje! Kryqëzoje!” Ai u tha të tretën herë: “Po ç’të keqe ka bërë? Unë nuk gjeta në të faj që meriton vdekjen. Do ta ndëshkoj, pra, dhe do ta lëshoj.” Porse ata me britma të mëdha e me këmbëngulje kërkonin ta kryqëzojë: britmat e tyre bëheshin përherë e më të mëdha. Atëherë Pilati vendosi të bëhej ashtu si kërkonin ata. Ua lëshoi atë që u burgos për kryengritje e vrasje ‑ atë që kërkuan ‑ kurse Jezusin ua dorëzoi vullnetit të tyre. Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, kapën një farë Simoni prej Cirene, që po kthente nga fusha, ia vunë në krah kryqin që ta mbarte pas Jezusit. Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish e disa gra që e qanin dhe e vajtonin. Jezusi u kthye kah ato dhe tha: “Bijat e Jerusalemit! Mos më qani mua, por qani veten e fëmijët tuaj! Sepse, ja, po vjen koha, kur do të thuhet: ‘Lum beronjat! Lum ato që s’lindën kurrë e që nuk patën kujt t’i japin gji!’ Atëherë do të fillojnë ‘t’u thonë maleve: bini mbi ne! e kodrave: na mbuloni!’ Sepse, nëse veprohet kështu me drunë e njomë, çka do të ndodhë me të thatën?” I sollën edhe dy të tjerë ‑ keqbërës për t’i vrarë bashkë me të. Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. E Jezusi lutej: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”  E ‘për t’i ndarë petkat e tij hodhën short’. Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë: “Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.” Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!” Dhe tha: “Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Ishte rreth orës gjashtë e terri e mbështolli mbarë tokën deri në orën nëntë. Dielli u zu e kultrina e Tempullit u nda përmes. Atëherë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha: “O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!” Si tha këto, dha shpirt. Centurioni, kur pa ç’ndodhi, zuri të lëvdojë Hyjin dhe tha: “Ky njeri ishte me të vërtetë i drejtë!” Po edhe të gjithë njerëzit, që u grumbulluan për të parë ngjarjen, kur panë se ç’ndodhi, u kthyen duke rrahur kraharorin. Të gjithë miqtë e tij rrinin larg, po ashtu edhe gratë, që e kishin përcjellë prej Galilesë, dhe po vërenin. Atëherë erdhi një njeri që quhet Jozef. Ky ishte anëtar i Këshillit [dhe] burrë i mirë dhe i drejtë. Ky nuk e miratoi vendimin as veprimin e tyre.   Ishte prej Arimateje, qytet i Judesë, dhe priste Mbretërinë e Hyjit.  Shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pasi e uli prej kryqit, e mbështolli në pëlhurë, e vuri në varr të gdhendur në gur, ku ende askush s’ishte varrosur. Ishte dita e Përgatitjes, e po afrohej e shtuna. E përcollën edhe gratë që erdhën me Jezusin prej Galilesë; e panë varrin dhe si u vu trupi i Jezusit.  Pastaj u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra të erëndshëm. Fjala e Zotit.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Si dishepuj të vërtetë të ndjekim Krishtin, që hyn në Jeruzalem për të shkuar në takim me kryqin. Të thërrasim Hyjin Atin e plotmëshirshëm për shpëtimin e të gjithë njerëzve. Të lutemi së bashku e të themi:

Për mundimet e Birit tënd, na dëgjo, o Atë.

L. Për Kishën, që të bëhet gjithmonë e më shumë e ngjashme, ditë pas dite, me Krishtin e vdekur e të ngjallur. Të lutemi

L. Që degët e larit, që sot dërgojmë në shtëpitë tona, të jenë shenjë e qartë e angazhimit tonë për paqen. Të lutemi

L. Që Krishti i kryqëzuar të jetë modeli, në të cilin çdo i ri të shikojë në çdo çast të jetës së tij. Të lutemi

L. Që Java e Shenjtë që po fillojmë të jetë për bashkësinë tonë një moment meditimi, lutjeje dhe pendese në ndjekjen e Krishtit, që vdes dhe ringjallet për ne. Të lutemi

M. Dëgjoje, o Atë, lutjen e popullit tënd, që kremton mundimet e Birit tënd; bëj që, pasi ta kemi brohoritur në ditën e galdimit, të dimë ta ndjekim me besimin e dashurisë në orën e errët dhe plot jetë të kryqit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: