U promovua në Prishtinë libri për Don Shtjefën Kurtin

Apr 18 • Kulturë

Në Qendrën “BogdaniPolis” në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, dje (14 prill 2019) u promovua libri I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i kishës martire”, nga autorët Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2018.

 

Në mesin e 38 martirëve shqiptar të komunizmi të shpallur nga Papa Françesku, është edhe Don Shtjefën Kurti, prift katolik nga Ferizaji i Kosovës, i cili pësoi martirizimin për shkak se kishte pagëzuar një foshnje, në kohën kur një vepër e tillë kishtare ishte e ndaluar nga regjimi komunist në Shqipëri.

Autorët Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti, në veprën e tyre për martirin Don Shtjefën Kurti, që është vëll. 1, kanë sjellë dokumente e letërkëmbime të reja që e ndriçojnë një jetë të bujshme të klerikut shqiptar, dëshmitarë i një periudhe të egër për katolikët në Shqipëri.

Në promovim ishin ishte i pranishëm Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, i cili e çmoj lartë punën e autorëve për meshtarin martir dhe atdhetar.

Për librin folën Prof. Eugen Pepa, Don Lush Gjergji, Agron Tufa dhe recitoj poezi Gjergj Doçi.

Prof. Pepa, ishte promovuesi kryesor të librit duke e shpalosur pasurinë e kësaj vepre. Shkimin e tij të plotë mund ta lexoni në linkun: http://www.drita.info/2019/04/18/ne-kujtim-te-dom-shtjefen-kurtit/.

Don Lush Gjegji, shpalosi disa kujtime të lajmit të atëhershëm për vrasjen e Don Shtjefën Kurtit, duke theksuar se revista Drita, ishte e para që kishte shkruar për këtë lajm:

“Lajmi i pushkatimit të Don Shtjefën Kurtit ishte alarmi i parë në Evropë dhe në botë për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar, të klerit katolik, të çdo njeriu në Shqipërinë komuniste enveriste. Ja si shkruante Ettore Petta:“Gazeta zyrtare e sundimit komunist shqiptar “Zëri i Popullit” vërtetoi lajmin mbi pushkatimin e priftit katolik Shtjefën Kurti, që qysh më parë e shpalli shtypi ndërkombëtar…Gazeta e Tiranës në një komentim mbi këtë ngjarje tejet të vështirë pohon se ky prift qe dënuar me të drejtë si “spiun, bandit dhe avanturist”. Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste” e finansuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte projektuar rrënimin e regjimit komunist. Zëri i Popullit ka shtuar lidhur me këtë që “agjentet e Kishës katolike kanë përgatitur në Shqipëri “magazine armësh” dhe kanë organizuar “qendra për spiuniume”. Po ashtu sipas Zërit të Popullit Don Shtjefën Kurti ‘ka merituar këtë denim” (“Corriere della sera”, 6 prill 1973).

Agjencia katolike austriake “Kathpress” shkruan se Don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje sepse e pagëzoi një fëmijë në fushën e përqendrimit në Lushnje. Artikulli përfundon me këtë pohim: “Shqipëria është shpallur qysh në vitin 1967 shteti i parë ateist në botë”.

Gazetari i njohur i revistës katolike “Famiglia cristiana” Angelo Montanari, erdhi në kolegjin e “Propaganda Fide” për të kërkuar prej nesh ndonjë informatë dhe hollësi rreth Don Shtjefën Kurtit. Ne asoherë ishim shumë të ri, pa njohuri dhe përvojë, dhe Shqipëria ishte “bunkeri” i mbyllur nëntokësor, për të cilin thauj se nuk dihej asgjë përpos tmerrit dhe ferrit në të cilin gjendej populli, sidomos katolikët, në veçanti kleri katolik shqiptar.

Përpos këtyre rrethanave që ma tronditën mendjen dhe ma prekën zemrën, si student i ri në Universitetin Urbanian të Propaganda Fide, së bashku me disa shokë tjerë shqiptarë nga Kosova dhe Mali i Zi, ishin në përgaitje për meshtari. Për ne atëherë shtrohej pyetja jetësore: çka domethënë të jesh meshtar shqiptar në këto rrethana. Lajmi i tillë ishte pyetje dramatike dhe sfidë qenësore, por edhe frymëzim, nxitje për ta vazhduar rrugën e meshtarisë.

Famullia e parë ku kam shërbye, pas studimeve në Romë, ishte Ferizaj, vendlindja e Don Shtjefën Kurtit.

Në Ferizaj, ndër të tjerët, kam takuar shumë herë Anton Kurtin, të quajtur “apotekari i Ferizajit”, kushëririn e Don Shtjefnit, nga i cila kam pasur disa informata për jetën dhe veprën e e këtij meshtari të dashur, si dhe nga motra e Don Shtjefnit, që atëherë jetonte në Shkup.

Novosella, ku ai kishte shërbyer si famullitar,  para se të braktisej në Shqipëri, ishte vendlindja e Drane lin. Bernaj – Bojaxhiu, nëna e Shën Nënës Tereze, të cilën jam munduar ta ndriçoj dhe studioj pothuaj gjatë tërë jetës sime meshtarake.

Për lumnimin dhe shenjtërimin e martirëve janë dy kushte themelore: që janë vrarë “in odium fide” – në urrejtje ndaj fesë, dhe që kan pasur qëndrimin e vetë Jezu Krishtit, domethënë janë lutur dhe kanë falur vrastarët e tyre.

Don Shtjefën Kurti i iku martirizimit në Jugosllavinë e vjetër, për t’u pasuruar dhe begatuar me vepra dhe virtyte të shumta, para se të martirizohej në Shqipëri. Sa i mrekullueshëm është Zoti në planet dhe veprat e tija.” – e përfundoi ligjeratën e tij Don Lushi.  

Porf. Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, botues i librit, tha se kjo që kemi bërë si institut është një nismë e mirë, por e papërfunduar, për të ndritur pësimin e egër që regjimi komunist kishte kryer mbi klerin katolik në Shqipëri. Do të duhej edhe një punë e tërë që të shpaloset e vërteta në të gjitha përmasat e tmerrit që u ushtru mbi klerikët tanë.

E veçanta e këtij promovimi ishte prania e familjarëve të Don Shtjefën Kurtit, të cilët jetojnë në Prishtinë dhe në disa vende të Kosovës. Ky martir i Kishës sonë, vazhdon ta ketë të gjallë kujtimin në këta pasardhës të tij duke e dëshmuar krishterimin në ditë e sotme./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »