Në kujtim të dom Shtjefën Kurtit

Apr 18 • Histori, Kisha ndër Shqiptarë, Kulturë, Recension

Nga Prof. Asoc. Dr. Eugen PEPA, Durrës

 

Mirëdita të gjithëve !

I nderuari ipeshkëv, monsinjor  Dodë Gjergji,

I nderuari monsinjor Lush Gjergji,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju faleminderit që keni ardhë të merrni pjesë në promovimin e librit të të Lumit Dom Shtjefën Kurti. Ky libër prej disa ditësh ka edhe çmimin e tij të pare. Është cilësuar si “libri i vitit”, ndërmjet 57 librave të tjerë, në konkursin e shpallur në përvjetorin e 110 të Organit të Shtypit, “Dielli”, i shoqatës pan-shqiptare që kaq shumë ka bërë për tokën amë, VATRA, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kam dëshirë ta filloj këtë fjalë duke reflektuar të gjithë së bashku, ashtu siç filloj ky promovim e siç fillon ky libër me një lutje, që është edhe një poezi e znj. Valbona Jakova, një trashëgimtare e dom Shtejfnit ka shkruar për të:

 

O I LUMNUMI DOM SHTJEFNI

O i lumnumi dom Shtjefni

ti që i lave me gjakun tënd

petkat e tua që të shkëlqejnë

në mbretërinë e Zotit plot dritë,

duke veshur petkun e bardhë të martirit!

Ty që Ati i Gjithëpushtetshëm,nëpërmjet

Shpirtit të Shenjtë që në momentin e konceptimit

Të zgjodhi për misionin fisnik të sakrifikimit,

të vetmohimit, të organizimit, të trimërisë,

të urtësisë, të dashurisë, të udhëheqjes së të

rinjve, të rejave, duke i drejtuar të gjithë me vendosmëri, brezat e ri,

në orientim drejt Dritës,

me hirin e virtyteve të Shpirtit të Shenjtë.

Ty Zoti të zgjodhi për ata e për ne.

Ty që vepra jote të madhështoi pakufi pasi

ke kryer me përpikmëri urdhërat e Zotit

pa iu dorëzuar urdhërave të djallit, të errësirës,

që ishin xhelatët që të masakruan,

pa mundur kurrë që ta kuptonin që po masakronin vetë Krishtin,

që i kundërviheshin Zotit të Gjithëpushtetshëm duke të penguar me dhunë,

ndërsa ti me vetmohim i bindeshe pushtetit të tij të dritës duke i falur,

kur ata i bindeshin egërsisht pushtetit të errësirës, duke mohuar vetë Zotin.

O i Lumnumi Dom Shtjefni,

ty që Zoti i Gjithëpushtetshëm si veten të sakrifikoi,

për t’u bërë shembull për tëgjithë ne,

të lutemi të ndërhysh pranë Jezus Krishtit,

që të na japi hirin e bindjes ndaj vullnetit

të tij, ashtu si ta dha ty,

të na japi hirin e besimit të patundur

ndaj tij, të na japi hirin e dashurisë ndaj tij e ndaj

të tjerëve!

O i lumnumi Dom Shtjefëni, ti që je pranë,

Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë,

Ndërhy për ne pranë të Shenjtës Trini e

Lutu gjithmonë për ne !

Amen !

Me një poezi sepse askush më shumë se poetet nuk mund ta përmbledhin me saktë, artistikisht më bukur por edhe konceptualisht më thellë esencen e rrugëtimit njerëzor e qiellor të një personi që projekti i Hyjit e desh që të lindte me datë 24 dhjetor 1898, të pagëzohej me emrin Shtjefën (duke patur pra engjëll mbrojtës martirin e parë të kishës katolike), t’i shërbente  Kishës përgjatë gjithë jetës së tij tokësore. Dhe në konkluzion të rrugëtimit jo të zakontë, të jepte jetën në moshën 73-vjeçare, me disa akuza qesharake ndër të cilat, pagëzimin e një apo disa foshnjave, të pranuar me krenari nga dom Shtjefni në kryerjen deri në fund të misionit të jetës së tij tokësore.

Është privilegj që mu dha mundësia të them disa fjalë për këtë libër që na jep njohuri të thelluara, dokumentuara për një ndër 40 Martirët e Kishës sonë shqiptare, tashme i lumë, që vazhdon e rrezaton dritë në komunitetin tonë, në Shqipëri e në Kosovë, në Tiranë, Gurëz, Shkodër, Prishtinë, Ferizaj, Shkup edhe sot mbas gati 60 vitesh të kalimit të tij në jetën e amshueme.

Nuk është e lehtë të flasësh për një martir, në një tokë martirësh por edhe persekutorësh, ndër shekuj e tillë, që nga shën Asti Ipeshkëv i Durrësit ndër martirët e parë të Kishës, në kapercyellin ndërmjet shekullit të parë e të dytë (*a.d. 100) me Traianin e deri te Dom Shtjefën Kurti (*a.d. 1971), me Enver Hoxhën.

Duket sot e pabesueshme po t’ia tregonim të rinjve, por ja që ka ndodhur disa herë në këtë tokë në këto dy mijë vjet e po mos të kemi parasysh edhe një herë thënien Ciceroniane të 2000 viteve më parë: “Historia në të vërtetë është dëshmitare e kohërave, dritë e së vërtetës, jetë e kujtesës, mesuese e jetes, lajmëse e lashtësisë”.  Ciceroni, De oratore, II,9, 36. Mund të përsëritet sërisht!

E dom Shtejfni sot nëpërmjet, nipit të tij Nikolinit, mbesës Valbona Jakova dhe të gjithë pasardhësve të tij na thërret të gjithëve Ne që të jemi dëshmitarë të kohërave tona, siç Dom Shtjefni ishte dhe vazhdon të jetë dëshmitar i kohës se Tij.

E siç do të mund ta argumentoj në rreshtat e mëposhtëm toka jonë ka qenë dëshmitare i të mirës sublime por shpesh herë edhe të keqes më të egër.

Shqipëria vetëm gjysëm shekulli më parë, ishte një vend asokohe me izolimin më absurd të mundshëm, ku e keqja ishte ulur këmbëkryq, masakrat bëheshin ditën për diell, e kushtetuta, ligji themeltar i shtetit, sanksiononte si askund më parë në botë, antivlerën e ligjeruar, të luftës kundër Zotit dhe ndërgjegjës, si objektiv politik parësor e themelor.Zbatimin e kësaj mizorie politike, marrezie shoqërore, blasfemie të vlerave, Partia ia kishte lënë ta realizonte RINIJA. Brezi i ri pra ose siç quhet ndryshe e ardhmja e atdheut.

Shqiptarët jetonin ne skamje. Propaganda politike tregonte që ishim fanari që shndrinte Europen.

Vendi i ngjasonte një burgu kolektiv ku askush nuk mund të dilte apo të hynte pa leje të autoriteteve shtetërore. Aparati i pushtetit komunist dhe në mënyrë të veçantë‘Sigurimi i Shtetit’ ushtronin nivele të paimgjinueshme të dhunës fizike e morale ndaj të gjitha shtresave shoqërore.

Zoti ishte përjashtuar nga çdo tryeze publike e ‘mbijetonte’ duke sakrifikuar thuajse çdo gje, vetëm në zemrat e popullit të thjeshtë. POR, pamvarësisht këtij regjimi ideologjikisht ç’njerëzor, popullsia e Shqipërisë, shenjë e drejtëpërdrejtë që i lumi Zot nuk e braktis kurrë grigjën e tij, shtohej e rritej si kurr më parë në numër.

Maksimumi i kundërvënies ideologjike që arrinin qytetarët e thjeshtë kundër makinacioneve të pushtetit ishte të dëgjoje Sanremon fshehurazi, të zgjasje flokët apo të visheshe pak më ndryshe se të tjerët në një kontekst publik ku shkollën, profesionin, vendin e punës nga një herë edhe dashurinë e jetës ta përcaktonte partia apo organizatat bazë të saja.

Bota e qytetëruar thuajse na kishte harruar ose mund themi na kalonte apo kalonim nga pikëpamja e protektorateve nga një dorë në tjetrën duke ia arritur që këtu tek ne eksperimenti social i komunistizmit të shoqërisë të arrinte nivele të paimagjinueshme.

Mjeti me efikas i zgjedhur ishte ushtrimi i dhunës i deklinuar në të gjitha rasat e tij. Metodologjia fatkeqe përkonte me iniektimin në shtresat e ndryshme sociale të propagandave marksiste, leniniste, staliniste, maoiste e mbi të gjitha enveriste.

Rezultati përmblidhej në një thënie sa të trishtë aq edhe tmerrësisht kuptimplote për situatën në të cilën jetonin shqiptaret:  Bar do hajmë dhe dorën s’ia shtrijmë askujt.

Ishte një citat i Enver Hoxhës në një ndër fjalimet e tija të shpeshta drejtuar popullit.

E duhet thënë që historia nuk ishte treguar më bujare as më përpara më këtë tokë të vogël, dëshmitare  shekullore i një kombi që ‘shkëlqen’ sipas mendimit tim modest në ekstremitetin e shprehive njerëzore, të së mirës e të së keqes,me të njejtën amplitude, sa, nga malet e tij të thepisura, lumenjtë, bien thik në detë.

Ky vend i vogël në një udhëkryq ndërmjet lindjes e perëndimit pas 500 shekujsh pushtimi otoman e disa tentativa të rreme të të krijuarit një shtet modern bëhet dëshmitar i një prej genocideve më të egër që ishte ushtruar kundrejt një kleri besimtarësh, duke mos kursyer në fakt edhe kleret e besimeve të tjerat për të vetmin ‘faj’:

  1. Se këta klerikë ishin shkolluar në shkollat më të mira europiane të kohës,
  2. Ky kler ishte largpamës e shprehej haptas kundër ‘ideologjisë marksiste-komuniste’,
  3. Se ‘drejtonte’ shoqërinë shqiptare, në edukimin e popullsisë, arsimimin e saj dhe e fundit por më e rëndësishmja, kërkonin me çdo mënyrë përhapjen Fjalës së Zotit.

Për një Shqipëri në familjen naturale europiane ishte bindja e atyre që vinin nga një plejade sakrificash njerëzore për themelimin e një shteti modern perëndimor por që morën si shpërblim plumbin ballit,duke sakrifikuar edhe jetën, kryesisht,për arsyen e vetme të ushtrimit të misionit të tyre themelor që përmblidhej me sentencën për FE E ATDHE.

Nga ajo plejadë klerikësh ne kemi tashmë 38 të lumë por edhe 2 të tjerë që presin vazhdimin e procesit, e disa të tjerë presin që të gjithë Ne, të mos ti bëjmë peng i harresës por ti kujtojmë brez pas brezi.

Sot gjysëm shekulli më pas, ndaj procesit të stisur për herë të dytë nga regjimi komunist, ndaj Dom Shtjefnit kemi ‘vetëm’ dy ndjesa publike, përkatësisht një nga prokurori i çështjes dhe nga një nga gjykatësit që e akuzuan.

Fundi i jetës tokësore të dom Shtejfnit është sa tragjik aq edhe domethënës për ne e për të gjithë ata që e jetuan sadopak murtajën komuniste. Ata nuk i thanë pasardhësve as kalimin e dom Shtejfnit në jetën e amshueme. Biles nuk i dhanë atij as një lëndinë ku të prehej i qetë e ta kujtonin me një tufë lulesh të freskëta e një rruzare, të afërmit, të njohurit, apo të rinjtë e të rejat e komuniteteve të cilëve i shërbej gjatë gjithë jetës.

Për dy vjet biles u tentua të harrohej krejtësisht sakrifica e tij tokësore duke mos i lajmëruar të afërmit as për ekzekutimin e tij, por duke i thënë në një mënyrë makabre që atje ku ka shkuar nuk i duhet më ushqimi. Nuk besoj se ka mënyrë më nëpërkëmbëse për të lajmëruar dikë për kalimin e një të dashuri të tij në amshim.

 Ky ishte regjimi komunist, enverist shqiptar, dhe kjo fatkeqësisht është ‘trashigimia’ e tij shpirtërore që ne ende sot vuajmë në të gjitha sferat shoqërore në Shqipëri. Tashmë mbas 30 viteve përçudnimi i shpirtit në shoqërinë tonë vazhdon e peshon më shumë se të gjitha mungesat e tjera materiale apo ekonomike.

Mjetet e Hyjit ama janë të panumërta e format e mënyrat e reagimit mahnitëse.

Jeta dhe flijimi i dom Shtejfnit përtej inatit apo poshtërimit komunist u bënë, që në 1973, një ndër ngjarjet e tmerrshme për të cilin shtypi i botës së atëhershme shkruajti më shumë.

U protestua që atëherë nga sivllëzerit e tij shqiptaro-amerikan, më në krye Dom Zef Oroshin (Çoku) një tjetër prift që e kishte njohur herët flamen komuniste dhe kishte arritur të çante  rrethimin e bërë enkas për të nga Mehmet Shehu, që premtonte publikisht që do ta paguante me ar cilindo jepte të dhëna për dorëzimin e tij. Dom Zefi ishte arratisur me një peng të vetëm: që nuk kishte arritur të merrte me vete edhe veladonin me të cilin kremtoj i rrethuar nga komunistët, meshën e tij të fundit në Atdhe. Do të ishte ky prifti që ngriti dhe themeloj kishën e parë katolike shqiptare, vite më pas, në New York.

Jeta e dom Shtejfnit vazhdon e është sot frymëzim për të rinj e të reja, nëpërmjet 2 monografi, një dramë e sa e sa takimeve, çmimeve, dekoratave, të të gjitha autoritetve shtetërore ku ai ka zhvilluar aktivitetin e tij.

Duke lexuar librin, mësojmë që Dom Shtejfni rrjedh nga një humus njerëzorë që është ekstrakti më autentik i shqiptarisë. Bartës shekullorë i vlerave më sublime njerëzore e dëshmitarë e përçues autentik i ketyre vlerave brez pas brezi.

Jeni Ju, katolikët e Dardanisë e të Shkupit nga ku rrjedh edhe shenjtja Nënë Tereza, e që dom Shtejfni i kje at shpirtëror në fëmijërinë e saj në Shkup.

Nënë Tereza, Dom Shtejfni, Dom Nikollë Kazazi, At Pjetër Bogdani, At Luigj Paliq, At Shtjefën Gjeçovi e sa e sa të tjerë katolikë në fe, janë përfaqësues të një komuniteti me një identitet të spikatur patriotik që bartin brenda vetes vlera të qënësishme të kuintesences arbnore që arriti t’i mbijetojë pushtimit 500 vjeçar të perandorisë osmane, persekutimit të Kishës, si gjatë tentativës së parë të krijimit të Shtetit Shqiptar, mbas shpalljes së pavarësisë, ashtu gjatë mbretërisë zogiste, e deri te persekutimi i tmerrshëm komunist që duhet thënë se nuk ishte ‘vetëm’ shqiptar por që ky i yni padyshim krijoj përmasa të veçanta në kapilarizimin e eleminimit të figurave të shquara e në ushtrimin e tejskajshëm të dhunës për arritjen me çdo kusht të objektivave të tyre. ASIMILIMIN TOTAL TE ELITES KATOLIKE ARBERORE, TE MBIJETUAR 500 PUSHTIM OTOMAN.

Ata klerikë që përmenda por edhe dhjetra e dhjetra të tjerë që për arsye kohe nuk po i citoj, janë pra ata shqiptarë që për virtyt të parë kanë thjeshtësinë, përultësinë, vetëmohimin, trimërinë urtësinë e mbi të gjitha arrijnë si pak kush të kthehen në instrumente të gjallë të Hyjit e në se nevojitet bëhen edhe me gjakun e tyre MARTIR-DESHMITAR të fesë tonë në JEZU KRISHTIN.

Këta persona me naturalitetin që karakterizon vetëm instrumentet e Zotit, ndriçojnë nëpërmjet veprës, veprojnë nëpërmjet shembullit e bartin vlera e virtyte që i qëndrojnë kohës brez pas brezi.

Ky ishte dom Shtjefni në përditshmërinë e tij e me këtë rast më lejoni që të falënderoj edhe një herë Nikolinin, mikun e vjetër të tim eti që ma dha mua privilegjin e kësaj fjale në këtë katedrale të re dëshmi që Zoti vazhdon e na don, mbron e bekon këtë tokë që përqafoj krishterimin që në vitet e para të lindjes së tij. Unë besoj se Dom Shtjefni përgjatë gjithë rrugëtimit të tij tokësor, ka qenë një martir (dëshmitar) i gjallë i një kohe të tmerrshme që sot për Shqipërinë po shkon çdo ditë e më shumë drejt normalizimit nga pikëpamja e besimit dhe e lirisë së ndërgjegjes, më të gjitha problemet, që fatkeqësisht ende trashëgojmë nga e kaluara. Ndej gjithashtu nëpërmjet leximit të këtij libri, këtyre takimeve, në Tirane e këtu në Prishtinë, që Dom Shtjefni është dhe do te jetë FARA e një epoke të re në lartësimin e Dashurisë se Hyjit në Tokën tonë Shqiptare.

Një gjë të tillë ama nuk mund ta themi në qoftë se thjeshtë ndërrojmë për pak çaste optikën nga ajo lokale në atë globale. Mjafton të citojmë organin e përmuajshëm të shtypit të metropolisë Tiranë-Durrës, të muajit janar, ‘Kisha dhe Jeta’ e do të mësojmë, se në Kishën Katolike në të gjithë botën, në 2018, janë vrarë në ‘urrejtje ndaj fesë’, 40 misionare katolike. Janë gati sa dyfishi i të vrarëve në vitit 2017.

Të dhëna tragjike të një bote e cila vazhdon e tentohet tmerrësisht nga e keqja, POR që secili prej nesh në përditshmërinë e tij ka për detyrë që, duke u nisur nga akte të vogla, të frymëzohet nga jeta e martirëve, këtyre dëshmitarëve të veprës së Zotit në tokë, për një botë më të mirë, më të drejtë e për një të ardhme më të ndritur./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »