“Drita” boton librin e Kardinal C. M. Martinit “Shndërrimi i zemrës”

Apr 25 • Kulturë, Recension

Nga Don Anton Uka

 

Carlo Maria Martini, ish kardinali i Milanos, është i njohur jo vetëm për ligjërimet, kumtesat dhe ushtrimet shpirtërore që i mbajti pothuaj në mbarë botën, por edhe falë botimeve dhe përkthimeve të librave të tij të shumtë.

Libri “Shndërrimi i zemrës” është një përmbledhje e mendimit të tij, që në mënyrë të sintetizuar dhe koncize u jep përgjigje shumë pyetjeve, që ndërlidhen me njeriun bashkëkohor: me botëkuptimin e tij, me fenë dhe me Kishën në përgjithësi.

Libri është përpiluar në formë të intervistës (pyetje dhe përgjigje) që gazetari i famshëm hebre, Alain Elkanni, ia bëri kardinalit Carlo Maria Martinit. Pyetjet dhe përgjigjet që i hasim në të përfshijnë pesë fusha apo argumente të ndryshme që gjenden në lidhshmëri njëra me tjetrën. Titujt e tyre janë: Dëshmi të një udhëtimi (I); Në kërkim të fesë (II); Shkrimi i shenjtë dhe Kisha (III); Ipeshkëv në dioqezën më të madhe të botës (IV); Rruga e njeriut (V).

Në pjesën e parë, Martini flet për përvojën e tij të fesë, të cilën e definon si një aventurë shpirtërore, si dhënie e dorës një personi që nuk e njeh mirë, por në të cilin ke besim dhe i lejon vetes të udhëhiqesh prej tij. Martini dëshmon se qysh në moshë krejt të re zotëronte kuptimin e “tërësisë” së Hyjit, që do të thotë se e kishte kuptuar se Hyji është gjithçka. Pikërisht për këtë arsye Ai mund të kërkonte gjithçka, edhe kushtimin e një personi dhe të krejt ekzistencës së tij. Këtu shihet qartë se besimi dhe dashuria, në përvojën shpirtërore të Martinit, janë parakushte të një miqësie dhe të një udhëtimi të përbashkët.

Në këtë pjesë Martini flet edhe për ambientin, në të cilin është rritur, për familjen, për shkollimin, për leximin e librave të ndryshëm që kanë ndikuar në formimin e tij, për bisedat me atin shpirtëror, për përvojat e mira dhe ato jo aç të mira (sëmundja), të cilat ndikuan pozitivisht në takimin e tij me Hyjin dhe në vendimin e tij (thirrjen) për t’ju kushtuar Zotit.

Aftësia (dhurata) e Martinit për t’i parë shenjat e pranisë dhe dashurisë së Zotit në ngjarjet e jetës dhe gatishmëria e tij për t’i qëndruar afër dhe besnik kësaj Pranie, janë përvoja jashtëzakonisht të veçanta dhe origjinale, të cilat e karakterizojnë pjesën e parë të këtij libri. Përvoja njerëzore dhe shpirtërore e Martinit, sikur bëhet ftesë për lexuesin, në mënyrë që secili “të shikojë brenda vetes dhe ta gjejë margaritarin e çmueshëm, thesarin e fshehur që ekziston në secilin prej nesh dhe që është i vetmi që mund ta shndërrojë zemrën. Duke e dëgjuar dinamizmin tonë të brendshëm, aftësinë tonë për të përtejshmen që e kuptojmë në mënyrën e të qenurit, të inteligjencës dhe të vullnetit tonë, do të mund të jemi besnikë ndaj vetvetes, historisë dhe Hyjit. Çdo virtyt njerëzor zë rrënjë në këtë dëgjim dhe në këtë vetënjohje”.

Në pjesën e dytë të librit, Martini me thjeshtësi dhe mençuri të stërholluar i përgjigjet pyetjeve të shumta, që kanë të bëjnë me fenë, me mundësinë apo me pamundësinë e të jetuarit pa Zot, me besimin në Hyjin dhe në Jezu Krishtit, me njerëzit besimtarë dhe jobesimtarë, me natyrën e vërtetë të njeriut, me mëkatin, dhunën etj. Përgjigjet e Martinit ndaj pyetjeve të shumta dhe të ndryshme të njeriut në kërkim të fesë, kanë një bazament biblik, për faktin se Bibla, në këndvështrimin martinjan, është Libri (Fjala) që më mirë se çdo libër dhe se çdo fjalë tjetër i përgjigjet pyetjeve të thella dhe të panumërta, që njeriu bartë në zemrën dhe në mendjen e vet.

Në fakt, jo rastësisht, pjesa e tretë e librit i dedikohet Shkrimit të shenjtë, Kishës dhe misionit të saj.

“Bibla nuk është një libër si librat e tjerë. Ajo, jo vetëm që përmban, por edhe është Fjala e Zotit që kumbon në histori dhe në Kishë: e ushqen fenë e atij që e dëgjon duke e nxitur, ngushëlluar, përforcuar dhe shndritur në përvujtëri e dëgjesë. Jo vetëm se është regjistrim autentik i Fjalës së Hyjit, por edhe Fjalë zbuluese në veprimin e forcën së Shpirtit Shenjt, që e ka frymëzuar dhe bën që të shpallet në Kishë. Pra, Bibla e ruan Kishën në besnikërinë e saj të plotë ndaj Zotërisë Jezus, por edhe Kisha nga ana e saj e ruan Shkrimin shenjt”. Përmes këtij definicioni, Martini, jo vetëm që tregon lidhjen e ngushtë që ekziston mes Biblës dhe Kishës, por njëkohësisht e fton lexuesin që, më fe dhe përvujtëri, të vihet në dëgjim të Fjalës së Zotit, sepse ajo (Fjala – Krishti) si askush dhe asgjë tjetër do ta nxisë, ngushëllojë, përforcojë dhe shndrisë të tashmen dhe të ardhmen e jetës së tij.

Martini e konsideron Biblën themel si për jetën e Kishës ashtu edhe për atë të botës, në përgjithësi. Këtë nuk e bën për t’i nënvlerësuar librat e tjerë të shenjtë që përmbajnë fjalë shumë të bukura, siç janë ato të religjioneve indiane dhe Kurani, por për bindjen se “Besëlidhja e Vjetër dhe Ungjilli nuk përmbajnë vetëm fjalë të bukura, por edhe të vërteta. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për artin dhe literaturën, por për zbulimin e misterit të njeriut dhe të Hyjit. Dhe nuk përjashtohet që pjesëza të zbulimit të tillë mund të gjenden edhe në shkrime të tjera të shenjta. Çdo njeri religjioz duhet të mësojë t’i lexojë të gjitha këto me inteligjencë dhe respekt”.

A u përgjigjet Kisha me të vërtetë problemeve të njeriut bashkëkohor? A insiston më shumë mbi moralin, sesa mbi misterin e dashurisë së Hyjit? A ekzistojnë përbrenda saj shumë pikëpamje konfliktuale? A e përçmon Kisha botën apo jo? Këtyre dhe shumë pyetjeve tjera që ndërlidhen me Kishën dhe misionin e saj, Martini u përgjigjet në këtë pjesë të librit.

Pjesa e parafundit e librit i kushtohet dioqezës më të madhe në botë, asaj të Milanos, të cilës Martini i shërbeu me besnikëri dhe dashuri të madhe, për më shumë se njëzet vjet. Ballafaqimi me realitetin e madh të Milanos, detyrat e arqipeshkvit në një dioqezë të lashtë dhe shpirtërisht të pasur, bashkëpunimi me realitetet e shumta fetare, kulturore dhe politike, problemet dhe sfidat e një Kishe të tillë, janë argumente, të cilat Martini i trajton në pjesën e katërt të librit.

Në pjesën e fundit të librit, Martinii u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me rrugët e jetës së njeriut modern, që shumë herë, për arsye të ndryshme, duket cinik dhe larg të vërtetës, larg fesë, larg Zotit, larg familjes dhe larg vetvetes.

Martini, me seriozitet të madh, i shqyrton të gjitha problemet dhe vështirësitë, me të cilat ballafaqohet njeriu bashkëkohor, pa u shndërruar në një profet që dënon apo mallkon, por në një Bari sipas shembullit të Jezu Krishtit, i cili vazhdimisht mediton Fjalën e Tij dhe mbetet koherent me mësimin e Kishës, duke u shndërruar për botën në një profet shprese: “Vërtet nuk e di a është njeriu modern më larg Zotit apo njeriu antik. Jam i sigurt se njeriu është i shikuar nga Zoti me butësi të pafund, me dashuri dhe mëshirë. Për këtë arsye objektivisht është “afër” tij. Dhe është një moment i jashtëzakonshëm ai, në të cilin njeriu vetëdijësohet për shikimin dhe afërsinë e dashurisë së Hyjit të vet”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »