“Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”

Apr 18 • Meditimi i ditës

18 prill 2019 – E ENJTJA E MADHE, Momenti i Shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 12,1-8.11-14; Ps 115; 1 Kor 11,23-26; Gjn 13,1-15)

 

Prania e Hyjit

Zot, po ta ofroj zemrën dhe mendjen time, dhe po të lutem që të mund ta përçoj me besnikëri mesazhin e dashurisë që e kam marrë nga ti në Eukaristi dhe larjen e këmbëve.

 

Liria

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Sot hyjmë në Treditëshin e Shenjtë, kulmin e udhëtimit tonë Kreshmor, dhe leximet dhe ceremonitë janë pothuajse tepër të pasura për t’i shijuar menjëherë; mesha e sotme është një kujtim i themelimit të dhuratës së çmuar të Eukaristisë, që është një dhuratë në më shumë nivele sesa mund ta kuptojmë lehtë.

Dëgjoje pjesën e Ungjillit me mend e zemër dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.


 

Gjn 13, 1-15


1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑ 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑ 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5 Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. 6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha:

“Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”

7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”

8 Pjetri iu përgjigj:

“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”

“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”

9 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”

10 Jezusi i tha:

“Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha:

“A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.


 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shkrimtari i Ungjillit është i habitur për shkak të asaj çfarë kishte bërë Jezusi duke ua larë këmbët dishepujve. Kjo ishte puna e skllevërve. Shkrimtari është duke u përpjekur të nxjerrë në pah se kush është Jezusi – prej nga ka ardhur dhekah po shkon.
  • Imagjinoje veten një moment të pranishëm në Darkën e Fundit. Shikoje Jezusin. Dëgjoje atë. Çfarë po të kalon nëpër mendjen e zemrën tënde kur e dëgjon se ai po kthehet te Hyji?
  • Shikoje si e heq petkun e tij të sipërm dhe fillon të shkojë rend duke ua larë këmbët e tyre.
  • Gjoni ungjilltar na sjell atë çka është në qendër të eukaristisë: nuk e jep përshkrimin e shndërrimit të bukës dhe verës, por shikimin në zemrën e Jezusit që shërben.
  • Mbaji këto imazhe në mendjen tënde, ndërsa e dëgjon sërish leximin.

 

Bashkëbisedimi

Vazhdo ta imagjinosh veten të pranishëm në skenë. Dhe vë re sidomos atë që ndjen kur Jezusi vjen tek ti për të t’i larë këmbët.

Si është kur lejon që Jezusi të t’i lajë këmbët dhe t’i terë me kujdes? Çka dëshiron t’i thuash atij për këtë?

Si mund të ndikojë liturgjia e pasur sonte në mënyrën se si do t’i festosh këto tri ditë? Kalo pak kohë për të reflektuar se si do të ndiheshe kur t’i ketë larë dikush këmbët e tua dhe merre me mend mundësitë që t`ua lash këmbët të tjerëve. Si do ta ndryshojë kjo pjesën tjetër të jetës sate?

 

Përmbyllje
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Gjoni sjell këtë rrëfim shumë solemnisht. Ai kujdeset që t’i referohet me saktësi kuptimit të jetës së Jezusit kur vendos t’ua lajë këmbët dishepujve. Pas kësaj, Jezusi e shpjegon rëndësinë e asaj që bëri. Ofron një shembull për nxënësit të cilin duhet ta ndjekin. Ata duhet të shprehin dashuri brenda bashkësisë, në mënyrë të përvuajtur dhe praktike.

Vë re se ky shërbim duhet të jetë i dyanshëm: “t’ua lani këmbët njëri-tjetrit”. Në çka je ti i/e thirrur për të bërë në rrethanat e tua të jetës?

Nuk ka përshkrim të themelimit të eukaristisë te Ungjilli sipas Gjonit. Komentuesit në vend të kësaj shohin larjen e këmbëve. A po i kupton vlerat e përbashkëta prapa të dy ngjarjeve? Pjetri e ka çmuar më shumë pavarësinë e vet duke e refuzuar pa u trembur veprën “e panevojshme” të shërbimit të përvuajtur të Jezusit.

Me përvujtëri po të falënderoj, o Zot, që mund t`u shërbej të tjerëve. Po të lus që edhe veprat e mia të vogla të shërbimit të mund të jenë për të mirën e botës dhe për më të madhen lavdi tënde.

Më ndihmo, o Zot, që me zemërgjerësi të lejoj që të jem i/e shërbyer dhe që të njoh në ata që kujdesen për mua. Do të marrë pjesë në meshën e Darkës së Zotërisë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash  e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »