Teologjia e Kryqit

Apr 19 • Këndvështrime

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Teologjia e kryqit na dhuron gjashtë porositë e tija na “katedra” e kryqit, si një lloj testamenti për ne, si “Ungjilli në miniaturë”, që dëshmon se Jezusi ishte i dëgjueshëm deri në vdekje në kryq. Ndoshta përpos dëgjueshmërisë ndaj Atit, planit të shëlbimit, duke theksuar dashurinë e tij për ne dhe për shëlbimin tonë.

Teologjia që ka zhvilluar Shën Pali rreth bashkëpunimit tonë me kryqin e Jezusit thekson një dimension tejet të rëndësishëm, përplotësimin e vuajtjeve të tija me bartjen e kryqeve tona, që ai e shpreh kështu: “në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij – Kishën (Kol 1, 24).

S’ka kurrfarë dyshimi se mundimeve të Krishtit nuk u mungon asgjë, se vdekja e tij në kryq, është flija më e përsosur, burim jete dhe shëlbimi. Theksi është te pjesëmarrja jonë në këto mundime shëlbimprurëse, dhe aspekti i dytë, “për Trupin e tij – Kishën” , që dmth. se Kisha është Trupi mistik i Jezu Krishtit dhe se ne, po ashtu, jemi gjymtyrët e këtij Trupi.

Të meditojmë shkurtimisht për fjalët, porositë, qëndrimet e Jezu Krishtit nga kryqi.

 

Eli, Eli, lama sabakthani!” që d. m. th.: ”Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!” (Mt 27, 46).

Në këtë klithje të thellë dhe nga zemra, që është përsëritje nga klithja e “Njeriut të vuajtjes” së Besëlidhjes së Re, Jezusi e ka shprehur peshën, barrën, tmerrin e mëkatit që Ai e kishte marrë mbi vete, e si pasojë e kësaj përkohësisht “vetminë”, braktisjen, humnerën e largësisë mes Atij dhe Atit, si dhe dëbimin dhe përjashtimin e mbarë njerëzimit.

Drama e kryqit të Jezu Krishtit është drama e së keqes dhe mëkatit, Djallit dhe vdekjes, që Jezusi e përballon me guxim, përkushtim, nënshtrim, dëgjesë, mbi të gjitha me dashuri.

Ja edhe shqyrtimi i parë për ne: kur jemi apo ndihemi të dëbuar dhe të vetmuar, kur na duket se qielli heshtë dhe nuk na dëgjon, ndërsa toka vlon dhe na asgjëson, si reagojmë ne, kujt i drejtohemi, prej kujt presim ngushëllim, përkrahje, shëlbim?

 

“Të bie ndër mend për mua Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parriz” (Lk 23, 42-43).

Cubi i penduar pati fuqi para se të vdiste, t’i drejtohej Jezusit të kryqëzuar si ai, ta pranonte fajin dhe dënimin e merituar për vdekje me kryqëzim, por mbi të gjitha pati pendim të thellë për jetën tashmë të dështuar, mbi të gjitha pati besim në Jezusin dhe në Mbretërinë e tij. Nga këto rrethana ai iu lut që ta falte, ta përkujtonte dhe pranonte në Mbretërinë e tij.

Dhe ndodhi mrekullia. Jezusi jo vetëm që e fali, por i premton parrizin aty për aty, sot, tash, fill pas vdekjes së përkohshme dhe trupore, do të jenë së bashku në lumturinë e amshuar.

Mëkati gjithmonë është dobësi, mashtrim, premtim i kotë dhe i rrejshëm, utopi lumturie, kurthë djallëzore, dobësi, rrëshqitje… Pranimi i mëkatit dhe pendimi  janë trimëri, guxim, përcaktim për risi, për falje dhe pajtim, shenjë që besojmë në mëshirën dhe dashurinë e Zotit dhe presim jetën e pasosur.

Shembulli i cubit të penduar dëshmon se Zoti kurrë nuk “lodhet” në falje dhe në dashuri për njeriun  e penduar, se mëshira e tij është shumë më e madhe dhe më e fortë se dobësia dhe mëkatësia e njeriut.

 

“O Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!” (Lk 23, 46).

Kjo porosi e Jezusit nga kryqi dëshmon edhe një herë dorëzimin e plotë dhe të qetë, të sigurt, në duart e Atit, që me fjalë tjera domethënë tërë jeta e tij nuk ishte asgjë tjetër përpos zbatim i planit dhe vullnetit të Atit për shëlbimin e mbarë njerëzimit.

Ne shpesh gjendemi në tundime dhe sprova të vështira për ta vlerësuar jetën dhe veprimtarinë tonë, si dhe atë të të tjerëve. Na mundojnë dhe shqetësojnë shumë pikëpyetje: a kam jetuar si duhet, mirë, me përkushtim dhe dashuri, apo ndoshta kam pasur shumë lëshime, gabime, dobësi? Çka thonë të tjerët për mua dhe unë për të tjerët? Çka do të thotë Zoti për mua, për të tjerët?

Vërja në “duart të Atit” jo vetëm në mbarim të shtegtimit tonë tokësor, por gjithnjë, është qëndrim i Krishtit, pra, i krishterë, që duhet ta kemi në mend dhe në zemër.

 

“Kam etje!” (Gjn 19, 28).

Etje e Jezu Krishtit ishte fizike dhe shpirtërore. Fizike, sepse tashmë Ai ishte i stërlodhur, i djerësitur dhe përgjakur, pra, trupi i tij “digjej” nga etja, lodhja, molisja, drama e kryqëzimit.

Lodhja, gjakderdhja e madhe, të rrahurit e zemrës së shpejti, kanë shkaktuar një etje trupore apo fiziologjike të jashtëzakonshme, bile edhe humbjen e vetëdijes. Mirëpo Jezusi është i vetëdijshëm se po kryhej flijimi, dhurimi, vdekja shëlbimprurëse dhe shi për këtë klithi: Kam etje! A e heton, dëgjon, pranon dhe zbaton ti këtë ftesë, udhëzim, frymëzim?

Etja e brendshme ishte edhe më e madhe për ne, për dashurinë tonë, për pendimin tonë, përfundimisht për shëlbimin tonë. Këtë etje shpirtërore Ai e ka shprehur edhe në uratën e madhe “Ati ynë”, ku theskon: ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote…

Kjo është pa dyshim edhe paralajmërimi i pagëzimit, rrjedhja e ujit dhe gjakut të fundit nga zemra e Tij e shporuar, si simbol, paralajmërim dhe garanci për burimin e shëlbimit tonë.

Shpirtëror, sepse edhe më shumë kishte dhe ka etje për ne, për pendimin tonë, për vepra të mira, për bashkëpunim me kryqin dhe ngjalljen e tij, për shëlbimin dhe jetën tonë të pasosur.

“Kam etje” është motoja që e Lumja Nëna Tereze e ka zgjedhur për çdo kapelë për “Misionaret e Dashurisë”, për ta dëshmuar etjen e Jezusit për dashurinë tonë, për ta zgjuar dhe aktivizuar etjen tonë për Krishtin – Dashuri dhe për Vëllaun – Njeri.

Ja si shkruante e Lumja Nëna Tereze për këtë ndodhi biblike: “Etja e Jezu Krishtit për ne është shpirti dhe zemra e Misionareve të Dashurisë, që dmth. etja e zemrës së Jezusit për të varfër. Ja burimi i vetëm i tërë jetës sonë… Ta shuajmë etjen e Jezusit në mesin tonë, kjo është arsyja e vetme e jetës dhe objektivi i veprimit tonë. A mund të theme edhe ne këtë, që kjo është arsyeja e vetme e jetës sonë: Dashuria?”.

 

“Gjithçka u krye! Uli kryet e dha shpirt” (Gjn 19, 30)

Rrumbullakësim i mrekullueshëm dhe tejet dramatik i jetës tokësore të Jezu Krishtit.

 Askush prej nesh nuk e di kur dhe si do të përfundojë jeta jonë tokësore. Mirëpo i krishteri një gjë e di, beson: tërësia e jetës, pra, edhe vdekja, kalimi në amshim, amshimi, është në dorën e Zotit. Mu për këtë jeton me fe dhe me dashuri dhe pret i qetë kalimin në amshim, apo si thoshte e Lumja Nëna Tereze “kthimin në shtëpinë e Atit”.

Ofrimi i vujatjes, dhembjes, jetës dhe vdekjes Zotit ka kuptim vetëm si shprehje dashurie dhe flijimi – dhurimi. Përse? Sepse vetëm dashuria është kuptimi i plotë i gjithçkahit, pra, edhe i vuajtjes, vdekjes, dhe ajo – Dashuria, Zoti na shëlbon nëpërmjet kryqit, me Dashuri (krh. Mk 7, 37).

Në këtë kontekst mund të pohojmë edhe kështu: përshpirtëria është kthimi i brendshëm dhe i thellë i qenies apo natyrës sonë njerëzore kah Zoti. Kjo lind shpesh në raste të sfidave, vuajtjeve, sëmundjeve, mangësive, që na ndihmojnë që ta kuptojmë sa më mirë kuptimin e jetës.

Rritja shpirtërore është rrugëtimi ynë kah Zoti. Nga vështirësitë lind nevoja për të ecur përpara, për të luftuar, për t’u thelluar në meditime, adhurime, uratë, pendesë…

Dëshira për të ndryshuar, për t’u përmirësuar, për t’u shenjtëruar, është hapi i parë, nisja drejt shenjtërisë. Dëshira për ta dashur Zotin dhe të afërmin, çdo njeri, është fillimi i zbatimit të shenjtërisë.

Kjo dëshirë konkretizohet në kërkimin, pranimin dhe zbatimin e vullnetit të Zotit, duke pranuar po ashtu edhe lëshimet, gabimet, mëkatet tona, si dhe ndihmën e Zotit dhe të njeriut, të bashkësisë së krishterë.

Përshpirtëria e vujatjes dhe kryqit është një “kanal” i privilegjuar për komunikim me vetveten, që na aftëson të komunikojmë me Zotin, burimin e jetës dhe të shëlbimit, dhe me të afërmin tonë.

Shën Nëna Tereze thoshte: “Hapi i parë drejt shenjtërisë është dëshira për shenjtëri, për t’i përngjarë Jezusit në gjithçka, sidomos në vuajtje dhe në dashuri”./drita.info

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »