O Zot, më mbush me gëzim dhe më thuaj që mos të kem frikë

Apr 22 • Meditimi i ditës

22 prill 2019 – E HËNA E PASHKËVE, Shën Marku ungjilltar, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 2,14.22-32; Ps 16,1-2a.5.7-8.11; Mt 28,8-15)

 

Prania e Hyjit

Gjatë qëndrimit tim këtu pranë kompjuterit, Hyji është i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithçkaje që më rrethon.
Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndjej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

—————————————
Mt 28, 8-15

8 Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha:
“Ju falem!”
Ato u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan.
10 Atëherë Jezusi u tha:
“Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”
11 Ndërsa gratë po shkonin, dhe ja, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi. 12 Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve 13 dhe u thanë:
“Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën. 14 Po qe se kjo fjalë i shkon në vesh qeveritarit, ne do të kujdesemi t’ia mbushim mendjen e juve s’do t’ju ndodhë asnjë e keqe.”
15 Ata i morën paratë e bënë ashtu si i mësuan. Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.

—————————————
Çka dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

• Për Izraelin, Galileja ishte një fshat i prapambetur në të cilin jetonin të varfër dhe të nëpërkëmbur. Megjithatë, është një vend ku Jezusi e filloi dhe përfundoi misionin e tij. Pikërisht nga këtu i dërgoi edhe dishepujt me mesazhin e ringjalljes. Të ndalemi dhe të mendojmë mbi këtë!
• O Zot, më mbush me gëzim dhe më thuaj që mos të kem frikë. Tani që unë jam i forcuar, duke u takuar me ty, më dërgo në ”Galiletë” e botës time ku shpesh herë e merr formën e të varfërve, të nëpërkëmburve dhe të shtypurve. Më lejo të jem dëshmitar, lajmëtar shprese dhe inkurajimi për të gjithë ata që do t`i takoj. 

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.
Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »