Jezusi e njeh dobësinë tonë

Apr 16 • Meditimi i ditës

16 prill 2019 – E Marta e Madhe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 49,1-6, Ps 70; Gjn 13,21-33.36-38)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Zot, e di që ma kanë lakmuar pasurinë time dhe çuditesha se po e siguroja veten shumë mirë, por ndiej se këto ditë të ardhshme do të duhet që të jem guximtar/e dhe bujar/e.

Bëj që gjithçka që jam dhe gjithçka që kam, të jetë në shërbimin tënd.

 

Ndërgjegjësimi

Ti je qendra e jetës sime, o Zot.

Në mes të gjitha preokupimeve të mia, të gjitha shqetësimeve dhe brengave në mendjen time tani, a mund të përqendrohem një moment në qendrën e jetës sime?

A mund t’ia hap zemrën time Zotit, udhëzuesit tim, shëruesit tim, mësuesit tim?

A mund të ndalem një çast dhe ta dëgjoj zërin e Hyjit?

 

Fjala

Në ungjillin e sotëm, ndodhemi në Darkën e Fundit, skenën dramatike të disa prej mësimeve më të fuqishme të Jezusit në Ungjillin sipas Gjonit. Ajo vjen menjëherë pasi ai e kishte kryer gjestin e jashtëzakonshëm të larjes së këmbëve të nxënësve, dhe iu kishte shpjeguar veprimet e tija. Pastaj, mrekullisht, dëgjojmë se “Jezusi ishte tronditur në shpirt”. Cili është burimi i tronditjes? A është se “njëri prej jush do të më tradhtojë”, një rezultat pothuajse i paimagjinueshëm i një vakti të tillë?

Dëgjoje Ungjillin me mend e zemër e shih ç’po ndodh në zemrën tënde.


Gjn 13,21-33.36-38

 

Në atë kohë, derisa Jezusi ishte ende në darkë me nxënësit e vet,

21 i tronditur në shpirt, shpalli:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

njëri prej jush do të më tradhtojë.”

22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste. 23 Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit. 24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti:

“Zotëri, cili është?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.”

Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.

Atëherë Jezusi i tha:

“Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!”

28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve.

30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.

31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha:

“Tani u lavdërua Biri i njeriut!

Edhe Hyji u lavdërua në të!

32 [Nëse Hyji u lavdërua në të]

edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete.

Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!

33 Fëmijëzit e mi!

Edhe pak kohë jam me ju!

Do të më kërkoni,

por, siç u thashë judenjve,

tani po ju them edhe juve:

‘ku unë po shkoj,

ju nuk mund të vini.’

36 Simon Pjetri i tha:

“Zotëri, ku mendon të shkosh?”

Jezusi [iu] përgjigj:

“Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.”

37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”

38 Jezusi u përgjigj:

“Ti do ta jepësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Paramendoje se si je përkulur në tryezë në Darkën e fundit. A po e ndjen tensionin te pjesëmarrësit? A po e vëren se si Jezusi është “i tronditur në shpirt”? A e ke përjetuar një betejë të brendshme derisa një nga miqtë e tij po komploton për ta tradhtuar?
  • Le të të përfshijë drama e kësaj skene. Cilat emocione mbizotërojnë në ty? Bisedo me Jezusin rreth situatës, si dhe reagimet e tua ndaj tij.
  • Pjetri lavdërohet. Jezusi e lexon zemrën e njeriut dhe e njeh Pjetrin. Larg nga flijimi i jetës së tij për Jezusin, Pjetri së shpejti do ta mohojë se e ka njohur ndonjëherë. E si e dëshmon ti vendimin dhe përkushtimin tënd për të shkuar pas Jezusit?
  • Jezusi po i afrohej vdekjes së tij. Ai thotë se Hyji u lavdërua në të. Çfarë mendon ai? Mendo një moment se si Hyji lavdërohet në vdekjen e Jezusit.
  • Dëgjoje ‘urdhërimin e ri’, ta doni njëri-tjetrin. Çfarë ndjen kur e dëgjon këtë? A është kjo se si identifikohen të krishterët, me dashurinë e tyre? Çfarë të thotë tani ky urdhërim, në jetën tënde?
  • Dëgjoje leximin përsëri dhe vë re dëshirën e Pjetrit për të shkuar me Jezusin, për të qëndruar me të, madje edhe për të vdekur me të. Pjetri do ta braktisë, por Jezusi e njeh dobësinë tonë dhe na pranon ashtu siç jemi.

 

Bashkëbisedimi

Shkrimtari i Ungjillit i ka vënë re dy gjëra që i janë ngulitur përgjithmonë në mendjen e tij: ndryshimin në fytyrën e Judës, kur “në të hyri djalli” dhe errësirën në të cilën hyn kur e lë sallën.

Grupin e të rriturve rreth vetes së tij Jezusi e quan “fëmijëzit e mi”. Edhe pse aie dinte se, përveç Gjonit, të gjithë do ta braktisin, megjithatë i quan “fëmijëzite mi”.Çfarë do të thotë të jesh ‘fëmijë’ i Jezusit – çfarë do të thotë kjo për ty?

Tani pyete veten: cili personazh, karakter në këtë histori më pëlqen më shumë? A e kam tradhtuar ndokënd apo jam tradhtuar? A mos i mohoj të tjerët në jetën time? Si mund ta ndjek më mirë Krishtin sot?

Shprehja dëshirat e tua Jezusit, duke i kërkuar ndihmën e tij, mëshirën e tij, durimin e tij.

 

Përmbyllje

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. O Zot, ti lavdërohesh në mënyra të ndryshme. Ti lavdërohesh në mundimet e Jezusit,sepse çdo gjë që është bërë, është bërënga dashuria.

Edhe duke e dërguar Judën jashtë është fillimi i mundimeve – dashurisë që do të rezultojë në dashurinë e kryqit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »