Imzot Pjetër Bogdani, njeri i fesë, kombit, gjuhës, shkencës dhe kulturës

Apr 30 • Kulturë

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Imzot Pjetër Bogdani lindi në “Guri ndë Hasit” në vitin 1625 dhe vdiq në Prishtinë në vitin 1689. Ishte meshtar, ipeshkëv, veprimtar i dalluar, atdhetar i kulluar, luftëtar për liri, shkrimtar i shquar, raportues i vëmendshëm dhe i saktë nga viset e ndryshme shqiptare, me një fjalë Njeri i Zotit, Kishës dhe Popullit shqiptar.

Vendlindja nuk dihet sot ku gjendet, në Breg të Drinit, në Gjonaj apo diku gjetiu, disa thonë ndoshta në Zym apo në Zhur.  “Guri i Hasit” përmendet qysh në vitin 1330, sot Shëngjeçi, afër Mazrekut, apo Guri, afër Zymit të sotëm.[1]

Nipi i tij Don Gjon Bogdani jep informata që Pjetrin e kishte rritur dhe edukuar qysh në fëmijëri dhe në rini arqipeshkvi Andre Bogdani (1600-1683), ungji apo axha i tij, së pari në kolegjin françeskan të Cipovecit (Bullgari), pastaj në Kolegjin ”Illiricum” në Loreto, afro 9 vite, ku edhe ishte shuguruar meshtar në vitin 1649. Më vonë ka vazhduar studimet në Romë, në “Propaganda Fide”, ku kishte doktoruar filozofinë dhe teologjinë (1655). Pas shugurimit meshtarak ka shërbye në Ipeshkvinë e Pultit, diku gjatë viteve 1651 – 1656.

Në vitin 1656 emërohet arqipeshkëv i Shkodrës, me shërbim 20 vjeçar, pastaj në Tivar në vitin 1677, afro 10 vite , së fundi arqipeshkëv i Shkupit në vitin 1677, për 12 vite, si dhe administrator apostolik i Serbisë dhe Bullgarisë, gati i gjithë Ballkanit.

Bashkëpunimi me kardinalin Gregorio Barbarigo (1625 -1697), me të cilin ishte njohur dhe i kishte shërbye në Romë, ishte frytdhënës. Ai ishte përgjegjës i Kishës katolike për çështje lindore, dhe si i tillë kishte hapur një shtypshkronjë të veçantë në Padovë, “Tipografia del Seminario”, për botime në gjuhën hebraishte, aramaishte dhe arbërishte.

Prej vitit 1686 e tutje arqipeshkvi Pjetër Bogdani merrej intenzivisht me idenë e kryengritjes së armatosur kundër sundimit osman, në bashkëpunim me gjeneralin Giovanni Norberto Piccolomini (1650-1689), me kontributin e pjesëmarrësve tanë. Në këtë lëmi pati sukses në çlirimin e Prishtinës, por në Prizren mori sëmundjen e mortajës, nga e cila edhe vdiq më 6 dhjetor 1689, ndërsa para disa kohe kishte vdekur edhe gjenerali Piccolomini. Imzot Pjetër Bogdani nuk e kishte lënë të vetmuar Gjeneralin në sëmundje,  por e kishte shoqëruar në Prizren, ia kishte ndarë sakramentet, para vdekjes, në shenjë besnikërie dhe bashkëpunimi. Me vdekjen e këtyre dy kolosëve, Piccolomit dhe Bogdanit,vdiq edhe ideja dhe organizimi i kryengritjes së armatosur.[2]

Motivet e shkrimit dhe botimit të Çetës së profetëve

  1. Atdheu dhe Populli po digjej në robëri të errësirës, i verbuar me dy mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija,si pasojë e kësaj edhe robëria. “Pjetër Bogdani shpreh shqetësimin e përhershëm: lufta me “errësirën e paditurisë” si rrezik më i madh për shpirtrat”.[3]
  2. Motivi i dytë nuk ishte lavdia e tij, “por për dobi të shntës fe”.[4]
  3. Për të dhënë një kontribut të madh historik, gjuhësor, patriotik, për vlera të krishtera dhe evropiane. Vetëdija e tij e lartë fetare, e krishterë, dhe kombëtare, arbërore – shqiptare, e frymëzonin atë për jetë dhe veprim të angazhuar në shumë lëmi.

Kryevepra e tij “Çeta e profetëve” – Cuneus prophetarum, është botuar në vitin 1685 në Padovë, pastaj rishtypet  në vitin 1691 dhe 1702 në Venedik, si vepra e parë burimore në gjuhën shqipe, si një lloj përmbledhje – compendium filozofike, teologjike, letrare, artistike, politike, kulturore, si gurthemel i përdorimit dhe përparimit të shqipes së atëhershme. Ai shkruan kështu: “bukur të kumbon e të kallëzon arbënisht”. Imzot Pjetër Bogdani me kujdes dhe përkushtim të madh kishte gjurmuar, zbuluar dhe shkruar fjalë të vjetra shqipe, kishte krijuar edhe fjalë dhe shprehje të reja, duke begatuar dukshëm gjuhën shqipe.

Çeta e profetëve konsiderohet edhe një lloj enciklopedie filozofike, teologjike, historike, gjuhësore dhe kombëtare, me dy pjesë kryesore: filozofia dhe teologjia e krishterë dhe jetëshkrimi i Jezu Krishtit, me elemente shtesë edhe të gjeografisë, astronomisë, fizikës, matematikës, letërsisë.

Botimi dygjuhësor i Çetës së Profetëve, shqip dhe italisht, ia mundëson komunikimin me botën e atëhershme, por edhe përdorimin shekullor nëpër universitetet katolike evropiane, si manual i rëndësishëm universitar.

Arqipeshkvi Pjetër Bogdani ishte klerik, atdhetar, gjuhëtar, dijetar, filozof, teolog, prozator, poet, luftëtar për liri në të gjitha trojet shqiptare për afro 40 vite. Pati shumë armiq dhe kundërshtarë, mbi të gjitha osmanët dhe Patrikanën serbo – ortodokse të Pejës. Ishte një vizionar i jashtëzakonshëm pan – ballkanik  për liri, me qëndresë dhe luftë, kryengritje gjithëballkanike, që edhe sot ende nuk ka gjetur ndonjë zgjedhje fatlume dhe përfundimtare.

Vuajtjen e popullit Shqiptar e krahasonte me vuajtjen e vetë Jezu Krishtit dhe të Virgjërës Mari, duke paraparë fitoren, ngjalljen. Ishte thellë i vetëdijshëm për rrënjët dhe prejardhjen ilire dhe arbërore, duke u kujdesur për pastërtinë shpirtërore dhe gjuhësore, apo pastërtinë e zemrës dhe të shpirtit të Shën Marisë Virgjër, që i krahasonte me pamjet e bukura gjeografike dhe historike të trojeve tona.

Ishte një lloj “shtegtari” apo njeriu në ikje dhe në lëvizje, si detyra e bariut për grigjën e besuar, për t’i njohur, parë dhe përkrahur personalisht, por edhe nga përndjekjet e ndryshme turko – otomane.

Si bari i zellshëm, e kishte moton e jetës: “Fati i popullit tim, është fati im”, për ta dëshmuar gjithnjë dashurinë  e paskajshme për Zotin, Kishën, Popullin, por duke përdorur edhe të gjitha mjetet e mundshme për shkollim, arsimim, qytetërim e tij, si ideator dhe idealist i lirisë dhe pavarësisë. Për këto ide përparimtare dhe ideale të larta njerëzore dhe të krishtera, çmonte dhe nderonte shumë lashtësinë dhe martirizimin, autoktoninë e lidhte me aktualitetin, si formues i shpirtit dhe ndërgjegjes shqiptare, hallka e parë,  për t’u bashkuar me popujt e Ballkanit, hallka e dyte, dhe të Evropës, hallka e tretë, në atë që do të duhej të jetë zinxhir i së kaluarës, te tashmes dhe të ardhmes.

Eqrem Çabej thotë që shkrimi i Imzot Pjetër Bogdanit në Çetën e Profetëve është niveli i lartë gjuhësor dhe artistik.

Në një bisedë me Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës, studiuesin e njohur të Pjetër Bogdanit, e pyeta kështu: Për kë e ka shkruar ai librin Çeta e Profetëve, në një kohë të errët për Popullin tonë, kur nuk kishte shkolla, institucione,  populli pothuaj ishte analfabet? Ai më dha këtë përgjigje: edhe atëherë ishte një lloj elite, aristokracie, pra, njerëz të ngritur. Pastaj Bogdani ka dashur ta ngrite nivelin shpirtëror, kulturor dhe gjuhësor. Mu për këtë ai e ka shkruar dhe botuar këtë libër.

 

Porosia e jetës dhe veprës së tij

1. Imzot Pjetër Bogdani doli si pishtar i madh në një periudhë të errët dhe shumë të rrezikshme për shuarjen e vetëdijes kombëtare, me këtë edhe të gjuhës, traditës, kulturës, fesë së krishterë, qytetërimit tonë evropian Në këtë këndvështrim ishte largpamës, vizionar dhe profet për kohën dhe rrethanat në të cilat ka jetuar dhe vepruar, por edhe për ne sot. Pa ide, ideale, projekte konkrete, atdhedashuri, mbi të gjitha fe dhe dashuri për Zotin dhe Popullin, nuk ka zhvillim as përparim të mirëfilltë.

2. Fjalës së shkruar, librit, botimi, dijes, ia beson detyrën për ta luftuar errësirën, mëkatin, të keqen, robërinë, që të jenë “çeta” që do të luftojnë deri te arritja e lirisë së vërtetë nga e keqja, sundimi i huaj, tjetërsimi, harresa, shkrirja në popull anonim, pa identitet dhe personalitet.

3. Imzot Pjetër Bogdani është njeriu i Zoti dhe Popullit, gjithnjë në lëvizje dhe në kërkim të “grigjës” së kërcënuar dhe të rrezikuar, të tretur, në lidhje të vazhdueshme me Zotin dhe me Popullin tonë. Këtë më së miri e dëshmojnë relacionet e rregullta që ia dërgonte Vatikanit nga çdo vend dh kënd, për çdo çështje të rëndësishme, një lloj kronike e asaj kohe dhe atyre vendeve ku ishte. Përshkrimet e gjendjes së mjerë ndoshta më së miri mund t’i përmbledhin këto fjalë: “gjithkund vdekje, gjithkund vajë, gjithkund shkretim, gjithkund përndjekje, gjithkund hidhërim…kishat e mbyllura, meshtarët e shpërndarë, populli në ikje… Jam i rrethuar në të gjitha anët dhe është një mrekulli që jam gjallë (1687)”.[5]

Atëherë Imzot Pjetër Bogdani ishte i vetmi arqipeshkëv katolik në Ballkan, shkruante ai, dhe tinëzisht kishte hyrë në Prishtinë të Enjten e Madhe, për shugurimin e vajrave të shenjtë, por nuk e di kush dhe si do t’i shpërndajë dhe përdoroi.

Ai vërtet ishte mbrojtës shembullor i Fesë dhe Popullit, një lloj “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i ri”, në vijën e jetës dhe veprës së tij kombëtare dhe fetare. Pa këto relacione, shkrime, raportime, shekulli i 17 – të është për ne shqiptarët i errët, me mungesa të mëdha të burimeve tona. Burimet janë kryesisht turko-otomane, greko-sllave, shpesh me tendenca negative ndaj nesh.

4. Për t’iu ikur kontrollimeve dhe identifikimeve turke, ai vishej si “lypës”, “tevdil” apo si katundar, kremtonte meshën dhe ndante sakramentet në shtëpia private, ishte vazhdimisht aty ku mundej dhe ku kërkohej. Figura e tij në popull ka mbetur si legjendë, me shumë emërtime të shpellave dhe vendstrehimeve të “Bogdanit”, ku ai fshihej dhe punonte, lutej, ndante sakramentet, gjatë natës, ndërsa gjatë ditës, pushonte dhe planifikonte hapat dhe vizitat baritore.

Flitet në popull që natën i vizitonte të krishterët, ndërsa ditën tërhiqej në male dhe vende të pabanuara, duke u ngritur  në lisa, lidhej për të pushuar dhe për t’u mbrojtur prej bishave të egra. Disa njerëz, duke mos e njohur jetën dhe veprën e tij, ato shpella apo strehime i kanë identifikuar si serbe apo sllave.

5. Ishte një pararendës i iluminizmit ndër ne, deri diku edhe i rilindasëve, duke besuar se shkenca, kultura, dija, shkolla, kultura, qytetërimi, janë armët tona për të ardhur deri te shpëtimi. Themelimi i shkollës shqipe në Janjevë , me 25 nxënës, është një dëshmi bindëse për këtë. Gjatë lëvizjeve të shpeshta nëpër trojet shqiptare, barte me vete libra, dorëshkrime, ndër të cilët ishte edhe gramatika e Imzot Andrea Bogdanit, të cilën e fatkeqësisht e kishte humbur para se të botohej.

6. “Dija dhe edukimi kishtar” ishin mjete për ta luftuar sundimin turko otoman dhe robërinë nga errësira e mosdijes. Këtë ai i shprehte me identitetin e dyfishtë: clericus et libertas, klerik dhe liri.

7. Imzot Pjetër Bogdani ishte besimtar dhe atdhetar i kulluar dhe shumë i dalluar, gjithnjë i frymëzuar dhe në veprim. Ideja e tij për bashkëpunim dhe solidaritet mes popujve, sidomos në luftë kundër robërisë dhe në kërkim të lirisë dhe pavarësisë, kishte nevojë për një organizim gjithëballkanik, si parakusht për të arritur deri te bashkëpunimi me popuj evropianë.

Vdekja dhe varrosja – zhvarrosja e Imzot Pjetër BOGDANIT:

Duke u tërhequr përfundimisht në Prizren (mendohet për Imzot Pjetër Bogdanin, vr. ime), Atdheu i tij së bashku me fort të përndritshmin zotëri Gjeneralin Piccolomini për të pushuar pak, u sëmua i Përndritshmi me infektim, dhe pasi dëshironte ta përcillte atë deri ne ofshamën e fundit, u infektua edhe ai me të njëjtën sëmundje të murtajës, dhe për pesë ditë ia dorëzoi shpirtin Zotit në Prishtinë më 6 dhjetor të këtij muaji, i paisur me të gjitha sakramentet dhe i përkujdesur nga atë Cofferi i Shoqërisë së Jezusit.

Kufoma e tij që varrosur në Xhaminë Perandorake “Imperia Moschea” të atij vendi e bërë Kishë e re apo rishtas me titullin e Shën FranKsaveritdhe me pjesëmarrje të shumicës së klerit të tij,  si dhe qe përcjell me nderime dhe dhembje jo vetëm nga kleri i tij, por nga mbarë krishterimi për humbjen e Bariut të kujdesshëm, i cili në atë anë ka lënë shembull të mirë për t’u imituar…”[6]

Për zhvarrosjen e Imzot Pjetër Bogdanit:

Shosh i Pultit, 20. XII. 1698

Gjergj Bogdani, nipi i PjetërBogdanit, misionar në Janjevë dhe Administrator i Prishtinës dhe i Vuçiternës, shkruan për krimet e tmerrshme që i kanë bërë turqit familjes së tij, pikërisht Gjonit, vëllait të tij, si edhe për kufomën e zhvarrosur të PjetërBogdanit, e cila iu hodh qenëve derisa e mbante ende mitrën mbi kokë…” [7]

Imzot Pjetër Bogdani s’ka as varr, janë zhdukur edhe eshtrat e tij, si edhe të shumë kolosëve tanë. Fati ynë i mjerë. Megjithatë mbetet jeta e tij shembullore, përkushtimi i tij madhor, shkrimet, relacionet, veprat e tij, si dëshmi e pamohueshme e kujdesit dhe dashurisë së  madhe për Zotin, Kishën, Popullin shqiptar, si model shërbimi dhe flijimi. Edhe me 330 vjetorin e vdekjes së tij, këtë Akademi përkujtimore, shpresoj dhe uroj se po “ngjallet” Imzot Pjetër Bogdani ynë, në mendjet dhe zemrat tona, për të jetuar mbi të gjitha në amshim, pastaj  edhe në Kishën dhe Popullin tonë.

Motoja e Çetës së profetëve “Salvanos Domine, perimus” – Na shpëto, o Zot, u zhdukëm, mbetet klithje feje dhe shprese, dëshmi dashurie, gjithnjë në emër të Kishës dhe Popullit, drejtuar Zotit, pra, si e tillë aktuale për të gjithë ne./drita.info

(Ligjëratë në Akademinë mbi Imzot Pjetër Bogdanin, Mitrovicë, 27 prill 2019 )

 

———————————————————–

[1]Khs. Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, DRITA. 1992, f. 197.

[2]Khs. Gaspër Gjini, vep. e cit., f. 197-198.

[3]Pjetër Bogdani, përgatitur nga Odette Marquet, Letërshkëmbim, Ipeshkëv i Shkodrës dhe Administrator i Arkipeshkvisë së Tivarit, 1660-1670, Botimet IDK, Tiranë, 2016, f. 20.

[4]Khs. Prof. dr. Arshi Pipa, Bogdani dhe gjuha shqipe, në Imzot Pjetër Bogdani në New York, Seminari për Imzot Pjetër Bogdanin, Fordham University, 7 tetor 1989, New York, Botues Tonin Mirakaj,  2009, f. 78-87.

[5]At DanjelGjeçaj, O. F. M., në Imzot PjetërBogdani në NewYork, vep. e cit. f. 64.

[6]Oddete Marquet, Pjetër Bogdani, Letra dhe Dokumente nga Arkivim i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit, Mediumi Shqiptar, Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997, f.  512-513). Krh. Luigi MARLEKAJ, Pietro Bogdani e  l’ Albania del suotempo, Liantonio Editrice, Palo del Colle (BA), 1989, fq. 166- 167). Ai saktëson edhe më hollësisht vendin e varrosjes së Imzot Pjetër Bogdanit në Kishën e Shën Fran Ksaverit duke shënuar këtë: “në anën e djathtë të Elterit të Madh” (Po aty, f. 166).

[7]Odette Marquet, vep. e  cit. f. 516; Luigj Marlekaj, vep. e cit. f. 167.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »