Pashkët në Kosovë 2019: Besimi në Krishtin e Ringjallur dhuron shpresën për ndryshim në Vendin tonë!

Apr 25 • Kisha në Kosovë

Pashkët, Ringjallja e Jezu Krishtit, festa qendrore e të krishterëve, u kremtua në Kosovë me mesazhin e shpresës, që Krishti i Ringjallur ua dhuron atyre që besojnë, atyre që e pranojnë Atë për Mesi dhe Shpëtimtar.

Mesha qendrore e Pashkëve – kumti i hareshëm i Ringjalljes – është kremtuar në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, e prirë nga ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëcelebrim me meshtar të Prishtinës, me pjesëmarrje të shumë besimtarëve dhe miqve vullnetmirë.

Liturgjia e kësaj feste është e pasur me simbole, lexime biblike dhe këngë, që e shfaqin misterin e amshueshëm të Mesisë së Ringjallur, Jezu Krishtin.

Në homelinë e tij, Imzot Dodë Gjergji, e theksojë fuqinë e shpresës të të Ringjallurit që ka ndikim te ata që besojnë, për të jetuar në paqe dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit me qëllim për të ardhme të dinjitetshme. Krishti, i cili pësoi dhe u kryqëzua, Ai u Ringjallë dhe e mundi të keqen dhe vdekjen, njëherë e përgjithmonë.  Pikërisht pse të krishterët janë të mbushur me këtë mesazh shprese – theksonte imzoti – arrijnë me i kuptua sakrificat e të kaluarës dhe të tashmes, zhgënjehemi nga papërgjegjshmëria e individëve dhe grupeve brenda shoqërisë civile, partive politike, bashkësive fetare, dhe mediet që merren përgjithësisht me të keqen dhe shpeshherë e rrisin atë duke përhapur lajme të rreme ose gjysmë të vërteta, krijohet një përshtypje e përgjithshme se në Vendin tonë s’ka të ardhme. Kështu, është krijuar opinioni, se nuk ja vlen me punua, me u sakrifikua e aq më pak me dashtë vendin. Në këtë mënyrë, pothuaj se të gjithë punojmë kundër vetës sonë dhe bëhemi bashkëpjesëmarrës në rrënimin e të ardhmes  duke ia vra për çdo ditë, pak nga pak, njëri-tjetrit shpresën.

“Mirëpo, – vazhdoi Ipeshkvi – në përvojën e vuajtjes së Krishtit dhe mrekullisë së Kryqit të Tij, njeriu me anë të fesë arrin të ngritë shikimin e tij përtej të këqijave të kohës dhe matanë të keqes së vet. Arrin të sheh në sakrificën e tij, edhe kur ajo është e përbuzur, të ardhmen e ndritur të vendit të vetë; gjënë kuptimin e dashurisë për jetën, për familjen, për të afërmin në përgjithësi edhe kur sheh se këto nëpërkëmben; i jep kuptim shërbimit të përvuajtur edhe atëherë kur nuk vlerësohet, sepse gjithnjë shpreson në shpërblimin e drejtë prej Zotit.

Kur e shohim vendin tonë nga kjo perspektivë feje dhe shprese, atëherë duhet të themi që ka shumë burra e gra, të moshuar e të rritur, të rinj e të reja, që janë njerëz të mirë, të ndershëm dhe fisnik. Këta, e mbajnë barrën e jetës, përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve, nevojën e përparimit familjar, angazhimin për përgatitjen profesionale dhe kryejnë detyra të ndryshme në shoqëri dhe institucione të të gjitha niveleve. Vërtet, punën dhe sakrificën e tyre nuk e shohim në ekrane televizive, por numri i tyre është i madh,  kurse përkushtimin e tyre e përjetojmë çdo ditë aty ku jetojmë.

Por, duke qenë që politika dhe media nuk merren me ta, krijohet një përshtypje publike se këtu s’ka mbetur asnjë i mirë, askush i ndershëm dhe asgjë që vlen.

Por, jo, jo, ne e dimë që në popullin tonë ka shumë më shumë të mira se sa ofrohen në publik, për të cilat ia vlen me u sakrifikua, me jetua dhe me i dashtë shtëpitë tona, vendin tonë, po edhe Shtetin tonë.” – ishin mes tjerash fjalët e Imzotit, si mesazh pashkvor për të gjithë njerëzit vullnet mirë në Kosovë, duke e përfunduar se në lutjen e tij i përfshin “të gjitha njetet e juaja, vuajtjet e të sëmurëve në spitale apo ata që lëngojnë në shtëpitë e tyre, gjithë të braktisurit nga përkujdesi shoqëror dhe çdo prind që s’ka mundësi të sigurojë jetën e dinjitetshme të fëmijëve të vet. I Ringjalluri le të jetë ngushëllimi, fuqia dhe shpresa e tyre!

Në këtë kohë të shenjtë të Pashkëve, hiri i Krishtit bëftë që të veprojë dashuria dhe paqja e vërtetë në zemrat e të gjithëve, në familjen e secilit, në Vendin tonë dhe në botën mbarë.”

Vigjilja e Pashkëve është një moment i gëzuar pasi edhe katekumentët që janë përgatitur gjatë vitit për të marr sakramentet e fillesës së krishterë, sillen para ipeshkvit dhe ky i pagëzon para bashkësisë. Sivjet ishin katër katekumenë të cilët i morën sakramentet e fillesës së krishterë (pagëzimin, krezmimin dhe kungimin), rilindën në Krishtin dhe ju bashkuan Trupit Mistik të Krishtit – Kishës.

Në Prishtinë ka filluar të krijohet tradita e bekimit të bukës së Pashkës gjatë meshës së Vigjiljes, një traditë mijëravjeçare e shqiptarëve. Është një gjest i bukur popullor që e karakterizon këtë festë.

Ndërsa, si çdoherë për festa të mëdha, Dioqeza jonë, përkatësisht Imzot Dodë Gjegji, organizon pritjen solemne, e cila bashkon miq e njerëz vullnetmirë që e bashkëndajnë gëzimin e të Ringjallurit me Kishën tonë, bëhen mbështetës dhe bashkëkumtues të mesazhit pashkvor të të krishterëve shqiptarë. Janë momente të bukura urimesh e takimesh të atyre që duan të festojnë bashkërisht. Krishti i Ringjallur na e dhuroftë shpresën e gëzimin e jetës./drita.info  

Shpërndaje

Comments are closed.

« »