Përvoja e pranisë së Krishtit sjell transformimin në takime të përditshme me të tjerët

Apr 24 • Meditimi i ditës

24 prill 2019, E MERKURA  E PASHKËVE, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës:)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një çast për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, i diellit dhe hënës, i tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i çdo gjëje që ekziston, i çdo gjëje që është:
Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

E di se Hyji më do në mënyrë të pakusht.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën, ngjarjet dhe përjetimet e kaluara.
A ekziston diçka që do të duhej të isha mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.
Diçka që e ndiej veten fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mbështetje, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.
Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 24,13-35

 

13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.17 Ai i pyeti:
“Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”
Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj:
“A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”
19 Ai i pyeti:
“Po çka?”
Ata iu përgjigjën:
“Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan.21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”
25 Ai u tha:
“O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”
27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.
28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë:
“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”
Dhe hyri që të rrijë me ta.
30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën… Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri tjetrit:
“Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”
33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë:
“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”
35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·         Këtë ngjarje të shpresës së dështuar dhe shuarjen e ëndrrave i njohim mirë. Shoqërimi dhe prania e vëmendshme e Jezusit u ka ndihmuar nxënësve të zhgënjyer për të rrëfyer versionin e tyre të tregimit, historisë. Vetëm pas kësaj, Jezusi u jep atyre interpretimin e ngjarjeve që më shumë inkurajon dhe jep jetë. Ndërsa afrohet momenti i njohjes zemrat e tyre ndizen.

·         Jezus, në momentet e zhgënjimit dhe ëndrrave të zbehura ti qëndron në këmbë pranë derës së jetës sime dhe pret që të thërras të hysh brenda. Përvoja e pranisë sate pashkore sjelltë transformim në takime të përditshme me të tjerët. Më mëso se si të jem një dëgjues i mirë, të di të dëgjoj historinë e tyre dhe time.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi rri apo është ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përfundimi

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »