Një i huaj, plot këshilla të mira

Apr 26 • Meditimi i ditës

26 prill 2019 – E PREMTJA E PASHKËVE (Zoja e Këshillit të mirë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 4,1-12; Ps 118,1-2.4.22-24.25-27a; Gjn 21,1-14)

 

Prania e Hyjit

Në qetësinë e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më bie ndër mend kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;
kur kam ecur së bashku dhe se kam lejuar të jem i përqafuar me dashurinë Hyjnore?

 

Liria

O Zot Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori me përgjegjësi. Jam i/e lirë për të zgjedhur.
Më ndihmo të zgjedh që të mund të të ndjek ty,
për të jetuar një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që s`janë të lirë publikisht për ta shprehur fenë e tyre.
Më prij që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në gjithçka çfarë ndodhë në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur se Hyji më do në mënyrë të pakusht,
Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si po e ndiej veten realisht.
Çfarë dite është kjo që po kalon? Si po e ndiej veten në këtë moment?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Koha të cilën e kalove në tokë ishte e mbushur me kujdes për njerëz.
ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.


Gjn 21,1-14

 

1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë Simon Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. 3 U tha Simon Pjetri:
“Po shkoj të gjuaj peshk.”
“Po vijmë edhe ne me ty!” i thanë ata.
U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.
4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5 Jezusi u tha:
“Djelmosha, a keni ndopak peshk?”
“Jo!” u përgjigjën ata.
6 Ai u tha:
“Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!”
Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. 7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm sepse ishte i zhveshur dhe u hodh në det. 8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut reth dyqind kutë.
9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. 10 Jezusi u tha:
“Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” 11 Atëherë Simon Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. 12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. 13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.
14 Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·                     Nata e peshkimit të kotë i kishte lënë rrjetat bosh dhe zemrat bosh. Jezusi merr nismën dhe i takon ata në mëngjes herët. I fton për të ngrënë: ”Mëngjesi është i gatshëm!” Tryeza është e gatshme plot peshk, bukë, dashuri, ngrohtësi dhe gëzim të madh. Marrëdhëniet e shkatërruara përsëri rindërtohen, shërohen.

·                     Jezus, ti më takon në buzët e ujit të jetës së përditshme. Ti më pranon me dashuri, më inkurajon dhe më fton në bollëk. I/e freskuar, i/e këndellur me ushqimin e fjalës tënde bëj që edhe unë nga ana tjetër, të freskoj, të këndell, t`i dua dhe t`i ndihmoj ata që do t`i takoj sot. 

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua
ndërsa lus dhe meditoj Fjalën e Hyjit?
E paramendoj Jezusin sesi qëndron apo rri ulur afër meje
Dhe ia hapi zemrën time.

 

Përmbyllja
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »