Katedralja Notre-Dame në Paris përfshihet nga zjarri dhe shkatërron pjesën dërmuese të saj

Apr 15 • Kisha në botë, Kulturë

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme (ora 18:45) katedralen e famshme të Notre-Dame në Paris, trashëgimi e UNESCO-s, simbol i popullit dhe katolikëve francez.

Qytetarë, besimtarë, turistë e kalimtarë të shtangur po shihnin të shkrumbohej para syve të tyre monumenti gotik më i famshëm i kulturës mesjetare europiane dhe simboli i katolikëve francez. Edhe e gjithë bota, me lot për faqe, po e përjetonte drejtpërdrejt nëpër ekrane televizive humbjen e kësaj perle të kulturës botërore.

Sipas informatave të deritanishme besohet se flakët kanë shpërthyer në zonën e çatisë së katedrales, pikërisht në skelet që ishin përgatitur për restaurimet që mendohej të kryheshin viteve në vazhdim për të shpëtuar disa pjesë të saj tashme të dëmtuara. Për fat të keq, sot ajo  pjesa dërmuese e saj u shkatërrua dhe do të duhej vite të tëra, e ndoshta shekuj, për ta rindërtuar.

Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar shumë figura botërore, institucione të kulturës dhe artit, kurse presidenti francez Emmanuel Macron, i cili pritej të mbante një fjalim të drejtpërdrejtë drejtuar popullit francez, e anulon fjalimin dhe deklaron i trishtuar, se një pjesë e jona po digjet:

“Notre-Dame e Parisit është përfshirë nga flakët. Emocioni i një kombi të tërë, Mendimi i të gjithë katolikëve dhe francezëve. Si të gjithë bashkë-kombasit e mi, jam i trishtuar në këtë mbrëmje teksa shoh të digjet një pjesë jana’, shkruan në Twitter presidenti francez.

Kisha katolike Notre-Dame de Paris (Zoja jonë e Parisit) është katedralja e Argjipeshkvisë së Parisit, e kushtuar Zojës së Bekuar, e cila u ndërtua mes viteve 1163-1345, dhe njihet si një ndër kishat e hershme gotike në Francë. Emri i saj frëngjisht “Cathédrale Notre-Dame de Paris“, prej shumë njerëzve njihet edhe vetëm si Notre-Dame. Dy kumbonaret e saj janë 69 metra të larta, ndërsa një pjesë e çatisë arrinte lartësinë prej 96 metrash. Pjesa e brendshme 130 metra e gjatë. Gjerësia e saj 48 metra në lartësi prej 35 metrash. Hapësira e saj është aq e madhe sa që mund të hyjnë deri në 10.000 persona. Një ndër monumentet më të vizituar në Francë: çdo ditë e vizatonin 30.000, kurse në vjet arrinte deri në 13 milion persona./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »