Takimi i Drejtorit Gjeneral të Caritas Kosova Don Viktor Sopi me Kryeministrin z. Ramush Haradinaj

Apr 15 • Kisha në Kosovë, Res socialis

Me qëllim të promovimit të punës dhe aktivitetit të Caritasit të Kosovës, në të mirë të njerëzve në nevojë, Don Viktor Sopi – Drejtor Gjeneral dhe stafi i Caritasit u pritën sot në takim nga Kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj.

Ky ishte takimi i radhës me shumë akter relevant të Institucioneve Shtetërore kundrejt të cilëve Caritasi bënë avokim institucional dhe përpiqet që të promovohet puna dhe misioni i Caritasit, i cili në epiqendër të tij ka njeriun dhe dinjitetin e tij. Caritas Kosova promovon drejtësinë, vlerat universale dhe ndërtimin e paqes, përmirëson cilësinë e jetës së qytetarëve, gjithëpërfshirjen sociale, jep shpresë për të pambrojturit dhe kujdeset që të rimëkëmben grupet në nevojë duke i fuqizuar ata në realizimin e të drejtave themelore në të gjitha fushat e zhvillimit njerëzor.

Në takim me Kryeministrin z. Haradinaj, Don Viktor Sopi paraqiti angazhimin e madh dhe rolin e jashtëzakonshëm të Caritasit në komponentën sociale në vend përmes veprimeve të shumta, me theks të veçantë në fushën e përkujdesit social dhe shëndetësor shtëpiak. Caritas Kosova është lider në nivel të vendit në ofrimin e shërbimeve të kombinuara sociale dhe shëndetësore, me qenë se për 10 vite zbaton programin Home Care në principet e përvojës gjermane. Caritasi gjatë vitit 2018 edhe zyrtarisht është licencuar në nivel nacional për ofrimin e këtyre shërbimeve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Po ashtu u theksua që Caritasi ka përvojë të madhe në ofrimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, komunitetet pakicë, promovimin e paqes dhe pajtimit, si dhe inovacioneve të ndryshme për të përkrahur punësimit dhe reduktuar varfërinë.

Po ashtu, u diskutua mundësia e zgjerimit të shërbimeve sociale dhe shëndetësore në komunat e ndryshme të Kosovës duke u bazuar në kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve dhe pushtetit lokal për shërbimet në fjalë.

Z. Haradinaj vlerësoi lartë kontributin e Caritasit të Kosovës në komponentën sociale si dhe shërbimin dhe kujdesin për personat në nevojë. Duke njohur nga afër punën shumëvjeçare të Caritasit në shumë pjesë të Republikës së Kosovës ai premtoi mbështetjen dhe zgjerimin e aktivitetit të Caritasit në fushën e kujdesit social dhe shëndetësor për të moshuarit e sëmurë dhe të vetmuar si dhe për personat me regjim shtrati. Si rrjedhojë, për ofrimin e këtyre shërbimeve do të angazhoheshin edhe shumë kuadro profesionale shëndetësore.

Temë tjetër e diskutimit ishte edhe çështja e trajtimit dhe rehabilitimit të përdoruesve të substancave narkotike si dhe nevoja për një qendër rehabilituese.

Mbetemi me shpresë që Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet tjera relevante do të mbështesin Caritasin e Kosovës në punën dhe misionin e tij për t’u kujdesur për më të margjinalizuarit në shoqërinë kosovare.

Përgatiti: Caritas Kosova

Shpërndaje

Comments are closed.

« »