Takimi Rinor Dioqezan në Dioqezën Prizren-Prishtinë 2019

Apr 17 • Kisha në Kosovë

“Rinia është e lumtur sepse e ka aftësinë ta shohë bukurinë. Secili që e ka këtë aftësi kurrë nuk plaket” – thoshte Franz Kafka, dhe këtë e dëshmoi prania e një turme të madhe të rinjsh nga e gjithë Kosova, të shtunën me 13 prill në Prishtinë ku u mbajt takimi i përvitshëm i rinisë së dioqezës me Ipeshkvin e tyre.

Takimi u zhvillua brenda ditës dhe u nda në tre pjesë. Në fillim, takimi në Katedrale ku të rinjtë patën mundësinë të merrnin pjesë në një aktivitet shpirtëror. Një përvojë kjo e nevojshme për të gjithë në mënyrë që të përgatiten për festën e madhe të Pashkëve. Kulmi i kësaj përvoje ishte ndezja e qiriut para kryqit të vënë brenda Katedrales, shenjë që tregonte se Zotit i kushtohen të gjitha famullitë e Kosovës. Më vonë, u kremtua Mesha e Shenjtë e udhëhequr nga Bariu ynë Imzot Dodë Gjergji, me pothuajse të gjithë meshtarët e dioqezës, motrat e nderit dhe natyrisht rininë (rreth 800). “I varfër nuk është ai që nuk e ka një gjendje ekonomike të mirë – tha mes tjerash Ipeshkvi gjatë homilisë – por është ai i cili e ka humbur shpresën”. Bariu ynë u bëri thirrje të rinjve që të mos e humbasin kurrë shpresën për një botë më të mirë, për një jetë në paqe dhe harmoni, shpresë në praninë e Krishtit i cili është në gjendje të mbush çdo boshllëk që ka njeriu.

Me të përfunduar mesha u bë edhe ndarja e rremave të ullirit. Traditë e vjetër kjo, që përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem. Kryetarët e këshillave rinore të çdo famullie u afruan ta merrnin një rrem duke e kthyer atë në famullinë e vet.

Në pjesën e dytë të takimit, u inaugurua qendra BogdaniPolis, që gjendet poshtë Katedrales, qendër kjo tashmë funksionale dhe e përshtatshme për çdo lloj aktiviteti dhe e hapur për të gjithë njerëzit. Në këtë inaugurim na nderuan me praninë e tyre donatorët gjermanë nga Renovabis, z. Bukhard Haneke dhe z. Martin Lenz, e po ashtu Kryeministri i Kosovës, z.Ramush Haradinaj. Së bashku me Ipeshkvin tonë të gjithë patën një fjalë rasti ku u theksua rëndësia e qendrës për Kishën Katolike, qytetin e Prishtinës dhe më gjerë.

Në pjesën e tretë, rinia shijoji një program artistik të përgatitur nga grupet e ndryshme rinore të vendit tonë. Këngë, drama, monolog dhe dëshmi e mbushën dhe e pasuruan këtë program aq të dashur nga rinia. Vlen të theksohet dëshmia e Song Jia Jia, nga Kina, e cila para gjithë rinisë mori guximin të tregonte historinë e kthimit të saj dhe të dëshmonte se një jetë me Krishtin ia vlen të jetohet. Rinia dha dëshminë e vet në lidhje me takimet e Ipeshkvit me rininë nëpër famulli, u dëfrye me këngë të ndryshme dhe dy drama të përgatitura enkas për ta, mbi rrëfimin dhe mbi ndryshimet që po ndodhin nëpër familjet tona duke treguar situata në familjen patriarkale dhe atë moderne, e gjitha kjo e treguar edhe në mënyrë komike.

Në fund Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji shprehu gëzimin e tij për këtë ditë, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, organizatorët e sidomos rininë e pranishme duke ua uruar Pashkët dhe duke i ftuar siç e ka zakon: “Rini, qeshu rini, bota është e jotja”./drita.info

Përgatiti: Don Alfred Sokoli

Shpërndaje

Comments are closed.

« »