Tradhti

Apr 17 • Meditimi i ditës

17 prill 2019 – E Mërkura e Madhe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 50,4-9a; Ps 68; Mt 26,14-25)

 

Prania e Hyjit

Po, o Zot, po të pres, por nganjëherë koha jote më befason, ose kur ti vjen unë nuk të njoh.

Dua të jem gjithmonë në dispozicionin tënd: përgatitma zemrën, të lutem.

 

Liria

Edhe sot në fillim të këtij meditimi kërkoje heshtjen – dhe ji i/e qetë vetëm për një moment të ndërgjegjshëm. Tërhiqu nga zhurma që të rrethon përjashta. Dhe provo ta çaktivizosh zhurmën e brendshme që është brenda teje.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ki mëshirë! O Krisht, ki mëshirë!

Ndërsa e dëgjon këtë klithje të shkurtër të bukur, të përshpirtshme për mëshirën e Zotit, mendo se sa shumë ka nevojë bota ta dëgjojë fjalën e mëshirshme, falëse dhe të dhembshur të Zotit dhe sa shumë ndoshta ke nevojë edhe ti ta dëgjosh.

 

Fjala

Dita e sotme në disa vende të perëndimit quhet “E mërkura e spiunimit”, kur Juda, “spiun”, mendohet të ketë bërë ujdi për ta spiunuar, domethënë, për ta tradhtuar Jezusin. Vetëm te Mateut përmendet se ai në të vërtetë kërkoi para; dhe lexuesi i vëmendshëm do ta kuptojë se ajo që ai merr është çmimi i përbuzshëm, “tridhjetë sikla të argjendtë”, që i janë ofruar Zakarisë profet (Zakaria 11,12).

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoje me vëmendje dhe kuptim dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.


 

Mt 26,14-25

 

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën:

“Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”

18 Ai u tha:

“Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”

19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.

20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit:

“A mos jam unë, Zotëri?”

23 Ai iu përgjigj:

“Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”

25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij:

“A mos jam unë, Mësues?”

“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Enigma e Judës, që e ‘shiti’ Jezusin për përfitim të pistë: Çfarë ndjenja lindin tek ti kur e dëgjon këtë lexim? Zemërim, nervozizëm? Neveri? Trishtim?
  • Çfarë do t’i thoshit Judës nëse do ta dije se çfarë po bënte ai? Jezusi e dinte, por ai e trajtoi Judën me butësi. Ai nuk u përpoq ta ndalonte atë. Jezusi përdor fjalë për ta bindur Judën që të heq dorë nga ujdia me kryepriftërinjtë. Nuk ndërmerr asnjë masë tjetër që do të mund ta ndalonte arrestimin e tij. A po të befason kjo? A mund ta kuptosh një sjellje të tillë të Jezusit?
  • Ndërsa e dëgjoni përsëri leximin, vë re se si Jezusi flet me Judën dhe se si e shikon atë.

 

Bashkëbisedimi

Si të vështron Jezusi kur ti je i/e pabesë ndaj tij apo e tradhton dashurinë e tij?

Çfarë dëshiron t’i thuash Jezusit ndërsa i mediton këto ngjarje?

 

Përmbyllje

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Thuhet se secili prej nesh e ka “çmimin e vet”. Juda vendosi që ta tradhtojëJezusin me çmimin e një skllavi. Por “çmimi” jonë s` është e thënë patjetër të jetë nëpara. Mund të jetë karriera jonë, suksesi, pozita shoqërore, pushteti, ndikimi, rehatia e jetës, të mësuarit, dhe shumë gjëra të tjera. Me çfarë do mund ta tradhtoja Zotin tim?

Ne priremi të mendojmë se miqtë e Jezusit janë vetëm ata që janë të përmendur me emra në Ungjillose ata që kanë udhëtuarme të. Por ai gjithashtu kishte miq të tjerë, siç ishte ai që e mirëpriti për Pashkë, dhe emri i tij mbeti pa u shënuar – i panjohur. Pra, kështu është edhe sot. Jezusi ka shumë miqqë nuk i dimë dhe mund të gjenden në vende të papritura. Ne, bashkësia e “Momentit të shenjtë”, jemi në mesin e tyre. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »