Vdiq babai i të varfërve – Atë Maurizio Annoni (1952 – 2019)

Apr 15 • Kisha në botë

Nga Don Lush Gjergji

 

Më 11 prill 2019, pas një sëmundje të rëndë, vdiq në spital në Milano atë Maurizio Annoni, i quajtur dhe njohur nga të gjithë si “babai i të varfërve” të Milanos dhe rrethit, njeri feje, i cili e ka njohur, dashur dhe shërbyer çdo ditë Krishtin në të varfër, të braktisur, të sëmurë, nevojtarë. Ai me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, ishte i mirë si “buka”, duke u dhuruar për të varfër nëpërmjet “mensës së të varfërve”, për të dhuruar jo vetëm bukë, ushqim, por mbi të gjitha dinjitet, vëllazëri, dashuri të krishterë.

Ai me tre vëllezër françeskanë, një murgeshë, mjeke – pediatër, 41 bashkëpunëtorë, mijëra vullnetarë, shumë të pastrehëve u ka mundësuar gjatë vitit 2018: larjen dhe ndërrimin e teshave (68. 855 njerëzve), kontrollime mjekësore (40. 188), pa numër dreka pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi. Gjithnjë thoshte: “Së pari të varfrit – Krishti, pastaj çdo gjë tjetër”.

Atë Maurizio ka jetuar për të tjerët dhe me të tjerët, me një fe të fortë dhe të gjallë, shpresë të përditshme, dashuri njerëzore dhe të krishterë. Nëpërmjet tij shumë njerëz e kanë përjetuar Zotin në vepër, dëshminë e krishterë, fenë e cila çdo ditë bëhej dashuri, shërbim, flijim, dhurim, kujdes, mirësi, pa kufi kohor apo hapësinor.

Të tillë janë “njerëzit e Zotit”, ndoshta për ne jo të rëndomtë, sfidë për jetën dhe veprimet tona, që jemi të “krishterë të fjetur”, siç thotë Papa Françesku, më tepër ritual dhe formal, se jetësor dhe dëshmitarë.

Ai nuk dëshironte të ishte vetëm biri i “kohës”, popullit apo shtetit të Italisë, të rregullit françeskan, i krishterë, por me sy të hapur dhe mendje të ndritur, me fe jetuese dhe fe frymëzuese, dhuronte vetveten, çdo gjë, për të qenë dhe mbetur dëshmitar dhe nxënës i Jezu Krishtit, Shën Françskut të Asizit.

Shumë njerëz sot thonë: ka vdekur një njeri – Atë Maurizio. Tjerët shtojnë: ka vdekur një i krishterë i vërtetë, rregulltar françeskan, i përshpirtshëm, i përvujtë, i mirë… Dikush me të drejtë thotë: ka vdekur “babai i të varfërve”. Mirëpo fatbardhësisht nuk vdes feja, shpresa, dashuria, njeriu që vërtet beson dhe dashuron.

Kryetari Milanos Beppe Sala thotë: “Milano ia ka një borxh të madh për angazhimin e tij të vazhdueshëm, gjithmonë i gatshëm për t’iu kushtuar nevojtarëve. Përshpirtëria e tij dhe shembulli i mirë është një trashëgimi për ne”.

Për këtë dhe për shumë vepra tjera të mira, e kujtojmë në uratë, dhe i dëshirojmë përqafim me Atin tonë të Mirë, me Jezusin, Bariun e Mirë, me Shpirtin Shenjt, që gjatë tërë jetës së tij e ka përkrahur dhe frymëzuar. Pushoftë në paqe!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »